Fahret Velija, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV tha se u janë aprovuar 6 milionë më pak buxhet se që kanë kërkuar, gjë që ndikon në efikasitet.
“Edhe drejtori e ka cekur këtë, besoj që këto të dhëna nuk kanë nevojë të përsëriten, veç një fakt është interesant që për vitin 2022 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kërkesa ishte për 38 milionë e 623 mijë, ndërsa është aprovuar 32 milionë. Do me thënë 6 milionë ma pak nga ajo që kemi kërkuar ne, që kjo ndikon me automatizëm në efikasitetin e gjyqësorit. Veç një fakt po e përmendi, statistikat po i lidhi me vitin 2019 dhe 2021, për shkak se 2020 nuk du me marrë se ishte vit i pandemisë dhe nuk mund të merret me statistika. Në vitin 2019 në gjykatat e Kosovës janë pranuar 96 mijë e 419 lëndë, ndërsa buxheti për këtë vit i aprovuar ishte 28 milionë e 404 mijë euro, ndërsa në vitin 2021 në gjykata janë paraqitur 139 mijë lëndë, që do të thotë se i kemi 43 mijë lëndë më shumë se në vitin 2019, ndërsa buxheti i vitit 2021 është ma i vogël se buxheti i vitit 2019, do të thotë buxheti për vitin 2019 ishte 28 milionë, ndërsa për vitin 2021, 29 milionë e 194 mijë. Do me thënë kemi lëndë më shumë, kemi efikasitet ma pak për shkak të buxhetit”, tha Velija.
Ai shtoi se kërkesat e KGJK-së për rritje të buxhetit ishin paraparë pikërisht për pozitën në sistemin gjyqësor.
“Ligji për gjykatat ka hyrë në fuqi në 2013-ën, ku është paraparë që secili gjyqtar është paraparë të ketë një bashkëpunëtor, gjë që nuk u realizu. Në 2013-2022 jemi sot”, tha ai.
I njëjti përmendi edhe Gjykatën Komerciale, ku tha se është dashtë të aprovohen 82 pozita dhe janë aprovu 50 dhe kjo ndikon në efikasitet. /BetimipërDrejtësi