VILSON HALITI DËNOHET PËR TERRORIZËM ME TRI VITE E GJASHTË MUAJ BURGIM
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan-Vilson Haliti,është dënuar me tri vite e gjashtë muaj burg efektiv për veprën penale pjesëmarrje në grup terrorist. Në këtë dënim do të përfshihet edhe koha sa i akuzuari ka qëndruar në paraburgim prej 6 muaj dhe 18 ditë. Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan nga kryetari i trupit gjykues Agim Ademi.
Haliti akuzohet se prej muajit qershor të vitit 2014 e deri në fund të dhjetorit të vitit 2015 pasi kishte krijuar bindjen për përkrahjen e idesë dhe qëllimin e organizatës terroriste ISIS ishte shoqëruar me persona të ngjashëm. Tutje, ai me dashje kishte udhëtuar që tu bashkëngjitet grupeve terroriste në Siri. I akuzuari kishte udhëtuar përmes Aeroportit të Prishtinës më 22 qershor 2014 për në Turqi dhe prej aty ilegalisht kishte kaluar kufirin për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist të organizatës së lart cekur në forma të ndryshme.