Zyrtari policor dëshmon në gjykimin ndaj pylltarit që akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Nëntor 14, 2019

 

Mitrovicë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar zyrtari policor, Sead Azemi, i cili e kishte hetuar rastin për të cilin për dy vepra penale të korrupsionit, keqpërdorim detyre dhe marrje të ryshfetit po akuzohet pylltari, Ismet Tahiri.

Dëshmitari Azemi ka thënë se së pari kishte kontaktuar me të pandehurin tjetër, Sylë Fejza, i cili kishte deklaruar se pylltari, Tahiri i kishte kërkuar para për të punuar në mal.

Ai ka thënë se i pandehuri Fejza kishte pasur edhe incizim të bisedës ku i pandehuri Tahiri, i kishte kërkuar para.

Në këtë seancë, prokurori Naim Beka, ka bërë fjalën hyrëse, me ç` rast ka deklaruar se nga procedimi i dëshmitarëve dhe provave tjera materiale do të vërtetohen qartë veprimet inkriminuese të pandehurit Tahiri.

Në anën tjetër, mbrojtësi të pandehurit, avokati Skender Musa, ka thënë se nuk ka asnjë provë të ligjshme.

Avokati Musa ka deklaruar se në shkresat e pranuara nuk ka asnjë vendim mbi fillimin e hetimeve, si dhe ka shtuar se policia është dashtë t`ia konfiskojë paratë të pandehurit Tahiri, në rast se i ka marrë.

Meqenëse, ishte koha e pauzës, ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, avokati Musa deklaroi se ka një seancë tjetër në ora 13:30, në Prishtinë, ka kërkuar që seanca të shtyhet.

Gjykatësi Radosllav Markoviq, e ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të të pandehurit dhe seancën e radhës e ka caktuar më 12 dhjetor 2019, në ora 10:00, ku do të vazhdohet marrja në pyetje e dëshmitarit.

Në këtë rast, për pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, akuzohet edhe Sylë Fejza, i cili e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 nëntor 2018, Ismet Tahiri, po akuzohet se më periudhën kohore Prill-Maj 2016, në fshatin Zabërgj të Komunës së Mitrovicës, në cilësinë e personit zyrtar, në rastin konkret pylltar, ka pranuar përfitim për vete nga Nimon Fejza.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiri duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij, ka lejuar që personi Nimon Fejza, pa leje përkatëse të presë dru në vendin e quajtur te “Kërshat e këqij” dhe të njëjtat t’i transportojë për t’i shitur në Mitrovicë, ashtu që për çdo transporti nga Fejza, për katër raste ka pranuar shumën prej 50 euro, e që gjithsej shuma e parave të kërkuara dhe të pranuara arrijnë vlerën 200 euro.

Ndërkaq, në  pikën e dytë të aktakuzës, Ismet Tahiri po akuzohet se në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij, pavarësisht se në cilësinë e pylltarit ka pasur për obligim që të mbrojë pyllin shtetëror  nën mbikëqyrjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Tahiri nga veprimet e tij, i ka sjellë dobi Nimon Fejzës ashtu që në katër raste drurët e prera i ka bartur me kamion dhe i ka shitur më pas në Mitrovicë, në shumë prej 500 euro për secilin, duke i shkaktuar dëm Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Me këtë, Ismet Tahiri, po ngarkohet për kryerjen e veprave penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 dhe veprën penale “keqpërdorim i i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422  paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e cila i referohet të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sylë Fejza, këtë të fundit e ngarkon me veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fejza, më 8 qershor 2016, u ka bllokuar rrugën personave zyrtarë dhe atë pylltarëve Ismet Tahiri dhe Ramadan Salihu, të cilët thuhet se ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare, ashtu që përderisa ishin duke lëvizur me automjetin zyrtar, i akuzuari Fejza, e kanos  pylltarin Ismet Tahiri, duke e sharë dhe duke iu vërsulur, e që siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit detyrohen që me automjetin zyrtar të futen në një rrugë anësore dhe të rikthehen përsëri në rrugën kryesore.

Me këtë,  Sylë Fejza ngarkohet me veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” nga neni 409 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi