Vrasja në “City Club”, dëshmitarja thotë se s’e ke parë askënd që ka hyrë me armë në diskotekë

Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shtator 14, 2021

Gjakovë – Dëshmitarja Besiana Spahija tha se nuk ka parë ndonjë person që ka hyrë me armë në diskotekën “City Club” në Pejë, në natën e 2 janarit 2010, ku për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm po akuzohet Granit Elshani.

Këtë deklarim, dëshmitarja Spahija e ka dhënë të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Elshani po akuzohet për vrasjen e Besart Shabit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Kosovare Kelmendi, dëshmitarja tha se në natën kritike ka punuar në atë diskotekë tek pagesat për hyrje.

“Po, edhe sot më kujtohet si ngjarje, ngase unë në atë lokal kam punuar tek pagesat pasi hyrja në lokal ka qenë me pagesë dhe ka qenë shumë hapësirë e madhe për me hy në diskotekë, ka qenë si rrugë, ngase shumë ka pasur hapësirë.”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja tha se orën e saktë nuk e di por se atë natë ka dëgjuar krismë.

“Krismat e brendshme nuk i kam dëgjuar ngase ne kemi qenë në hyrje të lokalit dhe ajo çka ka ndodh, ka ndodhë brenda. Unë nuk e di nga kanë ardhë krismat por me pa s’kam pa, por me ndi kam ndi që kur ka dal jashtë ka gjuajt edhe njëherë por unë nuk e kam parë kush ka gjuajtur.”, tha tutje dëshmitarja.

Ajo tha se çdo natë janë kontrolluar nga ana e sigurimit mysafirët para se të hynin brenda në diskotekë, dhe se shumë kush atë natë ka hyrë e ka dalë nga diskoteka por se nuk ia kishte “vanu mendjen”, ngase kanë qenë me vulë në dorë.

Ajo shtoi se nuk ka parë atë natë ndonjë person që ka hyrë me armë në diskotekë.

Pas saj, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Skifter Beqiraj, i cili para se të fillohej të merrej në pyetje tha se e ka dhënë një deklaratë për këtë çështje në polici dhe se qëndron prapa asaj deklarate ngase nuk i kujtohet, duke kërkuar që t’i lexohet ajo deklaratë.

Duke u përgjigjur në pyetje e avokates Kelmendi, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se ka qenë vetëm apo me dikë tjetër atë natë në diskotekë.

Më pas, dëshmitari Beqiraj gjatë gjithë kohës është përgjigjur në pyetjet që i parashtroheshin me fjalët “Nuk më kujtohet” dhe “Ka mundësi”.

I pyetur se me rastin e hyrjes në diskotekë a ka pasur kontroll të mysafirëve dhe ai a është kontrolluar, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet as se a ka paguar hyrje në diskotekë, e as se si ka qenë atmosfera atë natë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Afrim Shefkiu dëshmitari tha se me Besart Shabin dhe “Larën” ka pasur raporte të mira.

Kryetari i i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari njoftoi se seanca e 17 shtatorit nuk do të mbahet, pasi që anëtari i trupit gjykues, Nikollë Komani është i angazhuar, dhe se seanca e radhës u caktua që të mbahet më 24 shtator 2021.

Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.

Ai kishte kërkuar transferimin e lëndës për shkak të mungesës së gjykatësve të krimeve të rënda në gjykatën që ai drejton dhe për shkak se gjyqtarët tjerë të cilët kanë mbetur, kanë bazë për përjashtim në gjykimin e këtij rasti.

Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vjet burgim, Granit Elshanit.

Elshani ishte shpallur fajtor për veprat penale “vrasje e rëndë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.

Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Pas kthimit të rastit në shkallë të parë, rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo gjë që nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.