Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që pranoi se pa leje e kishte marr traktorin e konfiskuar nga Policia

20200211_091730
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 11, 2020

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega Istog, të martën, i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore të akuzuarit për veprën penale të vetëgjyqësisë, Mujë Myrtaj.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Gani Rugova, i cili tha se i pandehuri obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumen prej 50 euro në total, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se gjykatësi Gani Rugova ta shpallte aktgjykimin, i akuzuari e ka pranuar fajësinë, duke shprehur keqardhje për rastin e ndodhur.

“Traktorin e kam marrë për shkak se kam punuar me të, ngase jam i gjendjes se dobët ekonomike. Traktori ka qenë i vëllait, e jo i imi dhe për atë e kam marrë”, ka thënë i akuzuari.

Pas deklarimit të të pandehurit, prokurorja Suada Hamza, i ka propozuar gjykatës që pranimi i fajësisë, atij t’i merret si rrethanë lehtësuese tek matja e dënimit.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës të ngritur më 17 janar 2020, thuhet se i pandehuri Mujë Myrtaj, më 12 janar 2020, rreth orës 11:00, në fshatin Syne të Komunës së Istogut, pikërisht në deponinë e pylltarisë “O.P. Radusha”, në mënyrë arbitrare ka ushtruar të drejtën që ka menduar se i takon, në vend që t’i drejtohet organit kompetent.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte shkuar tek vendi i lartcekur ku edhe po mbahej traktori i tij, i markës “Massey Ferguson”, të cilin i kishin konfiskuar më parë policia, ku nga aty e ka marrë traktorin pa iu drejtuar organit kompetent.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka kryer veprën penale “vetëgjyqësia”, nga neni 410 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi