Zyrtarët e MKK-së të infektuar me Covid-19, shtyhet seanca në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë në fjalë dhe KPMSHCK-së

Gj TH Prishtine 1
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Korrik 14, 2020

Prishtinë – E paditura, Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK), përmes një parashtrese ka njoftuar se disa nga zyrtarët e saj kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19, për çka ka kërkuar shtyrjen e seancës në rastin ku paditësi Muzafer Agushi po kërkon anulimin e vendimit të kësaj ministrie, si dhe të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Në këto rrethana, gjykatësi i Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hajri Hoti, e ka shtyrë seancën e së martës për 2 shtator 2020, në ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas padisë, paditësi dhe MKK kishin lidhur marrëdhënie kontraktuale që nga viti 2006, lidhur me ushtrimin e detyrës “Drejtor i Zyrës për Buxhet dhe Financa”, e cila kontratë kishte qenë valide deri më 31 korrik 2008.

Në padi thuhet se, më 4 janar 2008, MKK e kishte njoftuar paditësin me një vendim ku ndaj tij ishte ushtruar një kallëzim penal, me arsyetimin se nuk kishte kryer detyrën konform dispozitave të Ministrisë, me çka kishte kryer vepër penale, por ndaj tij ishte hedhur aktakuza.

Pas këtij njoftimi, në padi thuhet se paditësi ishte suspenduar nga puna dhe se afati i suspendimit do të zgjaste derisa komisioni i shkallës së parë të merr vendim lidhur me ankesën, i cili komision e kishte aprovuar ankesën dhe paditësin e kishte kthyer në vendin e punës.

Edhe pse me vendim ishte kthyer në punë, të njëjtit thuhet se i ishte ndaluar hyrja në Ministri, ku më pas ishte nxjerrë një vendim lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me paditësin Agushi.

Ndaj këtij vendimi, Agushi kishte ushtruar ankesë, por e njëjta ishte hedhur poshtë nga Komisioni për Ankesa i MKK-së, me arsyetimin se ankesa kishte qenë e pas afatshme.

Pas këtij vendimi, paditësi i ishte drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbime Civile, i cili po ashtu kishte marrë vendim me të cilin e kishte hedhur poshtë ankesën si të palejuar.

Në arsyetimin e vendimit të KPMSHC-së thuhet se, duke u bazuar në provat e dërguara nga ankuesi dhe organi i punësimit ka konstatuar se i njëjti nuk kishte parashtruar ankesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesa në MKK, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda kishte nxjerrë vendim më 26 nëntor 2014, e që është në kundërshtim me afatin e përcaktuar me Ligjin për Procedurën Administrative, ku është përcaktuar se “Ankimi administrativ bëhet brenda 30 ditëve nga dita kur ankuesi ka marrë njoftimin për aktin ose për refuzimin për të nxjerrë aktin”.

Lidhur me këtë, paditësi Agushi po kërkon anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil si dhe anulimin e vendimit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si dhe kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës e deri në plotfuqishmërinë e vendimit. /BetimipërDrejtësi