Zyrtari i Telekomit thotë se në kontratën me Z-Mobile nuk ishin paraparë shërbimet 3G dhe 4G

PTK
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Gusht 22, 2019

Prishtinë – Ish-menaxheri i sigurimit të të hyrave në njësinë “Vala”, Arben Shabani, ka deklaruar se në kontratën me kompaninë Z-Mobile nuk ishin paraparë shërbimet 3G dhe 4G.

Një deklarim të tillë, Shabani e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe të akuzuarve Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordi të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.

Dëshmitari Arben Shabani, i cili tani ushtron pozitën e këshilltarit të kryeshefit për çështje komerciale, tha se kishte marrë pjesë në disa takime që i kishin pasur përfaqësuesit e PTK-së dhe të Z-Mobile, të cilat kishin qenë për barazimet financiare tre mujore si dhe për dhënien e bllokut të numeracionit dhe shërbimeve 3G dhe 4G, ku për këto të fundit tha se kishin qenë si rezultat i kërkesës së Z-Mobile, për dhënien në dispozicion të këtyre shërbimeve.

Në pyetjen e prokurorit special, Naim Abazi se a ishin dhënë këto shërbime sipas kërkesës, dëshmitari ka thënë se shërbimet nuk ishin dhënë, pasi kishte qenë qëndrim kolektiv i Telekomit se këto shërbime nuk ishin të cekura apo specifikuara në kontratën bazë.

“Edhe në vet kontratë të paktën asnjëherë nuk është përmendur fjala shërbimet 3G dhe 4G. Telekomi në mënyrë decidive nuk ka qenë për të mos i dhënë këto shërbime, por pa asnjë aneks shtesë siç e parasheh edhe kontrata bazë mos ti jepen me automatizëm. Vet fakti se janë mbajtur takime rreth kësaj mes palëve, nuk mund të themi se kanë qenë refuzues nga ana e Telekomit”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se kur i akuzuari Ejup Qerimi kishte qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së e kishte thirrur në zyre dhe e kishte pyetur se pse nuk ishte ndërprerë kjo kontratë, pasi sipas dëshmitarit,  qëndrimi i të akuzuarit Qerimi kishte qenë se një kontratë ose duhet të shihet në frymën e partneritet, ose si e tillë duhet të ndërpritet.

Këtë përgjigje, Shabani e ka dhënë pasi kur është pyetur nga prokurori special Naim Abazi se a kishte pasur ndonjë kërkesë prej ndonjërit nga kryeshefat për ndërprerjen e kontratës mes PTK-së dhe Z-Mobile, ai kishte deklaruar se nuk i kujtohej, por kishte përmendur se në vitin 2010, Telekomi kishte pranuar një letër nga Monako që të bëhej kujdes ndaj numrave të Z-Mobile, prandaj sipas dëshmitarit, këtu kishin kishte filluar ngrirje e raporteve edhe pse kontrata kishte vazhduar pa probleme.

Për shkak të kësaj përgjigje, prokurori Abazi e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë në polici me 15 maj 2017, në të cilën deklaratë ai kishte thënë se në kohën e Shyqeri Haxhës nuk kishte ekzistuar kontratë, ndërsa në kohën e të akuzuarit Qerimi, ai i kishte kërkuar llogari se përse nuk ishte ndërprerë kontrata e lidhur mes PTK-së dhe Z-Mobile.

“Po është deklarim i saktë, por mendoj se është i mangët, është e vërtetë se më ka kontaktuar në zyrë Ejup Qerimi, qëndrimi i tij ka qenë një kontratë ose duhet të shihet në frymën e partneritetit ose duhet të ndërpritet si e tillë”, është përgjigjur dëshmitari.

Ai tha se kishte qenë njëri nga anëtarët e komisionit për barazimin e të hyrave dhe çështjes financiare mes PTK-së dhe Z-Mobile, dhe se kishte qenë pjesë e ekipit kur çështja ishte ngritur në Gjykatën e Arbitrazhit.

Për kontratën në fjalë sa i përket të hyrave, ai tha se për herë të parë e kishte pasur në posedim në zyrën e ish-kryeshefit ekzekutiv Shyqeri Haxha, në prezencë të Elvis Pistës dhe Rexhë Gjonbalajt.

Kompetent për implementimin e kësaj kontrate, dëshmitari tha se kishte qenë bordi i drejtorëve, kryeshefi ekzekutiv dhe menaxhmenti, por sipas tij, kjo kontratë ishte dashur të monitorohej, të përcillej nga vet bordi dhe aksionarët.

Prokurori Abazi e ka pyetur dëshmitarin se a kishte dhënë afat Gjykata e Arbitrazhit që të zgjidhnin mosmarrëveshjet, ai ka thënë se kishin pasur afat, por sipas tij, bindja e Telekomit se nuk i takonin shërbimet dhe shtyrja e procesit kishte bërë që inercioni ndër vite të ishte më i madh se koha sa kishte dhënë arbitri për një marrëveshje.

“Po afat ka pasur, mirëpo të dy palët kanë heshtur”, ka qenë përgjigja e dëshmitarit që e kishte dhënë në deklaratën në polici, për të cilën pranoi se ashtu kishte deklaruar.

Në pyetjen e të akuzuarit Gjonbalaj se a kishte qenë bordi organ vendimmarrës apo ekzekutiv, ai ka thënë se bordi nuk ishte organ ekzekutiv.

Ai tha se me vendim të Arbitrazhit, Telekomi ishte penalizuar me gjobë, dhe pasi Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), me vendimin e tij që PTK ishte obliguar që Dardafonit t’ia ofron shërbimet si dhe numrat e ri telefonik, sipas tij më mirë do të kishte qenë që në atë kohë të jepen shërbimet, e pastaj të paditet ARKEP për mendimet e tij, apo të kërkohet interpretim në instancat tjera shtetërore, pasi sipas tij, dëmi do të ishte më i vogël ose nuk do të kishte dëm fare.     

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj se gjithë situata që kishte ndodhur a kishte qenë për fajin e vendimit të ARKEP-it që kishte shkuar në Arbitrazh apo për moszbatim të kontratës së përpiluar, ai ka thënë se gjeneza ishte të vet përmbajta e kontratës dhe interpretimit të ARKEP-it.

Ndryshe, në seancën e së enjtes deklaratën e saj e ka dhënë edhe menaxherja për çështje ligjore të rregullatorit në PTK, Valbona Tahiri, e cila tha se nuk kishte qenë pjesë e ekipit, e as përpilimit të kontratës së lidhur mes PTK-së dhe Z-Mobile, por tha se ishte në dijeni se ishte lidhur kjo kontratë si dhe për mosmarrëveshjet që kishin pasur këto dy kompani në çështjen e numeracionit.

Ajo tha se PTK-ja sipas vendimit të ARKEP-it, kishte bërë rezervimin e numracionit 0457, vendim i cili sipas saj ishte zbatuar në mënyrë vullnetare nga ana e PTK-së.

Mirëpo, në pyetjen e prokurorit Abazi se pse ishte kontestuar ky vendim nga ana e PTK-së, ajo tha se ky vendim kishte qenë konfuz, për arsye se në pikën 1 të vendimit ishte përcaktuar që të bëhet rezervimi i atij blloku, mirëpo në arsyetim ARKEP-i kishte lënë hapësirë që të kuptohet edhe si ndarje e numeracionit.

Për këtë çështje ajo tha se kishin mbajtur edhe takime në ARKEP, në mënyrë që të interpretonin këtë vendim, për të cilin tha se ekzistonin edhe disa shkresa pasuese ku në njërën prej tyre, ARKEP e kishte definuar qartë rezervimin dhe ndarjen apo alokimin e numeracionit

Ajo tha se numeracioni 0457, nuk ishte ndarë, por vetëm ishte rezervuar, pasi ashtu ishte kërkuar në vendimin e ARKEP-it.

“Këta numra vetëm janë rezervuar, pasi ashtu thuhet edhe në këtë vendim të ARKEP-it dhe ne i kemi rezervuar ata numra, nuk ka pasur vendim tjetër, ka pasur vetëm shkresa sqaruese dhe interpretuese të këtij vendimi, pasi ka qenë pak konfuz, dhe pas sqarimit ky vendim ka pasur të bëjë vetëm me rezervim të numeracionit e jo edhe të ndarjes”, ka thënë dëshmitarja.

Plani i numeracionit të këtyre numrave ajo tha se ishin burim i kufizuar, i cili aprovohet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa rregullatori këta numra vetëm i kishin në menaxhim, dhe pas kërkesës së operatorëve të interesuar, pas shqyrtimit rregullatori jep vendim për alokim ose për rezervim, ku sipas saj këta numra kishin qenë të alokuar për PTK-në.

Në kontratën e lidhur mes PTK-së dhe Z-Mobile, dëshmitarja tha se ishte parashikuar që blloku i numeracionit 0455 dhe 0456 të jepen në shfrytëzim Z-Mobile, ndërsa për numeracionin 0457, ajo tha se nuk e kishte parë që figuronte në këtë kontratë.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 10 tetor 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Sipas aktvendimit të gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës  ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt, ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro dhe 65.000 funte.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordi t të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së. /Betimipërdrejtësi