Anulohen seancat për muajin shkurt në rastin MTPT

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Plotësuar: Seanca e paraparë të mbahet sot për rastin e njohur si MTPT ëshë anuluar. Këtë e ka bërë të ditur për “Betimin për Drejtësi” avokati Blerim Prestreshi, i cili ka thënë që kryetarja e trupit gjykues të hënën më 8 shkurt i ka informuar palët që për arsye shëndetësore është e detyruar që t’i anuloj seancat për muajin shkurt.

Vjollca Kelmendi dëshmon sot në rastin Limaj të MTPT-së

Prishtinë, 10 shkurt 2016 – Dëshmitarja Vjollca Kelmendi, e cila kishte qenë zyrtare e MTPT-së, do të dëshmoj të mërkurën (sot) në orën 10:00, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinë, në procesin gjyqësor të njohur si rasti i MTPT-së, ku akuzohen Fatmir Limaj dhe ish-drejtori i Prokurimit Nexhat Krasniqi. Për këtë rast deri më tani janë zhvilluar rreth 13 seanca që nga seanca e parë statutore që ishte mbajtur më 30 tetor 2016. Në këto seanca të mëparshme, është dëgjuar vetëm dëshmitari i parë i propozuar nga ana e Prokurorisë, Betim Reçica. Në vitin 2008 në kohën kur edhe ka ndodhur vepra, ky dëshmitar kishte ushtruar detyrën e zyrtarit të prokurimit në ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit të Kosovës (MTPT). Gjatë dëgjimit të tij në gjykatë, Reçica ishte pyetur kryesisht për procedurat e tenderimit në këtë Ministri që kishin të bëjnë me tenderët e cekur në aktakuzë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2. Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë me datë 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e datës 30 maj 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar. Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014, gjykata ka vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Përveq këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet poashtu edhe për veprën mosdeklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga kjo Ministri.

Përveç dëshmitares Vjollca Kelmendi e cila do të dëgjohet nesër, në seancat e radhës do të dëgjohen edhe gjashtë dëshmitarë të tjerë të propozuar nga Prokuroria, e të cilët janë: Kemajl Mustafa, Bekim Shkodra, Izmi Zeka, Hasan Preteni, Zukri Qarrolli dhe Adem Grabovci.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë