Zyrtari policor kërkon të lirohet nga akuza për marrje ryshfeti, prokuroria kërkon dënimin e tij

IMG_0068
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Janar 20, 2020

Ferizaj – Të hënën, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku për marrje të ryshfetit po akuzohet zyrtari policor, Muhamer Miftari.

Në këtë rast, për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe zyrtari tjetër policor, Hyzer Dugolli, i cili pas pranimit të fajësisë në seancën fillestare të mbajtur më 11 tetor të vitit 2019, është dënuar me nëntë muaj burg dhe 500 euro gjobë.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit, Veton Shabani, ka thënë se pas administrimit të provave gjatë shqyrtimeve gjyqësore, është vërtetuar në mënyrë të plotë se i pandehuri Miftari, e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Ai i ka propozuar trupit gjykues që të pandehurin Miftari ta shpall fajtor, dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal të paraparë me ligjin.

Këtë propozim, e ka mbështetur edhe i dëmtuari Bekim Rexhaj, i cili po ashtu ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Miftari, avokati Avni Ibrahimi, i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave, klienti i tij të lirohet nga akuza.

“Pas shqyrtimit të provave të cilat janë prezantuar dhe administruar, dhe atë, duke u nisur nga deklarata e të dëmtuarit Rexhaj, dëshmitarit Hyzer Dugolli, si dhe mbrojtjes së të pandehurit Miftari, rezulton se nuk ka prova që tregojnë se në ngjarjet të cilat janë objekt i shqyrtimit të këtij procesi, klienti im ka ndërmarr veprime të cilat mund të trajtohen si veprime të marrjes së ryshfetit. I propozojmë trupit gjykues që në mungesë të provave, i pandehuri të lirohet nga akuza”, ka thënë Ibrahimi.

Seanca e radhës është caktuar më 23 janar 2020, në ora 10:30, ku pritet të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të pandehurit Hyzer Dugolli dhe Muhamer Miftari akuzohen se nga 5 deri më 13 shtator 2019, në Shtime, në cilësi të personave zyrtarë, policë në Stacionin Policor në Shtime, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe duke mos vepruar në pajtim me detyrat zyrtare, kishin kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Bekim Rexhaj.

Siç thuhet në aktakuzë, nga i dëmtuari kishin kërkuar shumën prej 400 euro, me qëllim që të mos e ekzekutonin aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Divizioni për Kundërvajtje, për zbatim të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit të kategorisë “B”, në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 shtator 2019, rreth orës 12:45, në restorantin “Globus”, i pandehuri Dugolli kishte pranuar katër kartëmonedha nga 100 euro nga i dëmtuari, dhe atë, për vete dhe për kolegun e tij, të pandehurin Miftari, të cilat kishin qenë të vendosura në një pako të cigareve, me ç’rast, nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës ishte arrestuar në flagrancë.

Për këtë, ata akuzohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfeti”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi