Zogaj thotë se është i dëmshëm dhe i papranueshëm komentimi i këshilltares së MD-së për vendimin në rastin e deputetes Vrenezi

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj ka folur rreth komentimit që i është bërë dënimit të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, nga këshilltarja e Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se komentime të tilla janë të dëmshme dhe se zyrtarët duhet të rezervohen nga ato.

“Ka pas edhe diskutime brenda Këshillit, a do të kemi ndoshta një reagim për këto komente dhe më ka bo përshtypje komenti i një këshilltareje në mos gabofsha në Ministrinë e Drejtësisë, tash kur ne e mendojmë me kapacitetin e anëtarëve të Këshillit do me thënë jemi shumë të rezervuar me i komentu vendimet gjyqësore edhe në kuptimin profesonal të fjalës sepse duhet me njoftë kontekstin, faktet, provat, krejt çështjet, specifikat e rastit, për me dhënë një kualifikim dhe nga perspektiva e një këshilltari që nuk ka asnjë lidhje me çështjen do të thotë bëhen komente për vendimmarrjen, është tepër e dëmshme, është e papranueshme. Megjithatë, Këshilli nuk e ka pa të nevojshme, të arsyeshme, me u lëshu në nivel të tillë të reagimeve, por besoj që brenda Ministrisë së Drejtësisë do të duhej të ishte në vëmendje sepse do të duhej të paktën në publik të qartësohej se kur këshilltari komenton me kapacitetin e këshilltarit të ministrit, kabinetit të ministrit dhe kur komunikon në kapacitetin e një qytetari”, tha Zogaj në “Tempus” të KTV-së.

Ai iu bëri thirrje të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi publike, të përmbahen nga komentimet rreth vendimit të gjykatës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë