ZORAN SPASIQ E PRANON FAJSINË PAS DHËNIES SË DEKLARATËS SË TIJ

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – I akuzuari për raportim të rremë të pasurisë, Zoran Spasiq, në fillim të shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë , u deklarua i pafajshëm për veprën me të cilën ngarkohet. Megjithatë, pas dëgjimit të dëshmitarit të vetëm në këtë proces dhe dhënies së deklaratës së tij, i njëjti e pranon fajësinë.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, prokurori i shtetit, Shpend Krasniqi, dha fjalën hyrëse ku tha se gjatë shqyrtimit të provave do të vërtetohet se i pandehuri Zoran Spasiq ka kryer veprën penale “raportimi i rremë i pasurisë”. Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shpëtim Sadiku thekson se rreth aktit akuzues do të deklarohet pas dëgjimit të dëshmitarit dhe të akuzuarit.

Gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit të shtetit, dëshmitari dhe njëherit përfaqësuesi i Agjencionit Kundër Korrupsionit (AKK) , Milot Krasniqi, deklaron se për të pandehurin ka qenë hera e parë që ka bërë deklarimin e pasurisë, madje kjo kishte ndodhur pak ditë pasi i njëjti kishte marrë postin e këshilltarit politik. Krasniqi bën të ditur se pasi AKK ka bërë kontrollimin e formularit të Zoran Spasiq, dhe me qëllim të vërtetimit  të saktësisë së të dhënave të deklaruara në formular kjo Agjenci i ka adresuar atij kërkesë për sqarim me dt.24.10.2014, në lidhje me parcelën e padeklaruar në fshatin Rubovc. Sipas dëshmitarit, i akuzuari ka kthyer përgjigje përmes të cilës e pranon se nuk e ka bërë atë deklarim me arsyetimin se është hera e parë që e bën deklarimin e pasurisë, dhe se ajo parcele nuk ka vlerë të madhe prandaj dhe ka menduar se nuk paraqet problem mosdeklarimi i saj. Madje në atë email, i akuzuari Spasiq e kishte bashkangjitur edhe një kontratë sipas të cilës këtë tokë atij ia kishte dhuruar babai i tij.

Pas dëgjimit të dëshmitarit të vetëm në këtë proces, seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, dhe më pas me dëgjimin e të akuzuarit Zoran Spasiq.

Gjatë dhënies së deklaratës së tij, i akuzuari Zoran Spasiq, deklaron se ai e ka marrë vetëm formularin për deklarimin e pasurisë, por nuk ka marrë ndonjë udhëzim se si duhet plotësuar dhe çka saktësisht duhet deklaruar. “Nuk e kam deklaruar sepse është dhuratë nga babai, nuk e kam ble pasiqë babai është gjallë dhe kam konsideruar se nuk ka nevojë ta paraqes. Nuk kam pasur qëllim të fsheh asgjë. Ndoshta është joserioze kjo që them se nuk e kam ditë, po është e vërtetë se nuk e kam ditë” ka theksuar ai.

Para se të jipen fjalët përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shpëtim Sadiku, ka kërkuar që të konsultohet me klinetin e tij, ku pas konsultimit deklaron se Spasiq pranon fajsinë për veprën me të cilën ngarkohet. “Kontrata ka qenë mes babës dhe birit, dhe qëllimi i tij nuk ka qenë me fsheh atë pjesë. Ky është dashtë me paraqitë, por nuk e ka ditë. Njoftoj se tani në këtë fazë të procedurës, i mbrojturi e pranon fajësinë”.

Pas pranimit të fajësisë, gjyqtarja e çështjes, Albina Shabani-Rama, merr aktvendim që të pranohet pranimi i fajësisë nga i akuzuari Zoran Spasiq,  pasi e njejta u bind se pranimi i fajësisë është bërë me vullnetin e tij të plotë dhe se korrespondon me provat që gjendet në shkresat e lëndës.

Pas këtij aktvendimi, prokurori i shtetit Shpend Krasniqi jep fjalën e tij përfundimtare, gjatë së cilës bën rikualifikimin e veprës penale nga neni 437 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nga paragrafi 1 në paragrafin 2, si dhe përmirësimin e sipërfaqes së paraqitur në dispozitiv, në të cilin është bërë një gabim takenik, ku në vend të 343,5 metra katrorë duhet të jetë 3435 metra katrorë ose 34 ari e 35 metra katrorë, gabim të cilin e theksoi mbrojtësi i të akuzuarit në fillim të seancës.

Pas këtij rikualifikimi të veprës nga ana e prokurorit, mbrojtësi i të akuzuarit kërkoi që seanca të shtyhet, me arsyetimin se i duhet kohë për sqarime, pasi këtu dallon shumë sa i përket dënimit të paraparë, ndërsa ky klientin e tij e ka njoftuar për benificionet që ka pranimi i fajësisë vetëm me paragrafin 1. I njëjti konsideron se prokuroria i ka vënë në lajthitje.

Seanca e rradhës pritet të mbahet më 15 prill 2016, ku do të vazhdohet me fjalët përfundimtare.

Sipas aktakuzës, Spasiq akuzohet për veprën penale mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i cili në formularin e datës 5 shkurt 2014 nuk e kishte raportuar një parcelë në zonën e Rubovcit brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Si të gjithë zyrtarët e lartë publik, Zoran Spasiq ka qenë i obliguar që ta deklaroj pasurinë e tij në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit brenda këtij afati.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë