Viktima rrëfen se si bashkëshorti i saj e kishte goditur me tre plumba dhe me thikë disa herë

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë – E dëmtuara-dëshmitarja L.H ka thënë se në ditën kritike bashkëshorti i saj S.H., e kishte plagosur me tre plumba në nofullën e djathtë, në qafë dhe në krahë, ndërsa shtoi se i njëjti e kishte goditur disa herë edhe me thikë.

Këtë deklarim e dëmtuara-dëshmitarja L.H e ka dhënë në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit S.H, për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo shtoi se një javë para ngjarjes kritike i akuzuari S.H e kishte përzënë nga shtëpia, siç tha ajo pa asnjë arsye.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Naim Beka, e dëmtuara-dëshmitarja L.H deklaroi se së pari i akuzuari e kishte plagosur me armë ndërsa më pas e ka sulmuar edhe me thikë.

Ajo shtoi se duke u zvarritur kishte arritur të dalë nga shtëpia dhe të ikë në drejtim të shtëpisë së axhës së të akuzuarit, të cilët i kishin ofruar ndihmë.

“Nuk kanë kaluar shumë minuta dhe në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia”, deklaroi e dëmtuara-dëshmitarja L.H.

E njëjta tha se kishte qëndruar një muaj në spital për trajtim mjekësor pas lëndimeve të rënda të shkaktuara, ndërsa tha se ende e vazhdon trajtimin.

“Ko me të mytë, ko me të gri e me të gjujt në bunar”, deklaroi e dëmtuara se i kishte thënë i akuzuari në momentet e sulmit.

Në këto momente i akuzuari e ka ngritur zërin duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Sinisha Mandushiq, se e dëmtuara L.H sipas tij, po gënjente dhe nuk po e tregonte rastin siç ka qenë me të vërtetë.

Në mënyrë që të qetësohej i akuzuari, ndaj të cilit është kryer ekspertiza psikiatrike duke konstatuar se i njëjti ka aftësi esencialisht të zvogëluar mendore, trupi gjykues vendosi për një pauzë 15 minuta.

Pas kësaj, marrjen në pyetje të të dëmtuarës L.H e vazhdoi mbrojtësi i viktimave të krimit, Isa Aruqi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e tij, në lidhje me marrëdhëniet e mëhershme me të akuzuarin, e dëmtuara L.H deklaroi se kishin jetuar për 4 muaj e gjysmë bashkë, ndërsa gjatë kësaj kohe i njëjti nuk kishte përdorur dhunë fizike ndaj saj, por kohë pas kohe e kishte humbur kontrollin duke e sharë verbalisht të njëjtën.

Ajo shtoi se ka pasur raste kur i akuzuari i ka mbajtur në tavolinë disa thika dhe armën.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit S.H, avokatja Fatmire Braha, e pyeti të dëmtuarën-dëshmitaren L.H, nëse gjatë këtyre 4 muajve e gjysmë në shtëpi kishte parë ndonjë dokumentacion mjekësor në emër të të akuzuarit, ose nëse i njëjti kishte përdorur ilaqe, nga ku e dëmtuara-dëshmitarja deklaroi se nuk kishte parë gjëra të tilla.

E dëmtuara L.H deklaroi se vetëm dy javët e para të martesës kishin qenë në rregull, duke thënë se më tej i akuzuari kishte filluar me sjelljet e çuditshme, duke shtuar se disa herë i ka thënë të dalë nga shtëpia, duke i thënë pas pak minutave që të kthehet.

“Vllau i tij më ka thanë ik se ky nuk osht mirë, është i lujtun, ka armë, e disa herë është sjellë nëpër shtëpi me armë në dorë”, shtoi tutje e dëmtuara-dëshmitarja L.H.

Për shkak të angazhimeve të prokurorit dhe të njërit anëtar të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor u vendos të shtyhet për datën 16 qershor 2022.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 18 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë ndaj S.H., me arsyetimin se më 26 qershor 2021, në fshatin Dubovc të Komunës së Vushtrrisë, në shtëpinë e tyre, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.H.

Sipas aktakuzës, pas një fjalosje i pandehuri e merr revolen, ia qet dorën rreth qafës bashkëshortes së tij duke i thënë “kam me të myt”, e pastaj e gjuan tri herë, ku e godet në fytyrë, në qafë dhe në krahë.

Sipas aktakuzës, e dëmtuara arrin që t’ia kap revolen duke ia gjuajtur pas krevatit, pas çka i pandehuri merr një thikë dhe i drejtohet të dëmtuarës me fjalët “kam me të gri, kam me të ba masakër”. Në të njëjtën kohë thuhet se e godet disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gjakderdhje dhe mundime të mëdha. Megjithatë, sipas aktit akuzues, përkundër këtyre plagëve të marra, e dëmtuara arrin të shkojë në oborr të shtëpisë së Z.H., ku i njëjti pasi e sheh të gjakosur i ofron ndihmë ndërkohë që i pandehuri vihet në arrati.

Aty thuhet se e dëmtuara përmes ndihmës së shpejtë dërgohet në spitalin e Vushtrrisë, e më pas për shkak të gjendjes së rëndë dërgohet në Prishtinë. Sipas aktakuzës, nga goditjet e marra rezulton se e dëmtuara ka pësuar plagë prerëse shqyese në qafë dhe shpinë, thyerje të pjesës së pasme të degës së nofullës së anës së djathtë dhe të pjesës së jashtme, pjesës së poshtme të këndit të nofullës së majtë, plagë nga armë e zjarrit në regjionin e dy anëve të qafës të shkaktuara nga mekanizmi i veprimit dinamik të predhës së hedhur nga arma e zjarrit, që janë cilësuar si dëmtime të rënda trupore.

Me këtë, S.H. akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se nga data e pavërtetuar e deri më 26 qershor 2021, S.H. ka poseduar pa leje përkatëse pistoletën e markës revole pistoleta “ZORAKI”.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë