Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Kurti: Po rritet sasia e informacionit, ende nuk ka të dyshuar

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Kryeministri Albin Kurti ka takuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe pas këtin takimi tha se sasia e informacionit po rritet, por ende nuk ka të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

“Momentalisht nuk e kemi të dyshuarin apo të pandehurin. Posa të kemi informacione me siguri që do t’ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit me hulumtimin dhe hetimin që po bëhet. Edhe nga vendi i ngjarjes, por edhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve, por nuk e kemi emrin apo emrat e përveçëm të vrasësit”, tha Kurti.

Takimi i Kurtit me Mehmetin në Stacionin Policor në Deçan, erdhi pas varrimit të dy nxënësve që u vranë të premten mbrëma bashkë me shoferin e autobusit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurti tha se po bëhen përpjekje maksimale për të gjetur dorasin apo dorasët, ndërsa theksoi edhe një herë se Qeveria ofron shpërblim 20 mijë euro për ata që japin informacione lidhur me rastin.

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet, po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi”, u shpreh kryeministri.

Tutje, kryeministri tha se është shtuar numri i zyrtarëve që po meren me hetimin në këtë rast.

“Janë shtuar numri i zyrtarëve, të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, shtoi Kurti pas këtij takimi.

Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se hetuesit e krimeve të rënda janë të angazhuar në këtë operacion policor dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve potencialë.

“Ne jemi duke punuar në dy, përkatësisht tri pista, të cilat potencialisht mund të jenë motive të ndryshme, të cilat kanë mundur të vijnë deri te vrasja”, tha Mehmeti.

Ai shtoi se nuk po punojnë vetëm me Stacionin e Autobusëve dhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me shoferin dhe viktimat, por edhe me gjithë personat që kanë mundur të kenë kontakt apo informatë rreth rastit.

Ndryshe, në sulmin me armë zjarri në drejtim të autobusit me nxënës, të premten u vranë tre persona, mes tyre dy nxënës dhe shoferi i autobusit, kurse një tjetër u lëndua. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë