Zyrtarët  e  prokurimit  në  Kamenicë  mohojnë të  kenë dhënë tenderin pa plotësimin e kritereve ligjore

Raporton : Syzana REXHEPI

Gjilan- Kanë filluar mbrojtjen e tyre zyrtarët e prokurimit në Komunën e Kamenicës, Hasan Keqmezi, Shaban Kastrati, Irfan Dërmaku dhe Asllan Beqiri, të akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, me arsyetimin se në mënyrë të paligjshme ia kanë dhënë tenderin një kompanie që nuk  i ka plotësuar kriteret.

Në seancën e së mërkurës  të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, para se të mbrohet njëri nga të akuzuarit, ka dëshmuar zyrtari policor Ramadan Ramadani.

Dëshmitari Ramadani tha se gjatë kontrollimit të dosjes së tenderit kishin vërejtur se kompanisë fituese i kishte munguar certifikata e TVSH-së, e cila në shpallje të tenderit kishte qenë njëra nga kriteret për kualifikim. Dhe në këtë rast ishte kualifikuar operatori ekonomik Vizion Projekt pa e pasur certifikatën e TVSH-së.

Ai tha se i kishin intervistuar edhe anëtarët e komisionit edhe menaxherin e prokurimit dhe të njëjtit kishin deklaruar se gjatë kohës së konkurrimit e ka pasur certifikatën e TVSH-së kompania fituese. Por i akuzuari Hasan Keqmezi kishte deklaruar se gjatë kohës së fotokopjimit të dokumenteve ka mundur që të shmanget certifikata e TVSH-së

Në pyetjen e prokurorit se a ka pasur ankesë lidhur me këtë tender, dëshmitari tha se nuk ka pasur asnjë ankese lidhur me këtë tender.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit Hasan Keqmezit. Në mbrojtjen e vet i akuzuari tha se si menaxher i prokurimit i kishte respektuar të gjitha ligjet e prokurimit dhe i kishte formuar komisionet të cilat i kishin kryer detyrat në mënyrë profesionale. Ai tha se raportet e formuluara nga anëtarët e komisionit ishin nënshkruar edhe nga ai sepse nuk kishin pasur asnjë mungesë të dokumentacionit.

“Asnjëherë  s’kam bërë shkelje ligjore dhe funksionin e kam kryer konform detyrave”, tha i akuzuari Keqmezi.

Ndërsa  tre të akuzuarit Shaban Kastrati, Irfan Dërmaku dhe Asllan Beqiri  mbrojtjen e tyre do ta japin  më 1 nëntor 2016,ora 9:00.

Sipas aktakuzës Hasan Keqmezi akuzohet se si Menaxher i Prokurimit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare. Sipas prokurorisë përveç kushteve të tjera për pjesëmarrje në tender të 30 shtatorit 2009, të shpallur nga Zyra e Prokurimit të Komunës së Kamenicës, Keqmezi nuk e ka respektuar garancionin për sigurimin e tenderit prej 3% të vlerës së ofertës, si dhe operatori ekonomik Vizion Projekt që i ka fituar punët nga ky tender nuk i kanë plotësuar kushtet e lartë përmendura.

Shaban Kastrati, Irfan Dërmaku dhe Asllan Beqiri akuzohen se më 22 tetor 2009 si anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Tenderit të 30 shtatorit 2009 në Komunën e Kamenicës me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër, ose për organizatën e biznesit, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë