Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për lëndim të lehtë trupor

51675408_305195890198245_6621969311273582592_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Shkurt 8, 2019

Shtërpcë – Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë, i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore, të akuzuarit për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, Branislav Lekiç.

Ai gjithashtu është liruar nga të gjitha shpenzimet procedurale, pasi që i njëjti jeton vetëm me një pension bazik të moshës.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur në seancën fillestare, të mbajtur të premten, pasi paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Ai ka thënë se pranimin e fajësisë e ka bërë me vullnet të plotë dhe pa presion, duke shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Dushko Mantiasheviq, i cili i ka kërkuar që i akuzuari të dënohet sipas ligjit, derisa, sipas tij, si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit e ka aprovuar më pas edhe gjykatësi i rastit, Habib Zeqiri.

Në këtë seancë kishte munguar e dëmtuara Milica Lekiç, e cila sipas fletkthesës gjendet në Beograd.

Ndryshe, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, e ngritur më 27 prill 2017, Branislav Lekiç akuzohet se më 24 korrik 2017 rreth orës 15:00, në fshatin Jazhincë të Komunës së Shtërpcës,  i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarës Milica Lekiç.

Sipas aktakuzës, derisa e dëmtuara ishte duke shkuar tek fqinjët në rrugë e takon të akuzuarin, i cili fillimisht i drejtohet me fjalët “çka po më shikon, kthehu në Beograd prej nga ke ardhur”, e më pas e sulmon duke e shtyrë me dy duart ku e dëmtuara bie në tokë në një sipërfaqe betoni.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i pandehuri i shkakton të dëmtuarës lëndime të lehta trupore, të konstatuara edhe në ekspertizën mjekoligjore.

Ai akuzohej se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188,paragrafi 1, nën par 1.4 të KPRK-së.