Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që pranoi se gabimisht mori një veturë në emër të mos kthimit të borxhit

Gjykata 1 (1)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Prill 15, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shqiptuar vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit për veprën penale të vetëgjyqësisë, Agim Ismajli, pasi ai në këtë seancë fillestare e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Ismajli është shpallur të hënën nga gjykatësi i çështjes, Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Ismajli është obliguar të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në llogari të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Në këtë seancë fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Remzush Latifi, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për këtë vepër penale, duke shtuar se nuk kishte dijeni që këto veprime ishin të ndaluara me ligj.

“Nuk e kam ditë që një veprim i tillë i imi paraqet vepër penale, pasi që veturën për të cilën bëhet fjalë nuk e kam marrë vetë, por me shërbimin e bartjes, pasi që kam menduar se e njëjta është pronë e Liridon Sadikut, me të cilin më herët kam pasur një marrëveshje e cila ka pasur të bëjë me një borxh. Unë nuk e kam ditë se kjo veturë është pronë e të dëmtuarës Zyrafete Imeri. Përndryshe një veprim të tillë nuk do ta kisha marrë”, tha i akuzuari Ismajli.

I akuzuari deklaroi se ishte hera e parë që ai ka rënë ndesh me ligjin, se ndihet i penduar për këto veprime, duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm e nuk do të kryej vepra të tilla.

Ky pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Remzush Latifi, dhe u aprovua nga gjykatësi Agim Kuçi me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare, pa kurrfarë presioni, si dhe gjen mbështetje në provat dhe faktet që gjenden në shkresat e lëndës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 qershor 2017, Agim Ismajli akuzohet se në mes të datës 18 korrik dhe 19 korrik 2016, në Fushë Kosovë, në rrugën “Nëna Terezë”, në parkingun e banesave “Apollonia”, në mënyrë arbitrare e ka marrë veturën e markës “Mitsubishi Carisma”, pronë e të dëmtuarës Zyrafete Imeri, duke menduar se e njëjta ishte pronë e Liridon Sadikut, i cili të njëjtit paraprakisht në bazë të një marrëveshjeje gojore i kishte marrë para në shumë prej 1550 euro, lidhur me një biznes dhe ishin dakorduar që nëse nuk ia kthen paratë do t’ia jap veturën, të cilën e kishte deklaruar si të veten.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Agim Ismajli, se ka kryer veprën penale “Vetëgjyqësia”, nga neni 418 par.1 të KPRK-së.