Vrasja e rëndë në Pejë, ekspertja mjekoligjore: Tri plagë ishin shkaktuar nga arma, një nga mjeti i mprehtë

8 nentor 2019 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Nëntor 8, 2019

 


Pejë – Ekspertja e mjekësisë ligjore, Lindita Curri, është dëgjuar në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin e kthyer në rigjykim ndaj Kreshnik Halitit, i akuzuar për vrasje të rëndë.

Kreshnik Haliti, akuzohet se në mars të vitit 2017, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur në mes vete, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Mentor Zekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ekspertja mjekoligjore ka deklaruar se tani i ndjeri, kishte pasur tri plagë të evidentuara që ishin shkaktuar me armë të zjarrit, ndërsa një në pjesën e gjoksit të shkaktuar nga një mjet i mprehtë.

Sipas ekspertes, plaga në gjoks nuk kishte dëmtuar asnjë organ vital, mirëpo ishte shkaktuar nga një mjet i mprehtë, ndërsa plagët tjera me armë zjarri, sipas saj, kishin shkaktuar gjakderdhje që ka dërguar deri të vdekja e viktimës.

Ajo ka thënë se nuk mund të dinte pozitën e qitësit në bazë të trajektoreve të hyrjeve dhe daljeve të plagëve, mirëpo ajo në mënyrë figurative, ka shpjeguar pozitën e qitësit dhe viktimës në raport me trajektoret e plagëve.

“Në mënyrë figurative nëse personi ka qenë në këmbë dhe qitësi ka qenë i ulur në një pozitë poshtë ka mund të shkaktohet këto plagë, por nuk mund të përjashtojmë mundësinë tjetër që viktima ka mund të jetë i shtrirë dhe gjuajtja të bëhet pjerrtas”, ka thënë ajo.

Mbrojtësi i të pandehurit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga dëshmitarja të sqaronte se nga plagët, të cilat i kishte pasur tani i ndjeri, a mund të vinin nga pozita ulur në dy karrigia të veturës.

“Po nëse qitësi dhe viktima të ulur në dy karrige të veturës, a mund t’i përgjigjet kjo situatë pra, këto trajektore a mund të përshtaten në këto pozita”, pyeti avokati Berisha.

“Unë personalisht e kisha përjashtu që është e pamundur të shkaktohet në distancë prej dy ulësesh dëmtimi i tri plagëve për shkak të largësisë, ndërsa nëse këto janë bërë nga afërsia, nuk mund të përjashtohet mundësia”, u përgjigj ekspertja.

Avokati Berisha, e pyeti eksperten se a mund të qëndrojë fakti se nuk mund të përcaktohet forca shtytëse e dëmtimit në pjesën e gjoksit, për shkak se mungon matja e thellësisë së plagës në gjoks, respektivisht ai kërkoi të dinte nga ekspertja se a qëndron fakti se nuk mund të përcaktohet se dëmtimi ishte si rrjedhojë e rrëzimit ne një mjet të fortë të mprehtë apo nga dora e njeriut.

Ekspertja e pohoi këtë fakt, pasi sipas saj, nuk mund të përcaktohej me saktësi, nëse plaga ishte shkaktuar nga rënia mbi një mjet apo më ushtrimin e forcës nga dora e njeriut.

Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar edhe hetuesi policor, Blerim Tigani, i cili ka sqaruar për trupin gjykues raportin e përpiluar të vendit të ngjarjes të natës kritike.

Hetuesi policor ka deklaruar se në vendin e ngjarjes afër të ndjerit kishte gjetur një çantë që ishte  vendosur në gjoks të tani të ndjerit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit, dëshmitari Tigani, deklaroi se çantën e kishte dorëzuar në dhomën e dëshmive, mirëpo nuk kishte njohuri nëse ishte bërë ekspertizë për të.

Avokati Berisha, kërkoi nga hetuesi të dinte nëse kishte pasur sende të tjera para se të kontrollonte çantën, për të cilën pyetje reagoi përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku, i cili e konsideroi pyetje, e cila kishte tendencë të krijonte mjegull.

Lidhur më këtë, dëshmitari Tigani tha se ai kishte konstatuar atë çfarë kishte gjetur në momentin e gjetjes së çantës, e jo më herët.

Ndryshe, në këtë seancë, prokurori Ardian Hajdaraj, e dorëzoi një provë plotësuese dhe atë raportin plotësues për listën e thirrjeve të operatorit “IPKO”.

Për këtë provë, reagoi avokati Besnik Berisha, i cili e cilësoi si një veprim të kundërligjshëm nga ana e prokurorit për shkak se kishte përfunduar hetimet penale, në rastin e ngritjes së aktakuzës, duke shtuar se propozimet e tilla nuk mund të bëhen pa aprovim nga ana e gjykatës, duke propozuar që e njëjta të refuzohet të administrohet si provë.

Mirëpo, prokurori Hajdaraj, u arsyetua se nga kjo urdhëresë të cilën e kishte lëshuar nuk mund të cilësohej si veprim hetimor nga ana e tij, për shkak se sipas tij, masat e fshehta ishin lëshuar nga gjykata në procedurën dhe nuk kishte ndonjë dispozitë ligjore e cila ia ndalon këtë gjë.

Avokati Berisha, shtoi se prokurori kishte lëshuar urdhëresë për masa të fshehta, duke u bazuar në dispozitat ligjore që i referohen fazës së hetimeve, e që sipas tij, këto dispozita nuk mund të aplikohen me rastin e ngritjes së aktakuzës.

Ai kërkoi nga gjykata që t’ia lejojë në të ardhmen që ta thërras një dëshmitar dhe atë një shok të pandehurit, i cili ishte me të deri në momentin kur kishte ardhur tani i ndjeri, për ta marrë të akuzuarin.

Sipas Berishës, ky dëshmitar ishte relevant për mbrojtjen për të ditur se çfarë është diskutuar.

Këtë propozim e kundërshtoi prokurori Hajdaraj, i cili tha se mbrojtësi e kishte për qëllim vetëm të zvarrisë procedurën e shqyrtimit gjyqësor dhe shtoi se i njëjti po propozon një dëshmitar të cilit nuk ia dinte emrin.

Lidhur me këto propozime, kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri tha se do të vendos jashtë seance.

Seanca e radhës u caktua më 12 nëntor 2019, nga  ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe si rrjedhojë, ekzistojnë kundërthënie me arsyet e paraqitura lidhur me faktet vendimtare.

“Gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se i akuzuari Kreshnik Haliti ishte përgatitur me parë për ta privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj. Ekzistojnë kontradikta mes dispozitivit të aktgjykimit lidhur me përgatitjen paraprake të akuzuarit për të privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj, kjo për faktin se nga raportet e telefonisë “Vala” dhe “Ipko” del e kundërta me dëshminë e dëshmitares Mirjeta Zekaj, si prova materiale se i ndjeri i ka bërë telefonatat e fundit dhe gjykata lidhur me këtë fakt vendimtar e që është i rëndësishëm për cilësimin e veprës penale si kualifikuese nuk jep konkludime të qarta dhe të drejta se i pandehuri ishte i përgatitur më parë për ta privuar nga jeta të ndjerin”, theksohet në vendimin e Apelit.

Tutje, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se sipas shkresave të lëndës dhe provave të nxjerra, rezulton se i akuzuari kishte marrë borxh nga i ndjeri shumën prej 2000 mijë euro, për të rregulluar marrëdhëniet pronësore lidhur me një truall, meqë një pjesë të shtëpisë e kishte ndërtuar në pronë shoqërore.

“Këto të holla, dy herë nga 400 euro i pandehuri ia kishte kthyer të ndjerit, ndërsa sipas deklaratës së bashkëshortes  të ndjerit, Mirjeta Zekaj, rezulton se i ndjeri Mentor Zekaj ia kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 85 mijë euro, ndërsa pas privimit nga jeta në letrën e shkruar rezulton të jetë një borxh prej 77 mijë euro, dhe gjykata  nuk jep arsye bindëse dhe argumentuese se cili ishte borxhi i vërtetë, apo shuma e të hollave prej 77 mijë euro, ishin për blerjen e tokës së konfiskuar e cila nga AKP-ja, duhet të blihej nga i akuzuari bashkë me Florijan Kelmendin, meqë i akuzuari nuk kishte të gjitha të hollat e gatshme për të blertë këtë tokë”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, gjykata e Apelit ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë t’i nxjerrë të gjitha provat, të dëgjojë dëshmitarët se a ka ekzistuar borxhi për shkak të cilit është privuar nga jeta i ndjeri Mentor Zekaj nga i akuzuari Kreshnik Haliti, për shkak të dobisë pasurore dhe me kujdes të analizohen video incizimet.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore  e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Mentor Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm. /Betimipërdrejtësi