Vrasja në Lipjan, mbrojtja pretendon se është kryer në afekt, prokuroria kërkon rritjen e dënimeve

Lavdim Bajraktari - Rasti Besnik Bedrolli etj. - 13.03.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Mars 13, 2019

Prishtinë – Afërsisht katër muaj, pasi që gjykata e shkallës së parë kishte dhënë verdiktin e saj në lidhje me vrasjen që ndodhur në vitin 2015, në fshatin Banullë të Lipjanit, dy të dënuarit në këtë rast, Besnik dhe Bajram Bedrolli, po kërkojnë që të përmbyset ky aktgjykim.

Ata akuzoheshin se pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullofci.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 nëntor të vitit të kaluar, Besnik Bedrolli, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe për këtë vepër e kishte gjykuar me 14 vjet e gjashtë muaj burgim. Po ashtu, Bedrolli ishte shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, për cilën vepër, ishte dënuar me një vit burgim. Më pas, gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik prej 15 vjet burgim efektiv.

Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, i cili fillimisht akuzohej për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, pas ricilësimit të veprës nga gjykata, ishte shpallur fajtor për veprën penale, ndihmë në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë për çka ishte dënuar me nëntë vjet e gjashtë muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me një vit burgim. Më pas, atij gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arsyet se pse Gjykata e Apelit duhet të ndryshojë apo ta anulojë aktgjykimin e Themelores, i kanë dhënë të mërkurën, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Nikë Shala dhe Skënder Musa.

E ndryshimin e aktgjykimit të Themelores po e kërkon edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, por për dallim nga mbrojtësit, organi i akuzës i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që dy të akuzuarve t’u rriten dënimet, kurse Bajram Bedrolli, ajo ka propozuar që të dënohet për vrasje në bashkëkryerje, e jo ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Ankesat e prokurorisë në njërën anë si dhe ato të mbrojtësve të të akuzuarve në anën tjetër, janë shqyrtuar të mërkurën nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjykatësi Fillim Skoro.

E pakënaqur me ricilësimin që trupi gjykues në shkallë të parë kishte bërë në rastin e të akuzuarit Bajram Bedrolli, prokuroria është ankuar në Apel, nga e cila ka kërkuar që Bedrollin ta shpall fajtor dhe ta dënojë për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, e jo në ndihmë.

Kjo, pasi siç thuhet në ankesën e prokurorisë, shkalla e parë gabimisht kishte konkluduar se i akuzuari Bajrami kishte ndihmuar të akuzuarin Besnik, pasi sipas prokurorisë, i njëjti veprën e kishte kryer në bashkëkryerje.

Edhe dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve, prokuroria i ka quajtur si të buta, dhe për këtë shkak, i ka propozuar instancës së dytë që atyre tu shqiptojë dënime më të ashpra, me të cilat dënime sipas prokurorisë, do të arrihej edhe qëllimi i dënimit.

Rritjen e dënimeve për të akuzuarit e ka kërkuar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ramiz Krasniqi, i cili në ankesën e tij, ka theksuar se shkalla e parë gabimisht ka vlerësuar rrethanat lehtësuese në këtë rast.

Në anën tjetër, si vrasje të kryer në afekt mendor apo në mbrojtje të nevojshme, po e quan veprimin e të mbrojturit të tij, Besnik Bedrolli, avokati Nikë Shala.

Për këtë arsye, Shala kërkoi të mërkurën nga kolegji i Apelit që klientin e tij ta lirojë nga vepra e vrasjes së rëndë, për çka ishte shpallur fajtor nga shkalla e parë, dhe të njëjtin ta dënojë për vrasje të kryer në afekt mendor apo në mbrojtje të nevojshme.

Kurse, sa i përket veprës së armëmbajtjes pa leje, avokati Shala kërkoi nga Apeli që të mbrojturit të tij t’i shqiptojë dënim me gjobë.

“Te ndryshohet aktgjykimi për vrasje të rendë, ka mbrojtje te nevojshme apo vrasje në gjendje të rënde tronditëse mendore. Sa i përket ankesave të prokurorisë dhe te dëmtuarit, i kundërshtojmë, asnjëra nuk kane ofruar prova te reja përveç asaj që kanë ofruar në fjalën përfundimtare”, tha avokati Shala në fjalën e tij.

Tutje, avokati Shala tha se kontribut të theksuar në ngjarjen kritike ka dhënë edhe vet i ndjeri Urim Dushullovci, për të cilin, siç tha Shala klienti i tij nuk e ka njohur deri në ditën kritike.

“Është vërtetuar që predha ka dal nga pjesa e brendshme ka dal jashtë çka nënkupton  që ka qenë nga arma e të njërit. Klienti im për ta evituar të keqen nga vetja ka zbraz 4 fishekë nga të cilat ka ardhur deri te vdekja e të ndjerit”, tha Shala.

Në fund të fjalës së tij, Shala tha se nëse veç mbetet në fuqi aktgjykimi i shkallës së parë, atëherë të paktën dënimi ndaj të mbrojturit të tij të zbutet, duke pas parasysh rrethanat lehtësuese.

Me pretendimet se nuk është provuar fajësia e të mbrojturit të tij Bajram Bedrolli, as për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë e as ajo e armëmbajtjes pa leje, avokati Skënder Musa i propozoi Apelit që të njëjtin ta lirojë nga të dy akuzat.

“Nga të gjithë dëshmitarët që janë dëgju, asnjë nuk ka dëshmu se i mbrojturi im e ka pas armën, përkundrazi, kanë thënë se i mbrojturi im ja ka kap armën viktimës. Shkrepja e parë e armës ka qenë nga viktima”, deklaroi Musa.

Gjithashtu, vazhdoi avokati Musa, as dëshmitarët e as ekspertët nuk e kanë përmend asnjëherë elementin e ndihmës, për çka është shpall fajtor i mbrojturi i tij, por deri te kjo vepër, Musa tha se ka ardhur pasi që prokurori në fjalën përfundimtare e ka përmend ndihmën, pasi është zënë ngushtë sepse asnjë dëshmitar i prokurorisë nuk e ka inkriminu të akuzuarin Bajram në vepër penale.

Sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, avokati Musa tha se të gjithë dëshmitarët kanë deklaruar se arma ka qenë e viktimës dhe të gjitha gëzhojat që janë gjetur në vendngjarje kanë qenë të armëve që janë konfiskuar.

“Është bo modë që në rastet e vrasjeve, të gjitha kush ka qenë i përfshirë aty të akuzohen edhe për armëmbajtje”, tha Musa.

E lidhur me këto ankesa të palëve, është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila gjykatës së shkallës së dytë i ka propozuar që të refuzojë ankesat e mbrojtësve dhe ta aprovojë si të bazuar ankesën e prokurorisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, rreth orës 02:00, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullofci.

Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar të ndjerin Dushullovci dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të Dushullvocit katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së. /BetimipërDrejtësi