Zyrtarja në MMPH: Zbatimi i vendimeve për rrënim ishte përgjegjësi e drejtorit të Inspektoratit, me ligjin e ri është kompetencë e inspektorit

Deme Dashi 2
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 12, 2019

Pejë – Zyrtarja ligjore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fisnike Kelmendi, ka deklaruar se zbatimi i vendimeve për rrënimin e objekteve pa leje, bie në përgjegjësi të drejtorit të Inspektoratit në nivel komunal.

Ajo ka thënë se pavarësisht se Ligji për Inspektoratin nuk e përcakton saktë se kush e bënë ekzekutimin e vendimit për rrënim të objekteve pa leje, sipas saj, MMPH-ja kishte dhënë opinion për këtë çështje, që siç ka thënë ajo, një gjë e tillë bie në përgjegjësi të drejtorit të Inspektoratit, derisa sipas ligjit të ri, ajo ka thënë se kjo çështje ka kaluar në kompetencë të inspektorit për ndërtim.

Këto deklarime, ajo i ka dhënë në cilësinë e dëshmitares, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pikërisht për mosekzekutim të vendimeve për rrënim.

Dashi akuzohet se me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Dëshmitarja Kelmendi, ka deklaruar se opinionin ligjor për të interpretuar se kush ka kompetencë për ekzekutim të vendimeve për rrënim, e kishe bazuar në Ligjin për Procedurën Administrative, ku sipas saj, theksohet se ekzekutimin e aktit administrativ e bën organi kompetent që e ka nxjerrë aktin, e që në rastit konkret, ajo ka thënë, se ishte në përgjegjësinë e drejtorit të Inspektoratit.

“Decidivisht nuk është e përcaktume kush e ekzekuton këtë vendim me Ligjin mbi Inspektoratin. Ndërsa, që opinioni jonë i dhënë në rastin konkret, kompetencat për ekzekutim i ka drejtori me sugjerimin e inspektorit, i cili i evidenton në terren duke u bazuar në ligjin e vjetër të procedurës  administrative, sipas të cilët ekzekutimin e aktit administrativ e bënë organi kompetent që e ka nxjerrë aktin, pra organi kryesor është inspektorati, i cili është drejtori i Inspektoratit”, ka thënë dëshmitarja.

Ndër të tjera, dëshmitarja Kelmendi ka thënë  se opinioni i tyre ligjor lidhur me interpretimin se kush është kompetent për ekzekutim, nuk ka fuqi detyruese.

“Opinion ligjor i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka fuqi detyruese, por vetëm jep sqarime të dispozitave përkatëse sipas kërkesave të palëve”, ka thënë ajo.

Kelmendi ka shtuar se tani me Ligjin e ri të Procedurës Administrative, i cili është në fuqi, përgjegjës përfundimtar për ekzekutim të vendimit për rrënim është inspektori, mirëpo sipas saj, në kohën kur kishte përpiluar opinionin ligjor, ishte në fuqi ligji tjetër, që përgjegjës e bënte drejtorin e Inspektoratit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Dashi, avokatit Isa Osdautaj, dëshmitarja ka thënë se ende mbetet pranë opinionit ligjor të përpiluar, pasi që sipas saj, atë e kishte bërë në harmoni me ligjin.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se edhe në praktikën e deritanishme ekzekutimi për rrënimin e objekteve nuk mund të bëhej pa pëlqimin e drejtorit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të pandehurit Demë Dashi, dëshmitarja ka thënë se përkundër faktit se pozita e drejtorit është post politik, ligji sipas saj, duhet të respektohet.

Në seancën e së enjtes është dëgjuar edhe Naser Kastrati, i cili kishte përpiluar ekspertizën gjeodezike lidhur me objektet e ndërtuara pa leje.

Në fillim të dhënies së dëshmisë së tij, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, ka kërkuar nga ai të përcaktohet dhe të konkretizojë kompetencat kryesore të drejtorit të Inspektoratit në kryerjen e punëve që kanë të bëjnë me rrënim.

Dëshmitari Naser Kastrati, ka thënë se nuk kishte hasur në ndonjë rregull apo urdhër konkret se drejtori kishte autorizim për ekzekutimin e vendimeve për rrënim.

“Sa i përket pyetjes se kush është i autorizuar të bëjë rrënimin, e kam cek edhe në ekspertizë se nuk kam has diku në ndonjë rregull apo urdhër konkret mbi rrënimin e objekteve për drejtorin, ndërsa është një paragraf siç e kam dhënë në ekspertizë se është kompetencë e inspektorit të ndërtimit të bëjë verifikim e punëve dhe nëse heton se diçka nuk është në rregull, ka për detyrim të bëjë procesverbalin dhe të njoftoj drejtorin, kurse drejtori të njoftoi kryetarin sepse hierarkia është në pyetje”, ka thënë eksperti.

Përkundër këtij konstatimi, Kastrati më pas ka thënë se kompetenca kryesore për rrënim të objekteve pa leje e përfshinë drejtorin e Inspektoratit dhe Kryetarin e Komunës së Pejës.

Ai ka thënë se gjatë përpilimit të ekspertizës së tij, nuk kishte gjetur organogramin e Drejtorit të Inspektoratit, ku përshkruhen detyrat dhe përgjegjësitë e tij.

Kastrati ka thënë se kishte kërkuar nga Drejtoria e Shërbimeve Civile në Pejë, gjegjësisht nga shefi Muhamet Kelmendi këtë organogram, mirëpo sipas tij, ai është përgjigjur se nuk ka, ngase është post politik dhe “për këtë e din kryetari”.

I pandehuri Demë Dashi, ka thënë se ka vërejtje lidhur me deklarimin dhe ekspertizën e ekspertit Kastrati, pasi sipas tij, ai kishte dhënë “opinione”.

Seanca e radhës është caktuar më 13 maj 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, prokurori i rastit, Ali Uka ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmitares Vjosa Vela, e cila ishte bashkë përpiluese e opinionit ligjor me dëshmitaren Fisnike Kelmendi, pasi sipas tij, është e panevojshme.

Në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar  ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /Betimipërdrejtësi