Zyrtari i ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër Lepenc” deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim pozite

121463943_370356004340162_4297413273686982081_n
Author

Raporton: Medina KADRIU

Tetor 14, 2020

Prishtinë – Në seancën e së mërkurës, zyrtari i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, Lulzim Beqiraj është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas leximit të aktit akuzues nga prokurorja Dulina Hamiti, ai ka deklaruar se e kupton aktin akuzues dhe nuk ka nevojë për sqarime, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, ai është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë nga ana e organit të ndjekjes.

“Unë mendoj se nuk e kam keqpërdor detyrën zyrtare për arsye se unë kam bo vetaksident  me veturën e ndërmarrjes publike ‘Ibër Lepenc’ në Prishtinë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, mbrojtësja e tij, avokatja Dafina Osmani ka thënë se do të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Pasi gjykatësi Vesel Ismajli i informoi për të drejtën e tyre që brenda afatit ligjor t’i paraqesin këto kërkesa, ai tha se seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet më 19 nëntor, me fillim nga ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 11 maj 2016,  i pandehuri Lulzim Beqiraj, me datën 25 nëntor 2013, rreth orës 11:00 derisa ka qenë në detyrë zyrtare duke drejtuar veturës e markës “Hunday- Acet”, pronë e ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc” sh. a Prishtinë, ka shkaktuar vetaksident duke dëmtuar veturën dhe për këtë nuk e kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.

Aktakuza thotë se i njëjti ka keqpërdorur pozitën zyrtare apo autoritetin zyrtar, duke e dërguar veturën zyrtare të aksidentuar në fshatin Bardhosh, Komuna e Prishtinës, në një autoservis privat për rregullim, ku nga dëmtimi i veturës, të njëjtës i kanë munguar radiokasetofoni dhe bateria, e cila veturë nga dëmtimi ka mbetur në gjendje të paaftë për vozitje dhe riparim e me ç’rast të dëmtuarës ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 2,799 euro. /BetimipërDrejtësi