Zyrtari policor tregon se si ishte marr informata për dyshimin se Sami Lushtaku po arratisej nga QKUK-ja

Sami Lushtaku
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Zyrtari policor, Arsim Shala ka dëshmuar në gjykimin ku Sami Lushtaku dhe të tjerët akuzohen në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK).

Në këtë rast, përveç Sami Lushtakut, akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Dëshmitari Shala, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se pasi kishin marr informatën për zhvillimet në QKUK dhe pasi njësitet policore kishin shkuar atje, gardiani i kishte thënë atij se Sami Lushtaku gjendej në dhomë dhe se ka kontrolle mjekësore, por që sipas tij, nuk e kishin verifikuar nëse Lushtaku ndodhej në dhomë.

Dëshmitari ka thënë se nuk kishin marrë urdhër për të verifikuar nëse Lushtaku gjendej në dhomë apo jo, pasi sipas tij, kishin pritur ardhjen e komandantit dhe njësive tjera.

Ai ka thënë se nuk kishin kërkuar nga gardiani që ta hapte derën dhe të verifikohej nëse Lushtaku kishte qenë aty, por sipas tij, të gjitha informacionet e marra nga gardiani ia kishte përcjellë hierarkisë komanduese.

Dëshmitari Arsim Shala, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli, ka deklaruar se për këtë rast kishte dhënë dy deklarata dhe se qëndron mbrapa atyre deklaratave.

Ai fillimisht ka treguar në mënyrë kronologjike se si e kishin marr informatën dhe si ishin shkuar në vend të ngjarjes dhe dyshimet e para që ishin krijuar lidhur me disa persona që ishin mbledhur në një repart të QKUK-së.

Dëshmitari Shala, ka deklaruar se në fillim kishin dyshuar se personat e mbledhur ishin aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Ai ka thënë se nuk kishte pasur informata se në QKUK gjendej Sami Lushtaku, por sipas tij ato informacione iu ishin dhënë atyre më vonë nga komandanti i stacionit.

“Atëherë kam pranuar një telefonatë nga Komandanti i Stacionit Binak Berisha dhe se informacionet kanë qenë se nëpër media qarkullojnë informacione që ndërlidhen me Sami Lushtaku dhe ikjen e tij nga QKUK. Atëherë kemi marrë urdhër me verifiku një informacion të tillë, se a ndodhet Sami Lushtaku aty, kur kemi shkuar me kontaktu në repartin ku ka qenë i vendosur. Kur kemi shkuar së bashku me kolegët tjerë nga stafi mjekësor jemi informuar për dhomën e Samiut, aty kemi komunikuar me një person që është prezantuar si gardian dhe na ka konfirmuar se Samiu ndodhet brenda dhe se ka vizita mjekësore dhe ka familjarë në vizitë. Pastaj ne jemi tërhequr nga ai repart dhe nuk kemi qëndruar aty. Gardiani ka qenë me uniformë por emri i tij nuk më kujtohej, në raport shpresoj që është i evidentuar. Pastaj e kam njoftuar zingjirin komandues, ka qenë urdhri që do të vijnë njësitë tjera relevante përfshirë edhe komandantin e Stacionit dhe janë ndërmarrë veprime tjera të cilat do t’i sqarojë komandanti sepse kur vjen eprori më i lartë që vjen në rast, atëherë kompetencat kalojnë në dorë më të lartë”, ka thënë dëshmitari Shala.

Ai ka thënë se dhoma ku ka qenë gardiani ka qenë e mbyllur, dhe nuk ka kërkuar të hapej dera.

“Sepse i kemi besuar zyrtarisht gardianit që është duke e kryer detyrën e tij, dhe na ka deklaruar se ka kontroll mjekësore. Unë personalisht atë ditë se kam parë Sami Lushtakun, dhe as ndonjërin nga anëtarët e tij”, ka thënë ky dëshmitar.

Prokuroria speciale Florie Shamolli, ia ka rikujtuar dëshmitarit deklaratën e dhënë në polici me 21 qershor 2015, ku kishte deklaruar se ai kishte njohur personat Ukshin Lushtaku dhe Burat Buzhala, të cilët kishin shprehur revoltën se do të pengojnë dërgimin e Lushtakun në veri të Mitrovicës.

“Qëndroj pranë asaj deklarate, Berat Buzhalën në aktivitetet e mija jashtë policisë e njoh, takimi im me Beratin ka zgjatur më shumë se një minutë dhe në atë kohë na është prezantuar një person si vëllai i Sami Lushtakut”, ka thënë ai.

Në pyetjen e Sami Lushtakut se nëse ai nuk pasa qenë në spital, cila ka qenë arsyeja e turmës që kishin qëndruar para QKUK-së, dëshmitari ka thënë se ai grup prej 40 personave, kishin qenë të shpërndarë nëpër grupe dhe për ta nuk kishin paraqitur probleme, duke pasur për bazë se në këtë objekt kishin qenë shumë pacientë.

Në pyetjen e avokatit Mentor Neziri, mbrojtës i të akuzuarit Bashkim Dervisholli, se a ishte e vërtetë deklarata që dëshmitari kishte dhënë në polici se tek dhoma ku kishte qëndruar i akuzuari Ismet Haxha, kishte qenë vetëm një gardian, dëshmitari ka thënë se mbetet pranë asaj deklarate.

Në seancën e së mërkurës dëshminë e tij e ka dhënë edhe polici Abedin Krasniqi, i cili kishte qenë bashkë me eprorin e tij Arsim Shala, për të verifikuar dyshimin për arratisjen e Lushtakun dhe dy personave të tjerë nga QKUK.

Ai tha se kishin marrë informacion sipas zinxhirit komandues, për dyshimin se kishin qenë disa aktivistë të “Vetëvendosjes”, në oborrin e QKUK-së, para repartit Intern.

Ai tha se me kolegun e tij Arsim Shala dhe me dy policë të tjerë, në vend të ngjarjes kishin parë 5-6 grupe me nga 4-5 veta të cilët sipas tij, kishin qenë të qetë, dhe se togeri Shala kishte biseduar me personelin e sigurimit se çfarë ishte problemi, ku ata e kishin konfirmuar se janë pjesëtarë të VV-së, dhe se dyshimi i tij, kishte qenë ta pengonin hapjen e një reparti.

Sipas dëshmitarit, sipas zinxhirit komandues togeri Shala kishte biseduar me njërin ndaj tyre dhe se qëllimi i tyre kishte qenë pengimi i dërgimit të personave që kishin qenë të arrestuar në atë periudhë, në qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës.

Pas kësaj, ai tha se ishin larguar dhe kishin qëndruar në një distancë për të përcjellë situatën, dhe në ndërkohë togerit tha se i kishte ardhur një kërkesë për të verifikuar se a ishin tre personat në dhomat e tyre, që sipas tij njëri nga ta kishte qenë Sami Lushtaku.

Ai tha se informatat që ishin pranuar kishin shkuar përmes togerit Shala.

“Shkuam në repart me kolegun, tek dera ka qenë zyrtari korrektues të cilin për herë të parë dhe të fundit e kam parë aty, e kemi pyetur emrin e tij fillimisht nuk ka qenë bashkëpunuar por më vonë pasi kanë ardhur njësitë tjerë është identifikuar se ka qenë Bashkim Dervisholli. Nga ana e togerit është pyetur se a është pacienti në dhomën e tij ai është përgjigjur se është brenda edhe pse i kemi thënë se ne duhet me verifiku pasi dyshimet janë se i njëjti nuk është brenda ai e ka bllokuar derën dhe nuk ka lejuar me hy, arsyeja e tij ka qenë se Sami Lushtaku është brenda dhe se ju nuk keni të drejtë me hy”, ka deklaruar dëshmitari.

Sipas tij, togeri Shala kishte komunikuar me komandantin e stacionit dhe iu ishte dhënë urdhër që verifikimi duhet të bëhej, dhe më pas sipas tij, togeri Shala kishte urdhëruar gardianin që të lirojë derën që të verifikojë nëse ishte Lushtaku aty, ku pas refuzimit tha se ishin detyruar që ta largonin me forcë oficerin duke e tërhequr derën.

“Unë personalisht nuk kam hyrë brenda, por ka hyrë togeri, ka verifikuar se brenda në dhomë nuk gjendet personi”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, togeri Shala kishte verifikuar gjendjen dhe më pas kishte ardhur komandanti i stacionit Binak Berisha me disa persona të tjerë, ku pas ardhjes së tyre tha se kishte shkuar në repartin e kirurgjisë plastike me komandantin Berisha, së bashku me policin hetues Fatmir Abiti, në të cilin repart tha se ishte verifikuar njeri prej personave që ishte dashur të jetë në atë repart.

Atë ditë tha se ai nuk e kishte parë Sami Lushtakun dhe tha se nuk e dinte nëse kishte pasur urdhër arrest me shkrim për Lushtakun, por tha se vetëm i kishin zbatuar urdhrat e eprorit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lushtaku e ballafaqoi dëshmitarin me një pjesë të deklaratës së dhënë në polici ku kishte deklaruar se kur nuk e kishin gjetur Lushtakun në dhomë, oficeri u kishte deklaruar se ai mund të ishte në ndonjë repart tjetër për kontroll mjekësore, lidhur me këtë dëshmitari tha se nuk i kujtohej.

Në seancën e së mërkurës pritet të dëgjohen edhe disa dëshmitarë lidhur me këtë rast.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi