ZYRTARËT E QKUK-SË DEKLAROHEN TË PAFAJSHËM PËR MARRJE RYSHFETI, DËSHMON KRYEINFERMIERIA VJOLLCA MALOKU

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar procesi gjyqësor kundër dy zyrtarëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mjekut Petrit Xhaka dhe infermierit Liridon Mehmeti, të akuzuar për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “marrje e rryshfetit”. Në këtë seancë janë dhënë fjalët hyresë dhe ka dëshmuar Kryeinfermierja e Repartit të Hematologjisë dhe Onkologjisë, në Klinikën e Pediatrisë, Vjollca Maloku.

Në fjalën hyrëse prokurorja Fikrije Fejzullahu tha se aktakuza është e mbështetur në prova të mjaftueshme, me të cilat vërtetohet fajësia e të akuzuarve, ndërsa e njëjta deklaroi se ekzistojnë edhe banknotat që janë si pasojë e veprës penale dhe dëshmitë e të dëmtuarit Gazmend Halili.

Pas deklarimit të Xhakës për pafajësinë e tij për atë çka akuzohet, i njëjti në fjalën e tij hyrëse deklaroi se aktakuza është e pabazuar, pasi sipas të njëjtit nuk mund të thirret në keqpërdorim të detyrës zyrtare ,pasi ka punuar jashtë orarit të punës dhe jashtë institucionit dhe atë për të bërë asistencë mjekësore dhe po ashtu i njëjti deklaroi se nuk ekziston asnjë akt normativ që e rregullon transportimin e pacientit prej QKUK-së për shërim jashtë vendit.

Po ashtu i akuzuari Liridon Mehmeti u deklarua i pafajshëm para gjykatës dhe vetëm mbështeti fjalën hyrëse të Xhakës, duke mos shtuar asgjë më shumë.

Në këtë seancë gjyqësore gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Fejzullahu, Maloku deklaroi se të akuzuarin Liridon Mehmeti nuk e njeh fare, ndërsa Xhakën e njeh vetëm si mjek të Klinikës.

Maloku deklaroi se për transportimin e një pacienti nga QKUK-ja për shërim jashtë vendit duhen të përcjellën sipas organizimit të brendshëm të personelit të mjekëve dhe personelit të mesëm që është personeli i infermierisë, ku si rregull pacienti është përcjellë me auto-ambulancë nga një mjek dhe një infermier.

Për rastin e Sumea Halilit, Maloku deklaroi se si kryeinfermiere nuk kishte caktuar askënd që ta përcjellë pacienten e sëmurë, pasi e njëjta kishte shprehur vet dëshirën që personalisht ta merr këtë detyrë, por pastaj ishte njoftuar se është caktuar dikush tjetër përmes organizimit të brendshëm të mjekëve.

Ndërsa se çfarë ka ndodhur më vonë e njëjta deklaroi se nuk ka njohuri, përpos faktit që pacientja është dashur të transportohet në një spital në Tiranë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të 18 shtatorit 2014, të akuzuarit Petrit Xhaka dhe Liridon Mehmeti kanë keqpërdorë detyrën e tyre zyrtare, njëri në cilësinë e mjekut, ndërsa i fundit në cilësinë e infermierit, ku kanë marrë ryshfet nga i dëmtuari Gazmend Halili, babi i pacientes Sumea Halili për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.
Të pandehurit Xhaka dhe Mehmeti kishin kërkuar nga babi i Sumeas shumën prej 100 eurosh për transportimin e saj, gjendja e së cilës ishte shumë e rëndë, mirëpo i njëjti përkundër situatës që gjendej dhe pasi ua ka dorëzuar dy kartëmonedha në vlerë nga 50 euro, lajmëron policinë, ku e njëjta vepron dhe i konfiskon këto dy kartëmonedha nga të pandehurit në fjalë.

Gjykatësi Arben Hoti i njoftoi palët se seanca e ardhshme nuk mund të caktohet, pasi nuk dihet vendi i ndodhjes së të dëmtuarit Gazmend Halili, i propozuar që të dëgjohet para gjykatës, ku pas një njoftimi nga ana e Stacionit Policor për vendndodhjen e tij do të caktohet edhe seanca e radhës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë