VEÇOHET PROCESI GJYQËSOR NDAJ TË AKUZUARIT NË ARRATI BAHRI VESELI
Raporton: Arbelina DEDUSHAJ
Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të martën, është mbajtur seanca ndaj Bahri Veselit, Xhemshit Dedincës, Afrim Gashit dhe Pajazit Dushkut të akuzuar për veprat penale në bashkëkryerje “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit “, ”legalizim i përmbajtjes së pa vërtetë” dhe “pastrimi i parasë”.
Në këtë seancë me propozim të prokurores Ferdane Sylejmani është veçuar lënda ndaj të akuzuarit Bahri Veseli, pasi i njëjti gjendet në arrati. Ndërsa ndaj tre të akuzuarve tjerë është shtyrë seanca, pasi anëtarja e trupit gjykues Lumnije Krasniqi, kishte caktuar termin për një kontroll mjekësore.
Po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit Xhemshit Dedinca avokati Kapllan Baruti deklaroi se për çështjen konkrete penalo-juridike nuk janë plotësuar kushtet për veçimin e procedurës penale, pasi kundër të akuzuarit Bahri Veseli pa marrë parasysh informatave të siguruara nga policia që i njëjti nuk gjendet në adresën e shënuar në udhëresën mbi vërtetimin e vendbanimit, nuk janë shterrë të gjitha mundësitë ligjore për sigurimin e të akuzuarit për praninë e tij në seancën gjyqësore.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Gashi, avokati Ramë Dreshaj kërkoi nga gjykata që mos të veçohet lënda për të akuzuarin Bahri Veseli, por të njëjtit t’i lëshohet një fletarrest i ri për këtë çëshje penale që është objekt i senacës gjyqësore dhe njëkohësisht të sigurohet informacioni se urdhëresa e mëparshme për veprat tjera penale, të kryera nga i akuzuari në fjalë a është në fuqi apo jo.
Gjykatësja Shadije Gërguri deklaroi se pas një bisede telefonike me personin përgjegjës për databazën, ku regjistrohen fletarrestet, i njejti kishte vërtetuar se urdhër arresti është ende në fuqi.
Sipas aktakuzës së 7 korrikut 2008 të akuzuarit Bahri Veseli, Xhemshit Dedinca, Afrim Gashi dhe Pajazit Dushku kanë vënë në lajthim ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë për të vërtetuar një çështje të pa vërtetë si e vërtetë duke e paraqitur si provë një dëftesë të përpiluar gjoja se e dëmtuara Sava Arsiq ka pranuar vlerën prej 300 mijë eurosh me datën 6 shtator 2006 në vendin e quajtur ”Merdar”. Po ashtu kjo dëftesë ishte përpiluar si autorizim i simuluar nga autorizuesja Sava Arsiq për të autorizuarin Xhemshit Dedincën, i njëjti duke pretenduar se e ka vërtetuar në Nish. Seanca e ardhshme u caktuar për 20 prill 2016 në ora 14:30.