Zyrtari i Komunës së Pejës shpallet fajtor për shlyerjen e borxheve të disa tatimpaguesve

haki foto 2
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Dhjetor 2, 2019

 


Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të hënën, e ka shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zyrtarin e Komunës së Pejës, Haki Kartallozi.

Kartallozi akuzohet se si zyrtar komunal kishte ndërhyrë në sistemin kompjuterik të kolegëve të tij, me qëllim që t’i shlyejë obligimet tatimore të tatimpaguesve në Komunën e Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, i akuzuari është dënuar me gjashtë muaj burg, mirëpo njëherësh ai është njoftuar për mundësinë ligjore, që dënimi me burgim mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumë prej pesëmijë euro.

Sipas aktgjykimit, Komuna e Pejës, si palë e dëmtuar, është udhëzuar në kontest civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndërkaq, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 8 shkurt 2018, i akuzuari Kartallozi, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës të ngritur më 10 nëntor 2017 dhe të ndryshuar më 27 nëntor 2019, Haki Kartallozi, akuzohet se nga fillimi i muajit qershor 2016, e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, përmes programit “Free Keylogger”, program ky i cili shërben për vjedhjen e fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e zyrtarit Gani Toska dhe po ashtu me kompjuterin e tij personal, përmes programit “Protaks”, hyn në sistem kompjuterit të zyrtares për tatim në pronë, Makfirjete Limani dhe arrin t’i shlyejë obligimet tatimore të dëshmitarëve Jahja Kelmendi, Enver Avdyli, Arben Kelmendi, Naser Belegu, Vesel Morina, Rakibe Kelmendi, Atdhe Kelmendi dhe Valdet Berisha.

Aktakuza e ngarkon se me këto veprime kishte shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në shumë prej 18 mijë e 275.98 euro.

Kurse, në aktakuzë thuhet se në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari Besim Gashi, kishte marrë shumën e të hollave prej 170 euro për të shlyer obligimin e tij tatimor.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi