ZPS thotë se arrestimi i Thaçit është i nevojshëm dhe se askund në Kushtetutë nuk parashikohet imuniteti nga arrestimi dhe ndalimi në lidhje me krimet që bien jashtë fushës së imunitetit funksional të Presidentit

Kosovo President Hashim Thaci takes part in a tribute ceremony at a statue of late Kosovo Liberation Army (KLA) commander in Pristina on June 11, 2020, as the country celebrates the Liberation Day marking the deployment of NATO forces on the ground. (Photo by Armend NIMANI / AFP) (Photo by ARMEND NIMANI/AFP via Getty Images)
Author

Raporton: Medina KADRIU

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara është publikuar një parashtresë tjetër e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, e datës 19 tetor, ku thuhet se arrestimi i Hashim Thaçit është i nevojshëm dhe se askund në Kushtetutë nuk parashikohet imuniteti nga arrestimi dhe ndalimi në lidhje me krimet që bien jashtë fushës së imunitetit funksional të Presidentit.

Në këtë shkresë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS)  thotë se Dhomat e Specializuara kanë autoritetin për të lëshuar dhe zbatuar urdhër arrestin dhe transferimin e Thaçit dhe se arrestimi e paraburgimi i tij është i nevojshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas ZPS-së, një konstatim i tillë nuk kërkon nga gjykatësi paraprak të bëj të pavlefshëm vendimin për imunitet, që është lëshuar para amandamentimit të Kushtetutës dhe nuk aplikohet për Dhomat e Specializuara

“Çdo zbulim i të kundërtës do  të çonte në një rezultat absurd. Nëse Dhomat e Specializuara do të zbulonin se nuk kanë autoritetin për të arrestuar dhe ndaluar Thaçin, atëherë një thirrje për tu paraqitur apo kushte të tjera të ndërlidhura, do të ishin të pazbatueshme”, thuhet në këtë shkresë.

ZPS ka konsideruar se Neni 16 (1)(b), që pasqyron të drejtën zakonore ndërkombëtare, parashikon juridiksionin e Dhomave të Specializuara edhe ndaj krerëve të shtetit, sikur Thaçi.

Tutje, thuhet se në përputhje me nenin 41 të ligjit dhe nenit 162 (8) të Kushtetutës “çdo person i akuzuar për krime para Dhomave të Specializuara mund të mbahet në paraburgim dhe transferohet në dhomat e Specializuara, jashtë territorit të Kosovës”.

“Procedura të drejta dhe efektive duhet të organizohen në një mënyrë që nuk që nuk kërcënon në mënyrë të padrejtë të drejtat e dëshmitarëve dhe viktimave, përfshirë jetën, lirinë dhe sigurinë e tyre, apo interesat e publikut dhe viktimave që krimet ndiqen si duhet”, thuhet në shkresë.

Sipas Jack Smith, për të siguruar procedura të drejta dhe efektive në këtë rast, arresti dhe ndalimi i Thaçit janë të nevojshme për të adresuar rrezikun konkret të arratisjes së tij, pengimin e procedurave, ndërhyrjen te dëshmitarët dhe viktimat, si dhe kryerjen e krimeve të mëtutjeshme.

“Nëse zoti Thaçi do të ishte imun nga arresti apo paraburgimi, aftësia e Dhomave të Specializuara për të ushtruar juridiksionin e saj do të varej nga bashkëpunimi vullnetar i një personi me motive, mjete dhe mundësi për të ndikuar në administrimin e drejtësisë”, thuhet tutje.

Tutje, ka specifikuar pse vendimi për imunitet nuk aplikohet këtu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fillimisht, është lëshuar në 2011,  i paraprin miratimit të nenit 162 të Kushtetutës dhe nuk adreson ose ndikon në autoritetin e Dhomave të Specializuara të shpreh autoritet sipas Kushtetutës dhe ligjit të arrestojë dhe ndalojë z. Thaçi. Së dyti, njohja e vendimit të imunitetit u atribuohet ligjvënësve që miratuan nenin 162 të kushtetutës dhe dështimin të tyre për të krijuar përjashtimin që parashikon vendimi për imunitet mund të lexohet si refuzim i tij. Së treti, neni 162 i Kushtetutës, shprehimisht thotë se zbatohej pavarësisht nga ndonjë dispozitë tjetër kushtetuese, duke larguar çdo dyshim për këtë çështje”, thuhet tutje.

Në vijim thuhet se siç gjendet në vendimin për imunitet, neni 91 (1) i Kushtetutës pranon që një president mund të dënohet për një krime të rëndë, që “duhet të ndjekje në mënyrë të pashmangshme një hetim dhe gjykim penal”.

“Siç kërkohet nga kapitulli II i Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, hetime dhe gjykime të tilla duhet të jenë efektive dhe të drejta, duke balancuar të drejtat e të akuzuarit me interesat dhe të drejtat e viktimave, dëshmitarëve dhe publikut. Në disa rrethana, si këto në këtë rast, ku ndërmjet tjerash një krim serioz është në pyetje, arresti dhe paraburgimi janë të nevojshme për të siguruar hetime të drejta dhe efektive”, thuhet në vijim.

Sipas ZPS-së, përderisa kushtetuta e adreson çështjen e imunitetin funksional të Presidentin, askund nuk parashikohet imuniteti nga arrestimi dhe ndalimi në lidhje me krimet që bien jashtë fushës së imunitetit funksional të Presidentit.

“Për arsyet që janë dhënë në kërkesën për fletëarrest, ka dyshim të bazuar që Thaçi ka kryer krime që janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe arresti i tij dhe paraburgimi janë të nevojshme për të adresuar rreziqet e arratisjes, pengimin e drejtësisë, ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët dhe kryerjen e krimeve të tjera”, thotë shkresa.

ZPS thotë se në bazë të pozitave të kaluara dhe të tashme, Thaçi  ka influence ndaj ish ushtarëve të UCK-së dhe në Kosovë në përgjithësi dhe ka akses në fonde, si dhe ka mjete e mundësi të udhëtoj në mënyrë legale ose ilegale në shtete që nuk kanë obligim ta transferojnë atë te Dhomat e Specializuara.

“Persona besnik të Thaçit kanë kryesuar pagesa qeveritare korruptive te dëshmitarët potencial të ZPS-së. Përmes këtyre personave, Thaçi  në mënyrë aktive ka kërkuar dhe marrë informata dhe ka marrë masa të tjera lidhur me hetimet e ZPS-së dhe ndikimin e dëshmitarëve”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas ZPS-s,  vështirë garantohet që Thaçi do të pajtohet më një thirrje për tu paraqitur si i akuzuar për gjyq, ku përballet me një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm

Shkresën e plotë mund të gjeni këtu: Specialist Prosecutor v. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi and Jakup Krasniqi

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Ndërsa, me 18 nëntor është mbajtur konferenca mbi ecurinë e çështjes.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi