Zyrtari i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike mohon se nga ish-studenti mori 5000 euro ryshfet për ta pajisur me diplomë

IMG-2198
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 15, 2019

Prishtinë – Zyrtari i suspenduar i Shërbimit të Studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ardian Jonuzaj është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

I pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari tjetër, ish-studenti i këtij fakulteti, Agron Limani, i cili po akuzohet për veprat penale “dhënia e ryshfetit”, dhe “falsifikim i dokumentit”.

Ardian Jonuzaj akuzohet se i ka ndihmuar Agron Limanit të pajiset me dy certifikata të falsifikuara, duke marrë nga ai 5.000 euro, me qëllim që të pajiset me diplomë universitare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Dulina Hamiti, dy të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.

“Provat për të cilat bazohet aktakuza janë të manipuluara, keqpërdorim i pozitës zyrtare për mu nuk ekziston. Nuk e ndjej veten fajtor për të tri veprat penale”, është deklaruar i akuzuari Jonuzaj.

Fajësinë për veprat penale “dhënia e ryshfetit”, dhe “falsifikim i dokumentit”, nuk e ka pranuar as ish-studenti i këtij fakulteti, i akuzuari Agron Limani.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, para fillimit të seancës, gjykatësja Musliu-Selimaj ka kërkuar nga prokurorja Hamiti që të sqarohet pozita e të akuzuarit Jonuzaj si person zyrtar, se me cilën bazë dhe me cilat prova kjo prokurori kishte vërtetuar se ai është person zyrtar, si dhe të bëhet precizimi i aktakuzës.

Mirëpo, sipas prokurores Hamiti, i akuzuari Jonuzaj është cilësuar si person zyrtar, pasi Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike është institucion shtetëror, dhe pasi i akuzuari kishte punuar në këtë institucion si zyrtar  i shërbimit të studentëve.

“Ka cilësinë e personit zyrtar ngase punon në këtë fakultet si zyrtar i shërbimit të studentëve dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta sjellim statusin e fakultetit që dëshmon se ky është person zyrtar. Ne mbesim pranë aktakuzës së ngritur”, ka thënë prokurorja Hamiti.

Po ashtu, në këtë seancën mbrojtësi i të akuzuarit Jonuzaj, avokati Afrim Salihu ka kërkuar nga gjykata ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij, pasi sipas avokatit, organi i akuzës i kishte kryer të gjitha hetimet, duke i marrë në pyetje dëshmitarët dhe të pandehurit, prandaj i akuzuari sipas tij, nuk kishte mundësi dhe arsye që të ndikojë në prova materiale.

Këtë propozim e ka kundërshtuar prokurorja Hamiti, ndërsa në fund edhe është refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 29 mars 2019, i akuzuari Ardian Jonuzaj, në cilësinë e zyrtarit të Shërbimit të Studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, me 20 mars 2018 e kishte pajisur të akuzuarin Agron Limani me dy certifikata të falsifikuara, me qëllim që i njëjti të pajiset me diplomë universitare.

Në aktakuzë thuhet se me 2 mars 2018, e kishte pajisur me certifikatën e notave, ndërsa me 20 mars 2018, me certifikatën e diplomës Bachelor i Inxhinierisë Elektrike, mirëpo ishte vërtetuar se këto dy certifikata nuk ishin lëshuar në mënyrë të rregullt, pasi ishin verifikuar në librin e protokollit e këto certifikata nuk ishin regjistruar.

Sipas aktit akuzues, Jonuzaj në kompensimin të lëshimit të këtyre certifikatave kishte marrë shumë prej 5.000 euro nga i akuzuari Limani.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, i akuzuari Agron Limani si student i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i kishte dhënë ryshfet të akuzuarit Jonuzaj shumën prej 5.000 euro, me qëllim që të pajisjet me certifikatën e notave dhe të diplomës.

Në aktakuzë thuhet se Limani ishte pajisur me këto certifikata dhe i kishte prezantuar në fakultet, mirëpo me vendim të 20 dhjetorit 2018, ai nuk kishte arritur të pajiset me diplomë, duke u përjashtuar përgjithmonë nga Fakulteti i të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Prokuroria të akuzuarin Jonuzaj e ngarkon me veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, ndërsa i akuzuari Limani me veprat penale “dhënia e ryshfetit”, dhe “falsifikim i dokumentit”. /Betimipërdrejtësi