Zgjedhjet e 6 tetorit, i akuzuari pranon se e fotografoi votën dhe më pas e shqeu fletëvotimin

Lulzim Gashi foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 15, 2019

 

Gjakovë – I akuzuari për cenim të fshehtësisë së votimit dhe asgjësim i dokumenteve të votimit, Lulzim Gashi, e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohet.

“E pranoj, e kam shkel ligjin, e di kam bërë vepër penale, që ka mundësi një dënim sa më të lehtë”, ka deklaruar i akuzuari Gashi.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Buzhala, derisa gjykatësi Gëzim Pozhegu e ka aprovuar atë.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast është caktuar që të bëhet më 18 nëntor, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 30 tetor 2019, Lulzim Gashi po ngarkohet me veprat penale “cenimi fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 dhe veprën penale “asgjësim i dokumenteve të votimit” nga neni 217 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 14:00 në Rahovec, pikërisht në vendvotimin 126A/02R të vendosur në shkollën “Isa Boletini”, në mënyrë të kundërligjshme cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019, për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i pandehuri pasi që e kishte mbushur fletëvotimin të dhënë nga anëtarët e komisionit zgjedhor, ai ka bërë fotografimin e votës me telefonin e tij, dhe me të vërejtur anëtarët e komisionit zgjedhor, të njëjtin e kanë ndalur për të mos e hedhur votën në kutinë e votimit pa e njoftuar policinë, i cili pasi largohet nga vendvotimi është arrestuar nga Policia.

Sipas aktakuzës, ai në vendin, kohën dhe mënyrë e përshkruar si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, asgjëson, duke e dëmtuar fletëvotimin për zgjedhjet nacionale të vitit 2019, në atë mënyrë që pasi që njoftohet nga anëtari i komisionit zgjedhor se nuk i lejohet hedhja e fletëvotimit në kuti të votimit pasi që të njëjtin fletëvotim më parë e kishte fotografuar me telefonin e tij, i revoltuar i akuzuari ka dëmtuar dhe shqyer fletëvotimin, të cilin më pas e ka hedhur në tokë. /BetimipërDrejtësi