Zyrtari i Komunës së Gjilanit dënohet me burg dhe gjobë pasi pranoi fajësinë për marrje ryshfeti (Video)

Author

Raporton: Lirie ALIU

Dhjetor 5, 2018

Gjilan – Një vit burgim efektiv dhe një mijë euro gjobë, e ka dënuar Gjykata Themelore në Gjilan, zyrtarin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Bashkim Bunjaku, i akuzuar për marrje të ryshfetit.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur në seancën e së mërkurës, ku sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Ademi, dënimet do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, duke u llogaritur edhe periudha e paraburgimit, prej 22 qershorit 2018 deri më 20 korrik 2018.

Bunjakut i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik në afat prej një viti, i cili dënim do të fillojë pas vuajtjes së dënimit më burgim, nëse ky aktgjykim do të bëhet i plotëfuqishëm.

Gjithashtu, i akuzuari Bunjaku, është obliguar që të paguaj shpenzimet gjyqësore në shumë prej 50 euro, si dhe shumën prej 50 euro për fondin e viktimave.

Ndërkohë, në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Bunjaku, avokat Enver Halili, njoftoi gjykatën se po të njëjtën ditë, para fillimit të seancës, kishin arritur që të lidhin marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes të akuzuarit në fjalë dhe prokurorit të çështjes, Arben Kadriu.

Në marrëveshjen e lidhur më 5 tetor 2018, në mes prokurorit së rastit, Arben Kadriu dhe të akuzuarit Bashkim Bunjaku, ishte propozuar që i akuzuari të dënohet me dënim me burgim prej gjashtë muajsh, por që ky dënim konform nenit 87 mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Pos dënimit kryesor, sipas marrëveshjes, ishte propozuar që ndaj të akuzuarit Bunjaku, të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Bashkim Bunjaku, avokati Enver Halili, derisa po deklarohej mbi marrëveshjen e pranimit të fajësisë, edhe pse në marrëveshje kishin rënë dakord së bashku me të akuzuarin dhe me prokurorin që të aplikohej dhe dënimi plotësues, gjatë seancës i kërkoi gjykatës që dënimi plotësues mos të aplikohet nga gjykata.

Kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Agim Ademi, e ka refuzuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet nga neni 233 i KPK-ës, ashtu që, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor vazhdon sikurse marrëveshja të mos ishte arritur.

Pas refuzimit të marrëveshjes nga ana e gjykatës dhe pas vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari Bunjaku ka pranuar fajësinë për veprën penale, e cila i vihet në barrë.

“E pranoj fajësinë, jam penduar për veprën e kryer, ndjej keqardhje para juve si trup gjykues, është hera e parë që jam në gjykatë për ndonjë çështje, skam pas ma herët, ju kisha lutur  nëse ka mundësi me një dënim minimal të kthehem në vendin e punës , kërkoj falje dhe nuk do të ndodh kurrë në të ardhmen”, ka thënë i akuzuari Bunjaku.

Prokurori Arben Kadriu, në fjalën përfundimtare ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor.

“Propozoj që i akuzuari  të shpallet fajtor për marrje ryshfeti dhe gjatë matjes së lartësisë së dënimit, propozoj që të merren parasysh gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, po ashtu propozoj që ndaj të njëjtit të shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik”, ka deklaruar prokurori Kadriu.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Bunjaku, avokati Enver Halili, në fjalën përfundimtare, ka kërkuar një dënim sa më minimal për klientin e tij.

“Bashkim Bunjaku ngarkohet për shkak se i njëjti e ka kryer këtë vepër penale nga pamaturia dhe mos vlerësimi i veprimeve të veta. I propozoj gjykatës që me rastin e shqiptimit të sanksionit penal, t’i aplikojë dispozitat e nenit 75 me zbutjen e dënimit. Për dënimin plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbimet publike, propozoj që i njëjti të jetë minimal. Edhe me një dënim të ulët do arrihet qëllimi i dënimit” ka thënë avokati Halili.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 22 korrik 2018, tashmë i akuzuari, Bashkim Bunjaku, në cilësinë e personit zyrtar për tatim në pronë në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet në shumë prej dy mijë eurosh nga Arbër Emini.

Ai akuzohej se në mënyre të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në shumë prej dy mijë eurosh  nga Arbër Emini, që në cilësinë e personit zyrtar në kuadër të autoriteteve të tij të veprojë në pajtim me detyrën ë tij zyrtare, ashtu që ta bëjë pagesën nga llogaria e komunës për kompensim për shpronësimin e tokës së Ragip Rashitit në vlerë prej 65,072,00 euro.

Në aktakuza thuhet se pasi që Ragip Rashitit i është bërë më shumë se gjysma e pagesës së kompensimit, më 22 qershor 2018, në ora 11:45, në Gjilan, në parkingun e “Hib Petrol”, pas marrëveshjes paraprake janë takuar i pandehuri Bashkim Bunjaku dhe i dëmtuari Arbër Emini, ku i pandehuri i merr të hollat nga Arber Emini në shumë prej 2,000 euro, intervenon Policia e Kosovës dhe i njëjti është arrestuar dhe të hollat i janë sekuestruar.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 428 paragrafi 1  të Kodit Penal të Kosovës.