Zyrtarët e AKPPM-së kundërshtojnë aktakuzën për përvetësim të mbi 1 milion euro në emër të avanceve për udhëtime

IMG-9963
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 23, 2021

Prishtinë – Zyrtarët e Agjencionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi-Ahmeti, përmes mbrojtësve të tyre, kanë kundërshtuar aktakuzën për përvetësim në detyrë dhe hyrje në sistemet kompjuterike.

Sojeva dhe Gashi-Ahmeti po akuzohen se në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë mbrojtësit e dy të akuzuarve, avokatët Ali Beka dhe Sevdali Zejnullahu kanë elaboruar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Avokati Ali Beka i cili e mbron të akuzuarin Sojeva, ka thënë se aktakuza mbështetet në prova të pa mbështetshme, me një aktakuzë të ngritur pas afatit ligjor, si dhe me një pezullim të hetimeve që sipas tij, nuk ishte në përputhshmëri me kushtet me të cilat ishte bërë.

Sipas tij, nga një numër të caktuar të personave zyrtar dhe përgjegjës në AKPPM kishin qenë të dyshuarit në këtë rast ndaj të cilëve kishin pushuar hetimet.

Por sipas avokatit Beka, edhe pse të njëjtit kishin dhënë deklarata në cilësi të të dyshuarve, prokurori kur i kishte pyetur në cilësi të dëshmitarëve, iu kishte parashtruar pyetje se a i mbështesnin deklaratat që i kishin dhënë në cilësi të të dyshuarve.

Ai ka thënë se prokuroria nuk kishte arritur të ofrojë prova me të cilat do të vërtetonte aktakuzën ndaj të mbrojturit të tij, pasi sipas avokatit, për secilin hap të ndërmarrë në AKPPM, ishte përgjegjës nga një person zyrtar, deri në tërheqjen e mjeteve.

“Nëse i mbrojturi im me mujt me i ba të gjitha këto veprime pa u hetuar 3-4 vjet kur ka pasur auditimit të jashtëm dhe të brendshëm dhe përkundër asaj me mbet avancet e hapura për vite dhe mos mu hetu, unë mendoj se këtë djalë ishte dashur ta mbrojë shteti”, ka thënë avokati Beka.

Sipas tij, nëse ishin tërhequr mjete të punëtorëve që kanë pasur të udhëtojë, ato mjete ishin dashur të kalonin përmes personave të tjera, derisa të behet tërheqja e atyre mjeteve.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Gashi-Ahmeti, avokati Sevdali Zejnullahu ka mbetur pranë kundërshtimit të paraqitur me shkrim, që sipas tij pas analizimit të tij, ishte i bindur se në asnjë formë nuk do të vërtetohet se e mbrojtura e tij kishte kryer ndonjë veprim inkriminues.

Sipas tij, në këtë rast ishin veçse disa dyshime të cilat lejnë mëdyshje nëse ishte kryer vepra penale apo nga kush ishte kryer,

Por përkundër mbrojtjes, prokurori special Haki Abazi ka thënë se në këtë rast nuk kishte kaluar afati i parashkrimit ashtu siç pretendon mbrojtja, pasi sipas tij ishte bërë kërkesë për vazhdimin e hetimit dhe me 29 shtator 2020, ishte vazhduar afati nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Sipas prokurorit, kjo kishte ndodhur për shkak të vendimit të qeverisë për masat anti-COVID duke u pushuar aktivitetet e institucioneve, dhe se ishin kryer vetëm veprime e personave që kishin qenë në paraburgim.

Por sipas tij, me lehtësimin e masave anti-COVID, edhe pse ishin pezulluar hetimet në këtë rast, me 5 qershor 2020, kishin filluar hetimet ndërsa me 28 nëntor 2020, kishte qenë afati i fundit, ndërsa me 6 tetor 2020, ishte ngritur aktakuza, apo pas një muaji e 28 ditë para përfundimit të afatit të hetimit.

Sipas tij, provat në këtë proces gjyqësor ishin siguruar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe të gjitha provat mbështesin dyshimet se në veprimet e të akuzuarve manifestohen elementet e veprave penale.

Ai në fund tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të dëgjohen 40 dëshmitar për të dëshmuar se në emër të tyre ishin tërhequr mjete të cilat i kishin pranuar të akuzuarit, ndërsa dëshmitarët nuk përpos që nuk i kishin marrë paratë, as nuk kishin udhëtuar.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Veseli njoftoi palët se lidhur me këto kërkesa gjykata do të vendos jashtë seance dhe se vendimi do t’iu dorëzohet palëve në formë të shkruar.

Ndryshe këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili e kishte mbajtur edhe seancën fillestare me 6 nëntor 2020, në të cilën dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Por, pas kalimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Departamentin Special, ky rast i ishte ndarë këtij të fundit.

Për këtë arsye, pasi sipas Kodi Procedural në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues shqyrtimi gjyqësor fillon rishtas, në pajtim me palët gjykata ka kaluar në shqyrtim të dytë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avance i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku në shumën e përgjithshme prej 1,355,441.14 euro, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, të cilat i kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1,221,501.14 euro, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave për disa prej tyre ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290,430.00 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avanceve, sipas PSRK-së, ishin zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1,238,764.00 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173,305.00 euro, të cilët zyrtar kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur pasvordat e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancet në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj-Veseli, shuma prej 553,269.00 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156,750.00 euro dhe Bali Morina shuma prej 20,850.00 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të pasvordeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779,289.00 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1,355,441.14 euro, të tërhequra në emër të avanseve, për 133,940.00 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avanset e tërhequra në vlerë prej 1,221,501.14 euro përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avance ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva i cili i kishte pranuar ato para duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së- Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ëeb shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me pasvord të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancet duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avanceve për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morina.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kupona shpenzimi në vlerë 20,850.00 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avanceve për udhëtime zyrtare 72 kupona në vlerë 154,736.84 euro, në shumë të përgjithshme 175,586.84 euro, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avanceve të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime Sojeva po ngarkohet me veprat penale “përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi-Ahmeti “hyrje në sistemet kompjuterike”. /BetimipërDrejtësi