ZYRTARI I ARSIMIT NË PRIZREN AKUZOHET PËR FALSIFIKIM TË DOKUMENTIT ZYRTAR

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjtën, është mbajtur shqyrtimi i dytë, ndaj të akuzuarit, Reshit Kushaj, i cili akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

I akuzuari, i cili ka vendosur të mbrohet vetë, ka deklaruar se i kundërshton provat nga aktakuza dhe ka kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Prokurori i shtetit, Sefer Morina, ka thënë se të gjitha provat në të cilat bazohet aktakuza janë të mbledhura në mënyrë të ligjshme, ka shtuar se provat janë të pranueshme dhe të mjaftueshme për të vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit gjenden elementet e veprës penale për të cilën akuzohet, andaj ka propozuar që të refuzohet kërkesa e të akuzuarit për hedhjen e aktakuzës dhe të shkohet në shqyrtim gjyqësor në të cilin do të vërtetohet teza e prokurorisë se i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet me aktakuzë.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, me aktvendim, ka vendosur që ndaj kërkesës së të akuzuarit, për hudhjen e aktakuzës, do të vendosë me vendim me shkrim.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Reshit Kushaj, zyrtar i arsimit në Drejtorinë Komunale të Prizrenit, të cilin e akuzon se ka përpiluar, vërtetuar dhe nënshkruar dëftesën e shkollës së mesme për klasën e XI-të, me nota kaluese, për nxënësin N.N. megjithëse nxënësi kishte dëftesë origjinale me nota të pamjaftueshme për kalimin e viti shkollor 2008-2009.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë