Xhavit Haliti dhe Gani Dreshaj dënohen me gjobë për sulmin dhe kanosjen ndaj Arben Gashit

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga 1,250 euro gjobë nënkryetarin e Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti dhe deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, për sulm dhe kanosje të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Haliti u shpall fajtor për veprën penale “sulm”, ndërsa Gani Dreshaj për veprën penale “kanosje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me 14 tetor 2019, Gjykata në Prishtinë e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor ndaj të akuzuarve.

Sipas këtij urdhri, dënimin me gjobë të akuzuarit obligohen ta paguajnë brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do u zëvendësohet në dënim me burg, ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro gjobë.

Haliti dhe Dreshaj janë ngarkuar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë, nga 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Kurse, i dëmtuari Arben Gashi, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

“Betimi për Drejtësi”, më 16 korrik 2019, ka raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me të cilën pretendohet se më 18 maj 2018, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, me dashje e kishte sulmuar deputetin Arben Gashi duke e shtyrë me krah dhe bërryl në gjoks.

Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj po akuzohet se po të njëjtën ditë, me dashje, e kishte kanosur deputetin Gashi me fjalët “Kom me ta prish fytyrën”. Me këtë fjali, prokuroria pretendon se Gashit i është shkaktuar ndjenja e frikës dhe ankthit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë