Vërejtje gjyqësore për të akuzuarit për kanosje dhe dëmtim të pasurisë

mehmet ndrecaj.foto (3)
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Nëntor 8, 2018

Prizren  – Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, u ka shqiptuar vërejtje gjyqësore Dëfrim dhe Ahmet Elshanit, të cilët akuzoheshin për veprat penale “kanosje” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur pasi që ata e kanë pranuar fajësinë.

Gjykatësi i kësaj çështje penale Mehmet Ndrecaj, gjithashtu i ka obliguar të akuzuarit Elshani, që të paguajnë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 euro, si dhe shumën prej 30 euro për fondin e viktimave.

Në fjalën përfundimtare të akuzuarit Dëfrim dhe Ahmet Elshani, kanë thënë se janë penduar për veprën e kryer dhe se në të ardhmen nuk do të jenë subjekt i kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale, dhe se nga gjykata kanë kërkuar një dënim më të butë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë kundër Dëfrim dhe Ahmet Elshanit, të cilët i akuzon se më 16 shkurt 2015, kanë sulmuar automjetin e të dëmtuarve Bekim Xhaferi dhe Besnik Rexhaj duke u shkaktuar dëme materiale.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ahmet Elshani, në ditën kritike përveç goditjes së automjetit të të dëmtuarve, po ashtu ka kërcënuar me fjalë të dëmtuarit se “nuk guxoni me ardh këtu, largohuni menjëherë”, të cilat fjalë kanë shkaktuar frike dhe ankth te të dëmtuarit.

Sipas organit të akuzës, krejt kjo situatë kishte ndodhur pas përfundimit të punës nga i dëmtuari Bekim Xhaferi dhe punëtori i tij Besnik Rexhaj, të cilët po punonin në një shtëpi sipas kontraktimit të pronarit të shtëpisë.