Verdikti për Nuhi Ukën më 7 tetor

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari ndërkombëtar, Arcadius Szedek, kanë vendosur që me 7 tetor të këtij viti, të përfundojnë çështjen në rastin e njohur të Nuhi Ukës.

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar dhënia e fjalëve përfundimtare nga mbrojtësit e të akuzuarve, në rastin Nuhi Uka dhe të tjerët.

Me këtë rast, ka dhënë fjalën e tij përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Havolli, avokati Selatin Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se i mbrojturi i tij nuk ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi që ai ka bërë vetëm matjet e pronës dhe objektit, sipas kërkesës së gjykatës. Ka shtuar se klienti i tij nuk ka pasur për detyrë që të bëjë komentimin e objektit dhe pronës por vetëm të bëjë matjet dhe të përpilojë raportin.

Tutje ka shtuar se i mbrojturi i tij nuk ka pasur ndikim në vendimin e gjyqtares Sanije Muçolli, por se vetëm ka zbatuar urdhëresën e saj për të bërë ekspertizën e pronës dhe objektit.

Në këtë seancë, ka dhënë fjalën e tij përfundimtare edhe mbrojtësi i ish gjyqtares Sanije Muqolli, avokati Visar Vehapi, i cili ndër të tjera ka thënë se prokurori i rastit ka dështuar në kualifikim juridik të veprave penale ndaj të mbrojturës së tij.

Vehapi ka thënë se për të njëjtat veprime të të mbrojturës së tij, prokuroria ka ngritur katër vepra penale, ndërsa ka shtuar se koha e kryerjes së tyre ka mospërputhje.

Sipas tij, përderisa për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare akuzohet për periudhën prej vitit 2004-2006, për veprën penale të pjesëmarrjes në krim të organizuar, akuzohet për periudhën 2004-2012. Andaj ka ngritur pyetjen se si ka mundësi të akuzohet për veprën penale, për një periudhë më të gjatë se që ka vepruar veprën bazë si gjyqtare.

Vehapi ka deklaruar se vepra penale e krimit të organizuar nuk mund të qëndrojë si e vetme pa veprën penale bazë, e për veprën penale bazë është e akuzuar vetëm për periudhën deri 2006.

Për fund ka deklaruar se e mbrojtura e tij ka vendosur plotësisht sipas ligjit sepse ka vendosur në bazë të ekspertizës së gjeodetit, ligjeve në fuqi të kohës dhe praktikave gjyqësore, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Szedek, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe seancën e radhës e ka caktuar për 5 tetor 2016, ora 10:00, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 7 tetor 2016, në ora 10:00.

Në seancën e radhës pritet të vazhdojë fjalën e tij avokati Vehapi dhe Nuhi Uka i cili ka kërkuar që të deklarohet edhe një herë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, ngarkon Nuhi Ukën dhe Fehmi Havollin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, Sanije Muçolli tani me profesion avokate dhe ish-gjyqtare, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Akuza përfshinë edhe Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani Cakaj, të cilat akuzohen për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rremë.

Sipas aktakuzës, këta persona kanë qenë në një grup të organizuar kriminal, në krye të të cilit ka qenë Nuhi Uka, ish Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Prokurori i Eulex-it, Danillo Chicarelli, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se Nuhi Uka, që nga vitet e 80-ta ka filluar përgatitjet për të marrë pronën për të cilën akuzohet se e ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, Uka ka përdorur familjarët e gruas dhe ndikimin e tij në gjykatë dhe komunë për të arritur qëllimin e tij.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë