Zyrtari policor deklaron se njëri nga të akuzuarit ia kishte shqyer xhaketën duke tentuar ta pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- I dëmtuari-dëshmitari N.K. deklaroi se i akuzuari i parë, Xh.H., e kishte penguar në kryerjen e detyrave zyrtare të njëjtin, pasi e kishte kapur për xhakete dhe kishte tentuar ta tërheqë drejt turmës së personave që tentonin të hynin në stadium, gjatë një ndeshjeje futbolli në vitin 2016 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”.

Në këtë rast, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, bashkë me Xh.H po akuzohet edhe K.Z, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Stojanka Kasaloviq, se çfarë kishte ndodhur ditën kritike, i dëmtuari-dëshmitari K. deklaroi se kishte qenë në detyrë si zyrtar policor i njësisë së patrullimit të Stacionit Policor të Jugut në Mitrovicë.

Atë ditë me detyrë ishte dërguar në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, për të ofruar siguri në një ndeshje futbolli mes dy ekipeve të femrave, së bashku edhe me policë të tjerë.

“Deri në fund të lojës ka qenë gjithçka në rregull, dhe pastaj në minutat e fundit të lojës kanë tentuar shikuesit me hy në fushë, por ne kemi arrit me përfundua detyrën tonë në mënyrë të rregullt, po ashtu aty ka qenë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë dhe kemi qenë më të vëmendshëm me përcjell situatën prej atyre minutave”, deklaroi zyrtari policor.

Tutje, ai shtoi se tek hyrja e korridorit të zhveshtoreve të lojtarëve, janë grumbulluar një numër njerëzish të cilët kishin tentuar të hynin brenda në stadium.

I dëmtuari-dëshmitari K. tha se në momentet kur kishte tentuar të evitonte turmën dhe të mbyllte dyert e korridorit, i akuzuari Xh.H. e kishte kapur për xhakete dhe kishte tentuar ta tërheqë drejt masës së njerëzve që po qëndronin në hyrje.

“Në ato momente kanë intervenuar edhe kolegët tjerë që kanë qenë aty dhe të akuzuarin H. më tutje e kemi shoqëruar në stacion”, shtoi zyrtari policor.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit të rastit Nikolla Petronijeviq, nëse në turmën e njerëzve që kishin tentuar të hynin në stadium kishte qenë edhe i akuzuari i dytë, K.Z, i dëmtuari-dëshmitari deklaroi se nuk është i sigurt nëse e kishte parë të njëjtin.

Tutje, i akuzuari i parë Xh.H deklaroi se këtu qëndron një gabim dhe se ai nuk e ka penguar zyrtarin policor N.K. në kryerjen e detyrës zyrtare.

Meqenëse në shqyrtimin e sotëm gjyqësor mungonte dëshmitari B.F, pjesëtar në Njësitin për Reagim të Shpejtë, i cili po ashtu kishte qenë prezent në ditën kritike, seanca e sotme u shty për datën 20 qershor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 18 shkurt 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Xh.H.dhe K.Z, sepse i akuzuari i parë me datë 7 maj 2016 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, me përdorim te forcës i ka penguar policët e stacionit policor Mitrovicë – Jug në kryerjen e detyrave zyrtarë, të cilët kanë bërë sigurimin e ndeshjes në mes të Klubit Futbollistik të femrave “Trepca” dhe Klubit Futbollistik të femrave “Ajvalija”.

I njëjti pasi u krijua turma dhe përleshja ne stadium në mes të lojtarëve dhe publikut, fillimisht ka tentuar që me dhunë të hyjë në zhveshtore të gjyqtarëve, edhe pse disa herë eshte urdhëruar që të largohet nga aty, i njëjti nuk e ka bërë këtë, por vazhdimisht i ka penguar policët duke refuzuar që të largohet nga aty.

Tutje, i njëjti në një moment e ka kapur për xhakete policin N.K., duke tentuar që ta godasë dhe dukë e shtyrë ia ka shqyer xhaketën N.

Me këtë ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409 par.5 lidhur me par. 1 të KPRK-s.

Ndërsa në pikën e dytë të aktakuzës, K.Z se me datën 7 maj 2016 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, me përdorim të forcës i ka penguar policët e stacionit Mitrovicë – Jug në kryerjen e detyrave zyrtare, të cilët kanë bërë sigurimin e ndeshjes në mes të Klubit Futbollistik të femrave “Trepca” dhe Klubit Futbollistik të femrave “Ajvalija”.

I njëjti, pasi ka ndodhur konflikti në mes lojtarëve të dy klubeve, fillimisht i ka goditur lojtaret e KF Ajvalija, e pastaj është larguar, duke u kthyer pas një kohë prapë.

Sipas aktakuzës, i njëjti është nisur në drejtim të Njësisë për Reagim të Shpejtë, i ka fyer dhe sharë duke i kundërshtuar urdhrat e tyre që të largohet nga vendi, pasi i njëjti kishte ardhur deri te vendi ku kanë qenë të vendosur lojtaret dhe zyrtarët e ndeshjes, i ka rezistuar dhe i ka penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të tyre në kuptim të sigurimit të ndeshjes.

Me këtë ka kryer veprën penale – Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.5 lidhur me par. 1 të KPRK-s./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë