Zyrtarët e komunës së Gjilanit dhe pronarët e kompanive private deklarohen të pafajshëm për keqpërdorim detyre dhe mashtrim

55587
Author

Raporton: Genta SHEFKIU

Qershor 9, 2021

Gjilan – Shefi i Zyrës së Prokurimit në komunën e Gjilanit, Salih Kqiku, ish-drejtori i Urbanizimit, Valon Shefkiu, udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit, Izet Kurteshi dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike, Ganimete Kastrati, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit për mashtrim, Muhadin Zuka, pronari i kompanisë “Zuka Comerc” si dhe bashkëpronarët e kompanisë “El Bau”, Fatlum e Suad Pireva.

Në këtë rast, për veprën penale të mashtrimit po akuzohen edhe persona juridik, përkatësisht kompanitë “Zuka Comerc” dhe “El Bau”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, të gjithë të akuzuarit kanë mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Tutje, gjykimi ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve si dhe me dëgjimin e dëshmitares Kimete Aliu.

Në fjalën hyrëse, mbrojtësit e të akuzuarve kanë deklaruar se mbesin pranë propozimeve për hudhje të aktakuzës.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Suad Pireva, avokati Naser Sopjani, pas fjalës hyrëse i propozoi gjykatës  që ta vlerësojë mospërputhjen e përshkrimit faktik të dispozitivit 6 dhe 7 të aktakuzës i cili flet për veprën penale nga neni 355 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, ku sipas tij, juridikisht duhet të ishte paragrafi 1 sepse vlera e dëmit të supozuar të paraqitur në aktakuzë është 2,662.26 euro.

Tuje, avokati Sopjani shtoi se për të qenë paragrafi 2, dëmi i shkaktuar duhet të jetë së paku 10 mijë euro.

“Ne i kërkojmë gjykatës që për këtë çështje të kërkoj edhe mendimin e prokurorisë për të konfirmuar saktë se kemi apo nuk kemi të bëjmë më ndonjë gabim teknik gjatë përpilimi të aktakuzës ku është cilësuar vepra penale me e rëndë se siç duhej të jetë,” tha avokati Sopjani.

Po ashtu, ai kërkoi që ndaj të akuzuarve Fatlum dhe Suad Pireva të pushohet procedura penale për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Lidhur me propozimin e avokatit, prokurori Uka tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të shtjellohen edhe prova-ekspertizat lidhur me shumën e dëmit dhe se mbetet në tërësi pranë akuzës.

Ky propozim u refuzua nga kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Agim Ademi, me arsyetimin se prokurori ka mbetur pranë kualifikimit juridik dhe derisa nuk nxjerren provat, është e paqartë se a kemi të bëjmë me lëshim në përshkrim faktik apo cilësimin juridik të veprës penale.

Tutje, seanca e së mërkurës ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitares Kimete Aliu.

Dëshmitarja Kimete Ali, e cila me profesion është inxhiniere e ndërtimtarisë në Drejtorinë e Urbanizimit në komunën e Gjilanit,  deklaroi se në atë kohë ka qenë menaxhere e projekti për lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, por që për shkak të vëllimit të punëve dhe për disa arsyje personale pas një kohe të shkurtër është tërhequr.

Ajo gjatë deklaratës së saj, disa herë ka përsëritur se gjatë asaj kohe nuk i kujohet se si kanë rrjedhur gjërat por se e dinte se i kishte bërë dy raporte me shkrim por nuk i kujtohej të ketë pasur ndonjë parregullsi.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme gjyqësore është shtyrë për datë 22 korrik 2021, në ora 09:00, ku pritet të ndëgjohet eksperti financiar Riza Blakaj dhe dëshmitarët Arsim Ibrahimi dhe Bashkim Bunjaku.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 15 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Salih Kqiku dhe Valon Shefkiu, me arsyetimin se më 14 dhjetor 2015, në Gjilan, me dashje, si persona zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo t’i shkaktojnë dëm personit tjetër ose t’i shkelin të drejtat e personit tjetër.

Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që i pandehuri Salih Kqiku, pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc”, për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin Asfaltimi i rrugës në fshatin “Përlepnicë deri te kompleksi Vali Ranch”, me vlerë të kontratës prej 245 mijë e 825 euro e 89 cent.

Në aktin akuzues thuhet se në projekt ka qenë e paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm, që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07 cm, çka do të thotë se janë shtruar më pak 684.44 ton asfalt e cila sasi do ta mbulonte sasinë e sipërfaqes prej 2.488.89 metra katror, si dhe në bazë të raportit të ekspertit të ndërtimtarisë është vërtetuar se bankina nuk është realizuar sipas projektit që ishte e paraparë të jetë në gjerësi 1 m, kurse matjet në 110 pika në terren të realizuara, të jenë me gjerësi nga 0 cm deri 50 cm, si dhe sipas projektit ishte e paraparë që të ndërtohen 91 m lëshesa gypore me material të rezistueshëm sikurse rruga, kurse në terren ka rezultuar se janë punuar 4 m si në projekt, ashtu që as tani i pandehuri Salih Kqiku dhe as Valon Shefkiu si menaxher i projektit, nuk e kanë përcjellë këtë ndryshim, edhe pse në bazë të ligjit kanë qenë të detyruar ta përcjellin, duke i shkaktuar kështu dëm Komunës së Gjilanit në shumë prej 10 mijë e 702 euro e 23 cent.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, thuhet se të pandehurit Salih Kqiku dhe Valon Shefkiu kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që kanë lidhur aneks kontratë me të cilën është kontraktuar për herë të dytë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc”, duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në para, masa dhe parallogari tjetër, nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7 mijë e 881 euro e 16 cent si dhe objektin (urën) në vlerë prej 15 mijë e 239 euro e 39 cent ,ashtu që për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është bazuar një projekt tjetër, mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut.

Në aktin akuzues thuhet se kostoja për ndërtimin e kësaj ure sipas kontratës ka qenë 13 mijë e 869 euro e 58 cent, ndërsa kostoja e urës sipas aneks kontratës ka qenë 23 mijë e 120 euro e 55 cent. Gjithsejt kostoja e ndërtimit të urës është 36 mijë e 990 euro e 13 cent, ndërsa kosto faktike e ndërtimit të urës krahasuese është 22 mijë e 171 euro e 15 cent, ashtu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14 mijë e 818 euro e 98 cent.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e tretë të aktit akuzues, thuhet se të pandehurit Salih Kqiku, Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati, më 2, 4, 11 dhe 19 shtator 2014, në Gjilan, me dashje, si persona zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo t’i shkaktojnë dëm personit tjetër ose t’i shkelin të drejtat e personit tjetër, në atë mënyrë që anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi dhe Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga zyra e prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit asnjë përgjigje nuk iu kanë dhënë, duke u sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punën e ekzekutuar duke mos prezantuar asnjë dokument për marrjen e masave ndaj punë kryerësit, duke i shkaktuar dëm autoritetit kontraktues, Komunës së Gjilanit në vlerë prej 3 mijë e 496 euro e 33 cent.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e katërt të aktakuzës, thuhet se kompania private “Zuka Comerc” SH.P.K me seli në Gjilan, në cilësi të personit juridik, më 15 korrik 2015, me dashje është përgjegjës për veprën e kryer nga personi përgjegjës, ngase është vërtetuar se veprimi i personit juridik ka qenë në kundërshtim me urdhrat, duke kryer punët joprofesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, ashtu që ka vënë në lajthim Komunën e Gjilanit duke mos iu përmbajtur kontratës së paraparë për ndërtimin pa projekt të urës në shumë prej 14 mijë e 818 euro e 98 cent, me qëllim përvetësimi material në shumë prej 25 mijë e 521 euro e 21 cent, ashtu që projekti për asfaltimin e rrugës në fshatin Përlepincë kap një shumë prej 10 mijë e 702 euro e 23 cent dhe ndërtimin e urës pa projekt në shumë prej 14 mijë e 818 euro e 98 cent, me ç’rast shuma e përgjithshme në përfitimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të Komunës kap vlerën prej 25 mijë e 521 euro e 21 cent.

Në këtë drejtim, thuhet se është kryer vepra penale “mashtrimi”, nga neni 335 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Tutje, dispozitivi i pestë përfshin të pandehurin Muhadin Zuka, i cili më 15 korrik 2015 në Gjilan, si person fizik, përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comerc”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka paraqitur fakte të rreme duke i fshehur të njëjtat, me qëllim përfitimi nga fondet publike, në rastin konkret Komunës së Gjilanit, ashtu që nuk ka realizuar rrugën sipas para masës dhe parallogarisë së kontratës “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë deri te kompleksi Vali Ranch”, me ç’rast Komunës së Gjilanit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 25 mijë e 521 euro e 21 cent.Me këto veprime, ai akuzohet ka kryer veprën penale “mashtrimi”, nga neni 335 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në cilësinë e të pandehurit në dispozitivin e gjashtë të aktit akuzues është kompania private “El-Bau” SH.P.K me seli në Gjilan, pasi pretendohet se më 22 maj 2015 është vërtetuar se veprimi i personit juridik është në kundërshtim me urdhrat e personit juridik dhe se e njëjta është sajuar, duke kryer punët jo profesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, duke mos iu përmbajtur kritereve të parapara me paramasa dhe parametra, në kundërshtim me ligjin për përgjegjësinë e personave juridik, ka vënë në lajthim institucionet gjegjëse duke mashtruar kështu Komunën e Gjilanit, me çka nuk i është përmbajtur kontratës së paraparë, me ç’rast shuma e përgjithshme në përfitimin material me qëllim përvetësimi arrin vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 cent.

Me këto veprime, thuhet se është kryer vepra penale “mashtrimi”, nga neni 335 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e shtatë të saj, të pandehurit Fatlum dhe Suad Pireva, më 22 maj 2015, në Gjilan, me dashje si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau” SH.P.K, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për të apo për personin tjetër të mashtruar, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, në atë mënyrë që me anë të paraqitjes së fakteve të rreme duke i fshehur të njëjtat me qëllim përfitimi nga fondet publike, në rastin konkret Komunës së Gjilanit, të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas paramasës dhe parallogarisë së kontratës “Asfaltimi  i rrugëve në lagjen VIII-Motrat Qiriazi dhe Hasan Tasini, kanalizimi në rrugën Riza Poliqka L-158 m, Malësia krahu nr. 2-L-161 m”, ashtu që sipas llogarisë së kontratës, është paraparë që gjatësia e rrugës “Motrat Qiriazi” të jetë L-857.30 m, kurse sipas raportit të ekspertit të ndërtimtarisë dhe inxhinierit të gjeodezisë, rruga është ndërtuar në gjatësi prej 847 m apo 10 m më pak.

Tutje sipas aktakuzës, trashësia e asfaltit është paraparë të jetë 7 cm, nga ekzaminimet e ekspertit në terren ka rezultuar se nga matjet në 10 pikë në rrugë, shtresa e bito zhavorrit është 6.1 cm që është 0.9 cm, më pak asfalt apo 515.57 metra katror më pak asfalt, ndërsa në rrugën “Riza Poliqka” trashësia e asfaltit është paraparë të jetë 7 cm kurse sipas raportit të ekspertit asfalti është shtruar me trashësi prej 6.38 cm apo 0.62 cm më pak asfalt, të kthyer në metër katror janë 105.84 metra katror më pak asfalt, ashtu që në bazë të mungesës së trashësisë së asfaltit në sipërfaqet e rrugëve, dëmi i shkaktuar Komunës së Gjilanit arrin vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 cent, me qëllim përvetësimi për vete.

Në këtë drejtim, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi”, nga neni 335 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. ./BetimipërDrejtësi