Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit për aksidentin ku kishte goditur këmbësoren

lipjan
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Tetor 11, 2018

Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të enjten, i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore të akuzuarit për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Shpejtim Krasniqi, pasi që ai paraprakisht e pranoi fajësinë.

I akuzuari Krasniqi, është obliguar që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 60.88 euro, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 euro, në emër të kompensimit të viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, pala e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të 10 tetorit 2018, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit, Merita Lumezi, i akuzuari ka deklaruar se e ndien veten fajtor për veprën e cila i vihet në barrë.

Ai ka shtuar se ndien keqardhje për aksidentin e shkaktuar, duke premtuar që nuk do të përsëris më një vepër të tillë.

Prokurorja e çështjes, Merita Lumezi, ka deklaruar se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas saj është bërë konform dispozitave përkatëse të KPPRK-së.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi, pas kësaj e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Shpejtim Krasniqi.

Sipas kësaj aktakuze, Krasniqi akuzohej se më 29 korrik 2016, rreth orës 13:20, derisa e drejtonte automjetin  në rrugën “Haredin Bajrami” në Lipjan, i cili nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 151. par 1  të LSKRP-së, ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Krasniqi e kishte bërë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit në rrugë, me ç’rast e kishte goditur këmbësoren e mitur O. V, të cilës i kishte  shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me çka, sipas prokurorisë, i akuzuari kishte kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni.378 par.6 lidhur me par.1 të KPRK-së.