Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit për vetëgjyqësi, thotë se paraprakisht kishte kërkuar ndihmë  nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Punës

Gjykata23
Author

Raporton: Anesa Hoxha

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore të akuzuarit për vetëgjyqësi, Fatlum Haxholli.

Këtë aktgjykim e ka shpallur gjykatësja Lumnije Krasniqi, pasi që paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Krasniqi e ka obliguar të akuzuarin të paguaj shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 gusht të këtij viti, të akuzuarit Haxholli i kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor duke e dënuar me gjobë në shumën prej 200, mirëpo që ndaj këtij aktgjykimi i akuzuari brenda afatit ligjor kishe paraqitur kundërshtimin.

Paraprakisht në shqyrtimin gjyqësor, pasi që është lexuar aktakuza nga prokurori Zef Prendrecaj, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“Kam qenë i shtyrë për ta kryer këtë vepër, meqenëse menaxheri i postës “GEP”, nuk më ka paguar pagën mua. Ariani me ka thirr ne telefon me ka thonë hajde merre rrogën edhe kthemi pakot, e paret s’mi ka jep, dhe ato pako unë i kam kthyer kur është paraqitur rasti në polici, mirëpo sot e kësaj ditë pagën nuk ma kanë dhënë”, tha ai.

I akuzuari ka shtuar se deri tek vetëgjyqësia kishte ardhur pasi paraprakisht kishte kërkuar ndihmën nga Policia e Kosovës si dhe nga Inspektorati i Punës por që sipas tij, këto institucione nuk i kishin dal në ndihmë.

“Ariani ma ka marr edhe një telefon edhe paret e rrogës nuk mi ka kthy. Unë së pari ju kon drejtu Stacionit të Policisë në Vranjevc, ata më kanë thonë na nuk mujm me ju ndihmu, edhe jom shku tri here në Inspektoratin e Punës edhe ata më kanë thonë nuk kena kohë mu marr me rastin ton se kemi raste të tjera në teren, edhe unë e kom ndërpre me aq. Unë në të gjitha anët jom kon i bllokun edhe unë nuk kom dit ka mu orientu mo”, shtoi ai.

Lidhur me këtë, gjykatësja e ka informuar të akuzuarin se i njëjti ishte dashur t’i drejtohej Departamentit Civil për të kërkuar kompensimin e pagës së papaguar, e që i akuzuari i është përgjigjur “unë rregullat nuk i kom dit qysh shkojin, unë kom kërku ndihmë po nuk më ka ndihmu kërkush”.

Prezent ishte edhe i dëmtuari Sevdajet Deda, për të cilin i akuzuari tha se në ditën kritike paraprakisht e kishte njoftuar për marrjen e pakove dhe i njëjti nuk e kishte kundërshtuar.

“Unë i kom edhe disa punëtorë tjerë dëshmitarë që kanë punu në qatë firmë edhe s’ju kanë dhonë paret, i njëjti rast si ky. E din edhe ky shumë mirë se unë këtij nuk ja kom marrë pakot me dhunë, unë i kom thonë vi edhe i marrë edhe ky më ka thonë nuk më intereson ajo, shlir hajde merri”, tha Haxholli.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuari është pajtuar edhe prokurori Prendrecaj me arsyetimin se ky pranim është në përputhje me nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale.

Në fjalën e tij përfundimtare prokurori Prendrecaj ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit, dhe që gjatë matjes së lartësisë së dënimit të merr parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe si rrethanë rënduese faktin që i akuzuari në mënyrë arbitrare kishte marrë drejtësinë në dorën e tij.

Ndërsa i akuzuari ka kërkuar që ndaj tij gjykata t’i shqiptojë një dënim sa më të butë, me arsyetimin se kishte qenë i shtyrë ta kryente veprën penale, dhe i njëjti ka njoftuar gjykatën se nuk ka qenë i dënuar më parë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 qershor 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj Fatlum Haxhollit, të cilin e akuzon se më 18 nëntor 2019tek Xhamia e Fshatit Barilevë, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje paraprake rreth një borxhi që pretendonte që i’a kishte posta private “GEP”, e kishte thirru në telefon të dëmtuarin Sevdajet Deda dhe për ta realizuar kompensimin e borxhit pa dëshirën e tij ia kishte marrë të dëmtuarit tri pako  në vlerë prej 150 euro, derisa i njëjti ishte duke e shpërndarë postën nëpër shtëpi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtat të cilat ka menduar se i takojnë, në vend se t’i drejtohet organit kompetent.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vetëgjyqësia”, nga neni 410 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi