Zyrtari në Gjilan mohon fajësinë se në vazhdimësi falsifikoi dokumente zyrtare

86696791_489819298374189_8884822270539726848_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 18, 2020

Gjilan – Zyrtari i tatimit në pronë, në Komunën e Gjilanit, Bekim Korça, të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka mohuar fajësinë për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Ai po akuzohet se si person zyrtar, në vazhdimësi ka falsifikuar dokumente zyrtare, përkatësisht vërtetime mbi kryerjen e pjesshme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta, me qëllim që personat e caktuar t’i ikin pagesës së tatimit në pronë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Kadriu, i akuzuari Korça ka mohuar fajësinë me të cilën e ngarkon akti akuzues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Islam Thaçi, e ka njoftuar të akuzuarin bashkë me mbrojtësin e tij, avokatin Hamdi Jashari, se kanë të drejtën e kërkesës në afat prej 30 ditësh, për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Seancën e radhës, gjykatësi Thaçi, e ka shtyrë në kohë të pacaktuar, duke thënë se palët do të ftohen me ftesa të rregullta gjyqësore.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 31 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Bekim Korça, me arsyetimin se ai si zyrtar i tatimit në pronë, në Komunën e Gjilanit, në vazhdimësi ka falsifikuar dokumente zyrtare-vërtetime mbi kryerjen e pjesshme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta me qëllim që t’i ikin pagesës së tatimit në pronë.

Sipas prokurorisë, i akuzuari më 8 gusht 2018, ka lëshuar vërtetim me nr. 17022, në emër të tatimpagueses Hixhrete Krasniqi, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Xhemlie Krasniqi për kundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatiminpaguesen.

Sipas aktit akuzues, Korça, më 18 janar 2019, ka lëshuar vërtetim me nr.1181, në emër të tatimpaguesit Ismail Ahmeti, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Ajet Ahmetit, përkundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatimpaguesin, ndërkaq më 21 janar 2019, ka lëshuar vërtetim me numër 1280, 2019.00880RO në emër të tatimpaguesit Adriatik Abdullahu, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Gazmend Abdullahu, përkundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatim paguesin.

Prokuroria pretendon se, i akuzuari më 21 janar 2019, ka lëshuar vërtetim me nr.1257, në emër të tatimpaguesit Mexhid Xhelili, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Ali Xhelili, për kundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatimpaguesin, ndërsa më 15 shkurt 2019, ka lëshuar vërtetim me nr.2879, në emër të tatimpaguesës Ajshe Murati, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin Edmond (Ajshe) Murati, përkundër që nuk ka lidhje me tatimpaguesin.

Gjithnjë sipas prokurorisë, më 15 shkurt 2019, Korça ka lëshuar vërtetim me nr.2905, në emër të tatimpaguesës Hyrije Bekteshi, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Avni (Hyrije) Bekteshi, përkundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatimpaguesin, e të cilat janë përdorë për regjistrimin e automjetit, në atë mënyrë që në vend që të lëshon vërtetim me përmbajtje të vërtetë, për personin konkret, i njëjti ka gjetur në sistem ndonjë person me mbiemër të njëjtë i cili nuk ka pasur obligime tatimore, dhe në të njëjtin vërtetim ka futur emrin e parashtruesit të kërkesës, e ka shtypur nga sistemi dhe të njëjtin vërtetim e ka nënshkruar, me qëllim të përdorimit të tij si dokument origjinal.

Me këtë, Bekim Korça akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, 1.4 dhe 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi