Zyrtari i ATK-së thotë se me rastin e refuzimit të ankesës për rimbursim nuk kishte qenë i ndikuar nga inspektori i akuzuar për marrje ryshfeti

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Zyrtari i shqyrtimit të ankesave në Drejtorinë e Ankesave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Amir Bullatovci ka thënë se me rastin e refuzimit të ankesës së të dëmtuarit Sherafedin Gashi, nuk kishte qenë i ndikuar nga inspektori i ATK-së, Bekim Bilalli, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti.

Bilalli po akuzohet se fillimisht kishte kërkuar 1.000 euro ryshfet, pastaj edhe 5.000 euro të tjera nga i dëmtuari Gashi, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së.

Bullatovci në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se kishte qenë kryesues i panelit shqyrtues kur ishte në shqyrtim rasti i ankesës së firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, me pronar të dëmtuarin Sherafedin Gashi.

“Unë kam qenë kryesues dhe dy anëtarët e panelit, vendimi është refuzuar me 7 qershor 2016, dhe sipas dispozitivit të vendimit rasti është shqyrtuar si i pabazë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, ankesa e të dëmtuarit për rimbursim të mjeteve ishte refuzuar për shkak se ajo ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Bilalli, avokatit Sevdali Zejnullahu, ai ka thënë se me rastin e refuzimit të kësaj ankese nuk kishte qenë i ndikuar nga i akuzuar Bilalli.

Ndërsa, në pyetjen e prokurores Dulina Hamiti, se a kishte qenë prezent dëshmitari kur i akuzuari Bilalli i kishte kërkuar ryshfet të dëmtuarit Gashi, ai është përgjigjur “ jo nuk e di”.

Ai ka thënë se i dëmtuari Gashi kishte bërë kërkesën për rimbursim, por e cila kërkesë iu ishte refuzuar nga i akuzuari Bilalli, dhe pastaj ishte hapur procedura e kontrollit tatimor dhe ishte përfunduar nga ky i fundit, ndërsa për procedurën fillestare dëshmitari tha se nuk kishte pasur ankues.

Mirëpo, sipas tij, pas procedurës së kontrollit i dëmtuari ishte ankuar për dy pikat kontestuese.

“Për pikën kontestuese sa i përket rimbursimit, tatim paguesi e ka pranuar një akt administrativ, në momentin që ka ardhur ne departament të ankesave, pala ka qenë i  njoftuar edhe për këtë pikë kontestuese,  kam marrë vendim që të mos e trajtoj pasi ka qenë e pasafatshme”, ka thënë dëshmitari.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismaili a kishte mundur i akuzuari Bilalli t’ia kthejë ose mos t’ia kthejë të dëmtuarit Gashi rimbursimin, dëshmitari ka thënë “jo, sepse kërkesat për rimbursim janë lëndë të cilat më së shumti kontrollohen nga hierarkia udhëheqëse e ATK-së.

Në shqyrtim të ankesës së të dëmtuarit Gashi, dëshmitari tha se i akuzuari Bilalli si inspektor tatimor e kishte dorëzuar dosjen e kontrollit dhe kishte marrë pjesë në seancë dëgjimore.

“Refuzimi i kërkesës për rimbursim është bërë nga inspektori ne vetëm i kemi shqyrtuar ankesën”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se rastet të cilat i shqyrtonin në departamentin e ankesave nuk kishte ndodhur që të shqyrtoheshin në bazë të ndikimeve apo preferencave.

Gjatë shqyrtimit të ankesave, ai tha se zhvilloheshin të gjitha procedurat sipas ligjit, ftoheshin palët në seancë dëgjimore si: tatimpaguesi, parashtruesi i ankesës, zyra ligjore e ATK-së, përfaqësuesi i avokatit të tatimpaguesve të ATK-së dhe bartësit e kontrollit-inspektori i kontrollit.

Sipas tij, afati ligjor për të parashtruar ankesë pala e pakënaqur ndaj vendimit ishte 30 ditë pas pranimit të vendimit nga tatimpaguesi.

Në pyetjen e të dëmtuarit Gashi a ishte e vërtetë se dëshmitari i kishte thënë zyrtarit të tij se pse e kishin dorëzuar çështjen e tij në departamentin e ankesave dhe se pse nuk ia kishin kthyer paratë, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtoheshin pyetjet që ishin bërë në një seancë dëgjimore.

I dëmtuari Gashi ia rikujtoi dëshmitarit një telefonatë që sipas tij e kishte marrë nga dëshmitari për të marrë vendimin me të cilin iu ishte refuzuar ankesa e tij, dhe se në momentin kur kishte shkuar tek zyra e zëvendës drejtorit Bashkim Shala, ai e kishte humbur afatin e ankesës i cili sipas tij kishte skaduar në ditën kur e kishte marrë vendimin.

“Departamenti i ankesave është i obliguar që prej momentit që e pranon një lëndë të nxjerrë vendim prej 60 ditësh, dhe pasi që nënshkruhet vendimi, protokollohet dhe vendoset, dërgohet te nën punësi administrativ për dërgim te pala përmes postës, dhe në rastet kur posta nuk mundet me e gjet vendndodhjen dhe vendimi nuk mbërrin, atëherë posta e kthen vendim mbrapsht, pastaj nëpunësi e thërret ne telefon palën dhe e merr vendimin, pastaj kanë vlejtë edhe 30 ditë tjera për ankesë”, është përgjigjur dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 janar 2018, në ora 9:30.      

Sipas aktakuzës së përpiluar më  27 dhjetor 2017, Bekim Bilalli në cilësinë e personit zyrtar në ATK, me qëllim që t’i sjell vetës përftim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në mënyrë që i pandehuri, në muajin shtator të vitit 2015, është takuar me të dëmtuarin te kafiteria tek pompa e benzinës te lulishtja në Prishtinë, në afërsi të ATK-së-Prishtina 3, dhe i ka kërkuar 1.000 euro për t’ia kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se në takimin tjetër i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarit “me 1.000 euro nuk kryhet puna qysh jemi marr vesh”, duke kërkuar ryshfet shumën prej 5.000 euro nga i dëmtuari Gashi.