Gjykimi për vrasjen e motrës nga motra në Fushë Kosovë, dëshmitarja thotë se në ditën kritike e kishte parë motrën e saj duke dal nga dritarja e kuzhinës

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Dëshmitarja S.S, motra e të akuzuarës F.S dhe të ndjerës T.S, ka thënë se ditën kritike kishte parë motrën e saj F.S duke ikur nga dritarja e kuzhinës

Këtë deklarim dëshmitarja S.S e dha të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku F.S po akuzohet për vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Rreth orës 11:00, unë e kam lënë në dhomë F.S duke lexuar Kuranin, ndërsa T.S ka qenë duke fjetur, unë jam dal kam shkuar në ahër tek lopa dhe nuk jam vonuar shumë, nga dhoma deri tek Ahri ka qenë dikun rreth 20 metra distancë, dhe mbas 5 minutave u ktheva e qela derën e korridorit dhe e pash F.S duke dalur nga dritarja e kuzhinës, duke kcyer, dhe hina në dhomë tek T.S dhe e pash që jastëkun e kishte në fytyrë dhe u mundova ti jap frymë por e pash që ajo ishte e vdekur”, tha S.S.

Dëshmitarja sqaroi se ajo kishte kuptuar që F.S e kishte mbytur motrën në bazë të jastëkut që ia kishte parë mbi fytyrë pasi që sipas saj F.S nuk kishte qenë mirë me shëndet.

Tutje, ajo tha se kishte thirrur gruan e axhës, duke i thënë asaj që F.S e ka mbyt T.S.

“Pastaj e thirra Sh.S e cila erdhi në dhomë dhe u mundua ti ndihmoj T.S, e cila ia pa shaminë të lidhur në fyt dhe ia zgjidhi atë. Ajo u mundua me i dhënë ujë por e kthej prapë sepse ajo ishte veç e vdekur”, shtoi ajo.

E pyetur nga prokurori Ilaz Beqiri se çfarë raporte kishte e akuzuara F.S me motrën e saj të ndjerë, dëshmitarja S.S tha se F.S me motrën e saj kishin pasur raporte shumë të mira, dhe sipas saj, kanë qenë gjithmonë të pa ndara.

Më pas, S.S ka sqaruar se raportet e tyre ishin keqësuar prej momentit të aksidentit që kishin pasur, pasi që sipas saj, e ndjera T.S i kishte thënë F.S që ta kalonte rrugën me ç’rast e kishte goditur vetura.

“Nga ai moment F.S e ka akuzuar T.S për aksident”, shtoi ajo.

Tutje, ajo ka sqaruar se që nga ai aksident F.S nuk kishte qenë mirë me shëndet dhe se nga momenti kur kishte marrë disa ineksione në këmbë, të njëjtës iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore duke i shkaktuar alergji.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetje e mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Halit Shaljani, dëshmitarja S.S tha se që nga momenti i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të F.S, e njëjta ishte bërë shumë agresive duke e rrahur T.S shpesh.

“Unë u mundojsha me i nda gjithmonë por edhe mua më rrehke dhe mi nukke flokt ndërsa motra kurr nuk i’a ka kthyer dorën”, shtoi ai.

E pyetur nga avokati Shaljani se a kishte qenë e lirë F.S apo është mbikëqyrur nga familjarët, dëshmitarja tha se ajo sa herë kishte dal nga shtëpia, kishte tentuar të ikte.

Ajo ka sqaruar se F.S, kishte provuar disa herë të bëjë vetëvrasje dhe kishte pirë helm me ç’rast sipas saj kishte marrë tretman mjekësor në Prishtinë, mirëpo sa i përket trajtimit psikiatrik ajo tha se nuk kishte pranuar asnjëherë ta marrë at trajtim.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitarja S.S ka sqaruar se ditën kritike F.S kishte ikur duke u fshehur në ahër deri sa kishte shkuar policia dhe me të arritur policia e njëjta kishte dal duke iu thënë se “nuk e kam kryer unë vrasjen”.

Në fund, ajo tha se veprimet e ndërmarra nga motra e saj F.S kanë qenë pavetëdije të saj.

Seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitares Sh.S e cila sqaroi se të akuzuarën e ka vajzë të kunatit dhe ditën kritike duke dalë në oborr kishte parë F.S duke u hedhur nga dritarja.

“Unë i thash, pse po ik kaq shpejtë çka ke bo, ajo nuk më tha kurrfarë fjale, me ç’rast un u nisa me shku te burri dhe aty niva zërin e motrës së saj S.S duke qajtur me një zë të trishtë edhe e pyta se çka po ndodh, ajo më tha valla e ka myt T.S”, tha ajo.

Tutje ajo ka sqaruar se kishte vrapuar në dhomë ku kishte parë të ndjerën pa shenja jete të shtrirë e cila kishte një shall në fyt të lidhur disa herë.

“Unë ia heka shallin por nuk kishte asnjë reagim, shalli ka qenë i shtrënguar shumë dhe ka qenë i lidhur 3-4 herë dhe pata shumë vështirësi deri sa ia heqa atë. Aty ka qenë një gotë ujë, e kam marrë T.S me ngritë pak lartë dhe kam tentuar t’ia jap ujin por se ka pranuar ujin e ka qit jashtë nga goja”, ka thënë dëshmitarja.

Më pas ajo ka sqaruar se F.S me motrën e saj të ndjerë kanë qenë të pa ndara dhe gjithkund kanë shkuar bashkë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Beqiri, se a e dinte nëse F.S kishte sulmuar ndonjëherë ndonjë anëtar të familjes, dëshmitarja tha se po, ajo kishte pasur telashe me anëtarë të tjerë të familjes.

“Dhe më kujtohet se një herë ka kërcyer nga ballkoni dhe i ka dëmtuar këmbët e veta 1 vit para se me ndodh kjo ngjarje e për çështje tjera çka kanë pasur brenda në shtëpi unë smundem me dit, po ashtu e di që 2 herë F.S ka pi helm”, shtoi ajo.

Në fund, e akuzuara F.S ka kërkuar nga gjykata që t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak por që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti ka refuzuar kërkesën e tillë duke vlerësuar se ende qëndrojnë bazat mbi të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës avokati Shaljani, propozoi që kjo masë të mbahet në ndonjë institucion shëndetësor duke marrë parasysh rrezikun që mund të kanoset nga gjendja shëndetësore e saj.

Prokurori lidhur me këtë propozim ka thënë se institucioni ku gjendet e pandehura do t’i kushtoj kujdesin e duhur të njëjtës dhe sa herë që do të ketë nevojë do të dërgohet në trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Vlerësoj se gjykata në këtë situatë nuk ka mundësi që ta obligoj një institucion të caktuar për trajtimin e të njëjtës ndërsa sa i përket kërkesës së të akuzuarës konsideroj se nuk kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa dhe se me masën e arrestit shtëpiak nuk do të arrihet qëllimi që procedura të zhvillohet”, shtoi prokurori Beqiri.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar më 14 qershor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila deri sa ishte  në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, deri sa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt me ç’rast nga ngulfatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par 1 pika 1.3 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë