Zyrtari i ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc” sërish deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim pozite

IMG_5745
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Prill 6, 2021

Prishtinë – Zyrtari i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, Lulzim Beqiraj sërish është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ky është deklarimi i dytë lidhur me fajësinë që i akuzuari Beqiraj e ka bërë në shqyrtim fillestar, si pasojë e ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues në këtë rast.

Pas leximit të aktit akuzues nga prokurorja Dulina Hamiti, i akuzuari Beqiraj mohoi në tërësi veprën penale që atij i ngarkohet.

“Nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari Beqiraj.

Kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi njoftoi palët se brenda 10 ditëve ata kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime për provat dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Për kundërshtimet eventuale, sipas gjykatësit Ajvazi, do të vendoset jashtë seance, pasi që shqyrtimi i dytë në këtë rast nuk do të mbahet.

Ndryshe, kjo çështje penale ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësi Vesel Ismajli, e më pas ka kaluar tek gjykatësi Alban Ajvazi, si pasojë e avancimit në Departamentin Special të gjykatësit Ismajli.

Sipas aktakuzës së ngritur me 11 maj 2016,  i pandehuri Lulzim Beqiraj, me datën 25 nëntor 2013, rreth orës 11:00 derisa ka qenë në detyrë zyrtare duke drejtuar veturës e markës “Hunday- Acet”, pronë e ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc” sh. a Prishtinë, ka shkaktuar vetaksident duke dëmtuar veturën dhe për këtë nuk e kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.

Aktakuza thotë se i njëjti ka keqpërdorur pozitën zyrtare apo autoritetin zyrtar, duke e dërguar veturën zyrtare të aksidentuar në fshatin Bardhosh, Komuna e Prishtinës, në një autoservis privat për rregullim, ku nga dëmtimi i veturës, të njëjtës i kanë munguar radiokasetofoni dhe bateria, e cila veturë nga dëmtimi ka mbetur në gjendje të paaftë për vozitje dhe riparim e me ç’rast të dëmtuarës ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 2,799 euro. /BetimipërDrejtësi