VJETËRSOHET LËNDA E KORRPUSIONIT PËR NJË TË AKUZUAR, VEÇOHET PROCEDURA PËR TË DYTIN

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë–Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, në seancën e mbajtur të enjtën, mori aktvendim për pushimin e ndjekjes penale kundër Qazim Malokut, i akuzuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”. Mirëpo, ky proces gjyqësor do të vazhdoi për të akuzuarin tjetër, Bekim Bufaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Qazim Maloku, avokati Gëzim Baloku, kërkoi nga trupi gjykues hudhjen e aktakuzës që ngarkon klientin e tij, me arsyetimin se kjo lëndë ka arritur parashkrimin absolut. Propozimi i tij u mbështet edhe nga vet trupi gjykues, me arsyetimin se vepra penale që pretendohet të jetë kryer nga i akuzuari Maloku, kishte ndodhur në fund të vitit 2007, ndërsa deri tani kanë kaluar më shumë se tetë vite. Prandaj  sipas tyre, në këto baza është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Megjithatë , ky proces gjyqësor nuk do të përfundoj për të akuzuarin tjetër, Bekim Bufaj. Duke qenë se nuk kishte dëshmitarë të thirrur për tu dëgjuar në këtë seancë, ky trup gjykues mori aktvendim për ndërpreje të saj dhe e njëjta të vazhdojë më 25 maj 2016.

Ky gjykim zhvillohet në bazë të aktakuzës së prokurorisë, ku i akuzuari Qazim Maloku akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës në Regjistër Zyrtar, ka shënuar informacione të rreme në atë mënyrë që si Drejtor i Shkollës së Mesme – Gjimnazit “Sami Frashëri” në fshatin Irzniq, ka regjistruar librin amë të vitit 1990/98, nxënësit të cilët kinse e kanë kryer shkollën fillore, pa pasur asnjë të dhënë se të njejtit kanë kryer shkollën fillore. Nga ana tjetër, aktakuza e ngarkon të akuzuarin Bekim Bufaj se kishte vu në lajthim Komisionin për Përzgjedhje të Kandidatëve për policë, duke prezentuar diplomën e falsifikuar të datës 17.12.2007 të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Irzniq, në atë mënyrë që figuron se i pandehuri ka kryer Gjimnazin në vitin 1994, kurse është konstatuar se i njëjti shkollën fillore e ka kryer në vitin 1997.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë