Veçohet procedura ndaj Bujar Bukoshit, derisa Ilir Tolaj e të tjerët e kundërshtojnë edhe aktakuzën e ndryshuar, prokuroria thotë se ka prova

20190611_140430
Author

Raporton: Medina KADRIU

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Pasi që për shkak të mungesës së tij, disa herë kishin dështuar seancat, Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, e ka veçuar procedurën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, njëherësh edhe ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi, i akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Bashkë me Bukoshin, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar, akuzohet edhe ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, edhe Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas veçimit të procedurës për Bukoshin, seanca ka vazhduar me deklarimin e të akuzuarve tjerë dhe dhënien e fjalës hyrëse.

Sa i përket Bukoshit, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, deklaroi se ka pranuar shkresë dhe dokumentacion nga mbrojtësi i Bukoshit, avokati Besnik Berisha që klienti i tij është në regjim shtrati.

“Nga mjekët kemi pranuar konstatimin përfundimtar që gjendja e tij është e vështirë dhe s’mund të marr pjesë në gjykim”, deklaroi ajo.

Pas kësaj, avokati Berisha ka deklaruar se meqenëse është bërë veçimi i procedurës ndaj Bukoshit dhe çështja e tij tash merr numër të ri të lëndës, ka thënë se do të jetë njëkohësisht edhe mbrojtës i Tolajt.

Prokurorja Fejzullahu, deklaroi se propozimi i mbrojtësit që aktualisht mbron Bukoshin, e për të cilin është veçuar procedura nuk mund të përfaqësojë të akuzuarin Ilir Tolaj, pasi që në këtë çështje penale provat janë të ndërlidhura dhe është lëndë që është kthyer në rigjykim.

“Ideja që është pajtohem se në këtë çështje penale, në rastin konkret në një çështje penale po e mbroj vetëm z. Tolaj. Çështja penale ndaj Bukoshit a do të arrijë fundin a jo, nuk e di. Nëse do të kishte konflikt mes klientëve, sigurisht do të refuzoja vet. Në asnjë dispozitë në mënyrë eksplicite nuk ndalon të mbrohet një pra jo dy, z. Bukoshi u veçu procedura, ai ka një çështje penale tjetër me një numër tjetër”, tha Berisha.

Edhe i akuzuari Tolaj, deklaroi se autorizon Berishën që në këtë çështje penale ta mbrojë atë, e një propozim i tillë është pranuar nga trupi gjykues, e më pas avokati Berisha, e ka revokuar autorizimin si përfaqësues i Bukoshit.

Pasi që ky rast është kthyer në rigjykim, pas leximit të aktakuzës, të gjithë të akuzuarit sërish janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se te pika 8 e akuzës ka parashkrim në drejtim me të akuzuarin Fejza.

Në fjalën e saj hyrëse, prokurorja deklaroi se aktakuza është e mbështetur dhe e arsyetuar me shumë prova materiale dhe jo materiale.

“Vlen të theksohet se në këtë çështje penale, dëshmitarë të shumtë e në të njëjtën kohë edhe të dëmtuar kanë dhënë dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar gjendjen faktike sipas aktakuzës. Dëshmitarë këta që do të dëgjohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, dëshmitarë si Bekim Deshishku, Faton Çitaku, Rajmonda Hyseni etj, sepse identitetin e dëshmitarëve të tjerë i keni në aktakuzë”, tha ajo.

Sipas saj, bazuar në ndërlidhshmërinë e plotë të provave materiale dhe jo materiale, konsideron se teza e akuzës dhe gjendja faktike pas administrimit të provave të propozuara do të vërtetohet në tërësi.

“Lidhur me pikën 8 të aktakuzës që ka të bëj me të akuzuarin Hajrullah Fejza, prokuroria konsideron se nëse ka arritur parashkrimi i kësaj vepre, e njëjta ka ndodh në gjykatë dhe se prokuroria nuk është kompetente për tu deklaruar rreth saj. Ndërkaq, gjykata duhet të veproj si pas detyrës zyrtare”, tha ajo.

Avokati Berisha, që tanimë mbron të akuzuarin Tolaj, deklaroi se është tragjedi për buxhetin dhe “miletin” që prokuroria nuk ka guxim të deklarohet së paku për parashkrim absolut.

“Më duhet të ju tregoj se gjithçka çka lexoj zonja është gjyku, ka pas aktgjykim të datës 19 korrik 2013, një trup gjykues në përbërje shumicë ndërkombëtare, jo vetëm që i ka rrëzu përrallat e shkruara nga Maria Bamieh që vet EULEX-i dikur e ka cilësuar me probleme psikike, por ka vendos që klienti im dhe të tjerët këtu ishin pjesë e gjuetisë së shtrigave, viktima që kushdo që ishte paraqit në prokurori asokohe dhe nuk e kishte përmend emrin e Ilir Tolaj e Bujar Bukoshit, prokurorja e kishte nxjerrë jashtë. Këtë konstatim e gjeni edhe në Youtube ku është shpall aktgjykimi”, tha ai.

Sipas tij, do të provohet vetëm viktimizimi i shumëfishtë i këtyre që sot paraqiten shkelës të ligjit, e mbi të gjitha do të provohet se vërtetë buxheti i Ministrisë të Shëndetësisë është grabitur në mënyrë të kundërligjshme, u pasuruan biznese të caktuara sepse siç tha ai, drejtësia asokohe nuk veproi.

Ai u deklarua edhe rreth vazhdimësisë së veprës penale në aktakuzën e ndryshuar nga Prokuroria Speciale.

“S’ka veprim, s’ka vazhdim, është shpifje e kësaj prokurorie. Është arritur trefishi i parashkrimit për nxitje të dikujt me kry diçka që se ka kry. Zonjusha Pajaziti ishte shpall fajtore për një pikë të aktakuzës dhe veprimi që konsiderohet është 31 dhjetor 2007, po ashtu 12 vjet. Të gjitha pikat tjera të aktakuzës, të cilat kishte vendim unanim lirues nuk ishin në asnjë kohë e asnjë moment në vazhdimësi, si parashtrohet sot me nenin 81”, tha ai.

Në vijim, ai tha se neni 395 i KPPK-së, ia ndalon kësaj prokurorie që të keqësojë pozitën e të pandehurit, pasi sipas tij, nuk ka pasur asnjë pretendim që veprat penale janë kryer në vazhdimësi.

“Ashtu si obligohen për prova shfajësuese dhe për gjetjen e së vërtetës, prokuroria ka për detyrim të deklarohet kurdo që shkaqet ligjore e pamundësojnë ndjekjen penale për dikë që këta e kanë akuzuar. Kërkojmë nga gjykata të vendos për secilën pikë të aktakuzës që është arrit parashkrimi absolut pa vijuar më tutje sepse do të ishte në interes të drejtësisë dhe ekonomizimit të procedurës”, tha ai.

I akuzuari Tolaj, deklaroi se dëshiron të kthej vëmendjen te gjykata se asnjë nga të akuzuarit të përmendur në pikën 1 të akuzës nuk kanë punuar në vazhdimësi, nga viti 2007, deri në vitin 2012.

“Unë kam filluar punën në gusht 2007 dhe në mars 2008 është ndërprerë. Ndërsa, si sekretar kam filluar në vitin 2010 deri në vitin 2012. Arbenita Pajaziti nuk ka punuar gjatë vitit 2011 në Ministrinë e Shëndetësisë, e di mirë se unë e kam larguar nga puna. Zenel Kuqi e kam transferuar në Spitalin Rajonal të Ferizajt, nuk ka pasur fare të bëj me ministri. Zenel Kuqi ka ardhur në ministri pas datës 20 dhjetor 2010, nuk ka qenë gjatë viteve 2007 e 2008. Bekim Fusha ka punuar nga fundi i vitit 2009, deri në vitin 2012, ndërsa Hajrullah Fejza ka punuar nga viti 2010, deri më 13 janar 2012”, tha ai,

Tutje, ai tha se në faqen 2 thuhet se “Jona Med” ka bërë padi civile në Gjykatën Ekonomike më 1 tetor 2010, ndërsa sipas tij, thuhet se padia ishte e suksesshme në vitin 2008.

“Në anën tjetër, në pikën 7, në pikën 4 thuhet se Ilir Tolaj ka shërbyer si Sekretar i Përhershëm nga 1 qershor 2006 deri më 10 mars 2008, gjë që nuk është e vërtetë, unë kam filluar punën më 20 gusht 2007, kontrata me “Jona Med” ka kaluar për më pak se një muaj që unë kam ardh në punë. Në faqen 6 thuhet se Ilir Tolaj e Zenel Kuqi kanë keqpërdorur pozitat e tyre nga 1 janari 2009, deri në 31 dhjetor 2011, si është e mundur ta keqpërdor dikush detyrën, në këtë rast Zeneli kur atëherë nuk ka qenë farë në ministri?”, tha ai.

I akuzuari Tolaj deklaroi se pika 12, e aktakuzës ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës, në kuptimin që në mënyrë të jashtëligjshme e ka larguar Maliqi nga pozita e tij dhe e ka transferuar në Shtime.

“Dua të pyes gjykatën a është e mundur që një çështje të gjykohet dy herë, meqenëse ka aktgjykim të Supremes që e konsideron të ligjshëm veprimin tim”, tha ai.

E akuzuara Pajaziti tha se mbështet deklaratat e saj të mëhershme dhe atë çfarë avokati Berisha deklaroi gjatë këtij gjykimi.

“Unë kam qenë në ministri e punësuar si zyrtare e farmacisë. Asnjë nga veprimet e përshkruara në aktakuzë nuk janë veprime të mia. Kjo është sikurse unë t’i them Burbuqes që ka marr një vendim në vend të gjykatës e që ajo është praktikante. Nuk kam nënshkruar kontrata, as nuk kam formuar komision, e as nuk kam marr pjesë në procedura të prokurimit”, tha ajo.

Avokati Ramë Gashi deklaroi se me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hajrullah Fejza për pikën 1.9 dhe 12 të aktakuzës është liruar në mungesë të fakteve se ka kryer veprën penale për të cilat akuzohet edhe me aktakuzën e ndryshuar.

“Ndërsa, sa i përket pikës 8.2 dhe 8.3 të aktakuzës, jemi në gjendje se jo tani, por shumë kohë më parë ka ardhur në shprehje parashkrimi absolut i ndjekjes penale për arsye se dënimi me ligj për këto vepra penale është dënim me burgim deri në 3 vite. Pra, parashkrimi absolut arrihet për 6 vite, ndërsa koha që pretendon aktakuza për kryerjen e veprës penale është muaji dhjetor i vitit 2010 dhe viti 2011”, tha ai.

Ai tha se i propozon gjykatës që për këto dy pika të merret vendim për shkak të parashkrimit absolut.

“Ndërsa, në qoftë se gjykata lëshohet në procedim të çështjes, mbrojtja është e bindur se provat ekzistuese në lëndë dhe ato që mbrojtja ka paraqitur do të provojnë edhe njëherë atë që ka gjetur dhe gjykuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës të vitit 2013”, tha ai.

I akuzuari Zenel Kuqi, sa i përket procedurës në përgjithësi tha se e përkrah fjalën e avokatëve dhe se mbetet pranë kundërshtimeve të ushtruara më herët.

Avokati Osman Mehmeti, që mbron Bekim Fushën, deklaroi se prokuroria me asnjë provë nuk ka vërtetuar dhe nuk ka prezantuar se i mbrojturi i tij, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Të vetmen provë që e përmend prokuroria dhe e mbështet akuzën është deklarata e Berat Murmullakut, e cila është e përjashtueshme, nuk është kredibile pasi i njëjti disa herë e ka ndërruar deklaratën. Në polici ka thënë ndryshe, prokurori ndryshe e shqyrtim gjyqësor ndryshe.  Ai ka qenë vet në fillim i dyshuar pasi ka qenë kryetar i komisionit të prokurimit, po çfarë ka ndodh me të nuk e di”, tha ai.

Sipas tij, ai dëshmitar vet ka pranuar se dokumentin nuk e ka dorëzuar kur është mbajtur procesverbali lidhur me prokurimin, por e ka mbajt në zyre.

Ai tha se i mbrojturi i tij është i pafajshëm dhe se sa i përket nenit 81, klienti i tij akuzohet vetëm për një veprës penale.

“Neni 31, par.6, pika 6 për të ekzistuar vepra penale në vazhdimësi duhet të jenë të kryer dy apo më shumë vepra penale”, tha ai.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 25 korrik, nga ora 9:00.

Pretendimet e akuzës së ndryshuar:

Me aktakuzën e ndryshuar të dorëzuar në Gjykatë, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha e Bujar Bukoshi akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të Përkohshëm Penal, aktualisht e penalizuar me paragrafin 1 të nenit 422 dhe 423 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se Ilir Tolaj, Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH)dhe Arbenita Pajaziti, zyrtare për furnizim në MSH, mes datës 26 shtator 2007 dhe 1 tetor 2007, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke lejuar në kontratë ligjërisht të detyrueshme me “Jona Med” të kalonte pa respektuar kushtet dhe kriteret e saj. Sipas aktit akuzues, “Jona Med”, kishte ushtruar padi kundër MSH për lejimin e dështimit të kontratës pa përmbushur detyrimet e saj nën të dhe pastaj lidhjen e kontratës me kompani të tjera farmaceutike, e kontrata kishte qenë në vlerë prej 3.8 milionë euro. Padia kishte qenë e suksesshme, e aktakuza thotë se Gjykata Ekonomike ka marr vendim për dëmshpërblim kundër MSH në vlerë prej 1.5 milionë, përveç kostove të drejtimit të procesit të ri dhe të panevojshëm të tenderit.

Ilir Tolaj, më tutje thuhet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, pasi i ka thënë komisionit vlerësues se cili operator duhet të zgjidhet në dy tenderë emergjentë, një tender kishte thënë t’i jepet “Koslabor” e tjetri Kompanisë Ekskluziv nga Gjilani.  Sipas aktit akuzues pronari i kësaj të fundit , Burim Shkodra kishte qenë student i Tolaj e në lidhje me Arbenita Pajazitin pasi kjo e fundit i kishte shitur licencën e saj vëllait të Arsim Shkodrës. Sipas akuzës, Tolaj nuk ka dëshiruar të ndërronte kontratat ekzistuese të MSH sepse dëshironte që të lëshonte kontratë të reja në interesa të veta dhe për përfitimin material të atyre me të cilët kishte lidhje financiare ose ndryshe. Kurse, Pajaziti, akti akuzues thotë se ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare pasi nuk ka deklaruar konfliktin e interesit dhe nuk është larguar nga komisioni i vlerësimit.

Tolaj dhe Pajaziti, akuzohen se kanë kërkuar vet e përmes Alban Pozhegut, nga Raimonda Hyseni për të nënshkruar se kinse ka marrë pjesë në vlerësimin e tenderëve, kur ajo nuk kishte marrë pjesë fare. Një gjë e tillë, konsiderohet se u ka mundësuar fituesve të tenderëve përfitime materiale. Sipas akuzës,  procedurat tenderuese për këto kontrata nuk kanë qenë në përputhshmëri me Ligjin për Prokurimin Publik të 15 Janar 2004.

Tutje, në akuzë thuhet se Tolaj e Pajaziti kanë keqpërdorur pozitat e tyre në nëntor dhe dhjetor të vitit 2007, duke takuar furnizuesit në datë të ndryshme ndërmjet 15 dhe 18 nëntorit dhe duke u kërkuar furnizuesve të cilët nuk kanë mundur të furnizojnë deri më 21 dhjetor 2007, të sigurojnë garanci bankare. Akuza thotë se garancitë bankare ishin mënyrë që furnizuesit të paguhen nga buxheti financiar i vitit aktual për mallra që do të dorëzohen në vitin e ardhshëm financiar. Pajaziti, sipas akuzës, i ka thënë komisionit për pranim që të nënshkruante një deklaratë të rrejshme të pranimit të barnave nga furnizuesit të cilët nuk ishin në gjendje të furnizonin MSH para 21 dhjetor 2007. Tolaj e Pajaziti, thuhet se kanë bërë të mundur që furnizuesit të merrnin një përfitim material, domethënë pagesa paradhënie me mashtrim, e Pajaziti thuhet se ka mashtruar Ministrinë e Financave duke i thënë Komisionit për Pranim të nënshkruaj certifikata të rreme të pranimit  duke pretenduar se malli ishte marrë kur në fakt nuk kishte qenë kështu. Më tej, thuhet se kur produktet janë pranuar pas 21 dhjetor 2007, ato nuk kanë qenë në përputhje me kontratat.

Sipas akuzës, më tutje thuhet se Tolaj ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke drejtuar një fushatë për të dëmtuar “Jona Med” e këtë duke u siguruar që kjo kompani të mos fitojë asnjë kontratë nga MSH, duke dërguar inspektor dhe duke kërkuar që t’i dënojnë, duke bërë kallëzime penale dhe padi civile ndaj “Jona Med” dhe duke përdorur ndikimin e tyre për të siguruar që “Jona Med” të mos merrte licencat e importit dhe eksportit.

Ilir Tolaj dhe Bujar Bukoshi, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare në qershor të 2010, kur Tolaj ishte këshilltar personal i Bujar Bukoshit, sipas aktakuzës, Tolaj ka përdorur influencën e tij si Këshilltar që kontrata një plus e fituar nga “Jona Med”të mos vazhdohet. Edhe pse kontratat kanë qenë të hartuara, Bujari Bukoshi nuk kishte nënshkruar kontratat për “Yess Pharm” apo për “Jona Med”. Dy kompanitë kanë ngritur padi civile kundër Ministrisë.

Tolaj, Fejza, Fusha, dhe Kuqi, sipas aktakuzës,  mes 1 mars 2011 dhe 30 prill 2011kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke ndarë kontratë për “ Lirimed”.  Nuk i’u kanë përmbajtur procedurave të prokurimit pasi ka ekzistuar një raport përfundimtar i nënshkruar, me të cilin i është ndarë kontrata “Jona Med”.  Kuqi, udhëheqës i prokurimit, thuhet nuk e ka nënshkruar, dhe komisioni vlerësues ka vazhduar duke i ndarë kontratën kompanisë që nuk i përmbush kriteret e tenderit.

Tolaj, dhe Kuqi,  akuzohen se kanë shpërdorur detyrën zyrtare  nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2011 duke shpallur dhe pastaj pa ndonjë arsye të mirë duke anuluar tenderët për barëra esenciale për pacientë, “Beta”, “Interfon” dhe “Fluradabine”. Pronari i kompanisë që furnizonte me këto barëra, sipas aktakuzës nuk është pëlqyer nga Ministria, dhe në vend së të përdornin përjashtime nga Ligjet e Prokurimit, këta të fundit kanë vazhduar me heqjen dhe anulimin e tenderëve për këto barëra.

Zenel Kuqi, thuhet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke mos mbajtur shënimet për lotet 72 dhe 73 të cilat përmbanin dosjet e Sante Pharm, e kjo sipas akuzës ka nënkuptuar se nuk ka qenë e mundur të sfidohej vendimi për këto lote.

Ilir Tolaj dhe Arbenita Pajaziti akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në tentativë.

Ata thuhet se kanë tentuar të keqpërdorin detyrat zyrtare. Sipas akuzës, më 30 nëntor 2011 ose rreth kësaj date, Bekim Deshishku ishte thirrur në takim për të zgjidhur një kontest civil ndërmjet palëve. Në takim kishin qenë të pranishëm ehe Tolaj , Pajaziti e Ismet Hyseni. Në këtë takim thuhet se Pajaziti i kishte thënë Deshishkut që ta tërheq padinë që e kishte ngritur në Gjykatën Ekonomike. Sipas akuzës, Deshishkut i ishte thënë se nëse ai vepron kështu do të merrte një kontratë me një tender të emergjencës në vlerë prej 70.000 euro  dhe do të konsiderohej i favorshëm për tenderët e ardhshëm. Të pandehurit Tolaj, Pajaziti dhe Hyseni pretendohet se me 30 nëntor 2011 kanë duke tentuar t’i japin kompanisë “Jona Med” përfitim material në vlerë prej 5.000 eurove duke fituar një tender dhe kontratë në vlerën prej 70.000 euro. duke vepruar jashtë autoritetit të tyre financiar.

Hajrullah Fejza, shef i atëhershëm i kontrollit të cilësisë, akuzohet se duke vepruar si zyrtar i MSH-së, në data të ndryshme ka kërkuar ryshfet.

Tolaj e Fejza, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare rreth ose në 24 dhjetor 2010 duke ndërhyrë në procesin e tenderit për Glivek duke insistuar që zyrtari i prokurimit Enver Maliqi të nënshkruaj dhënien e tenderit për “Farmkos”, kur kjo ishte shkelje e patendetës ndërkombëtare të Novartis. Ata thuhet se kanë insistuar që Maliqi të nënshkruante raste për lote ku kishte vetëm dy oferta, ndërsa ligji kërkonte tre oferta të përgjegjshme.

Pretendimet e aktakuzës së mëparshme

Ndryshe, aktakuza e përpiluar nga Prokurorja Speciale e EULEX, Maria Bamieh, ngarkon Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha, Alban Thaçi, Basri Asllani dhe Bujar Bukoshi, Nexhat Shabani, Imer Ajeti me kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Ilir Tolaj,  në atë kohë sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, dhe Ismet Hyseni si zyrtarë në po atë Ministri, në një datë mes 26 shtatorit 2007 dhe 1 tetorit 2007 kanë shpërdoruar detyrat zyrtare, duke lejuar një kontratë të obligueshme ligjore me kompaninë “Jona Med”, të skadojë pa përmbushur kushtet. Pas padisë të “Jona Med” ndaj Ministrisë së Shëndetësisë,  buxhetit të Kosovës iu shkaktua humbje prej 1.5 milion euro. E tëra kjo si pasoje të mosnjohjes së obligimeve kontraktuale ndaj kompanisë “Jona Med” dhe ndërprerjes së kontratës nga Ilir Tolaj.

Tutje, sipas aktit akuzues, Tolaj akuzohet se shpërdoroi detyrën e tij zyrtare, duke i thënë komisionit vlerësues se kush duhet të zgjidhej në dy tenderë emergjent, duke udhëzuar një tender t’i jepej “ Koslabor”, ndërsa tjetri “Exclusive Company”. Sipas aktakuzës , Tolaj nuk ka dashur të respektoj kontratën ekzistuese të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ka dashur të lëshoj kontrata të reja në interes të tij dhe për përfitime materiale për ata me të cilët kishte lidhje financiare apo lidhje të tjera.

Tolaj dhe Pajaziti, akuzohen se kanë kërkuar nga Raimonda Hyseni për të nënshkruar se kinse ka marrë pjesë në vlerësimin e tenderëve, kur ajo nuk kishte marrë pjesë fare. Një gjë e tillë, konsiderohet se u ka mundësuar fituesve të tenderëve përfitime materiale. Fituesit kanë marrë kontrata substanciale, ku procedurat tenderuese për këto kontrata nuk kanë qenë në përputhshmëri me Ligjin për Prokurimin Publik të 15 Janar 2004.

Arbenita Pajaziti, sipas aktakuzës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos deklaruar se ka konflikt interesi dhe duke mos përjashtuar veten nga komisioni vlerësues për tenderë.

Tolaj, Pajaziti, Hyseni, Kuqi, Fejza,dhe Bukoshi, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrat zyrtare duke udhëhequr një fushatë për të dëmtuar kompaninë “Jona Med”. Këtë veprim akuzohen se e kanë bërë duke u siguruar që “Jona Med” të mos marrë asnjë kontratë nga Ministria e Shendetësisë, duke dërguar inspektorë te kompania në fjalë dhe duke u kërkuar që ta dënojnë, dukë përgatitur një numër të tepruar të kallëzimeve penale dhe padive civile kundër kompanisë “Jona Med”, dhe duke përdorur influencën e tyre për të siguruar që kjo e fundit të mos marrë licencë për import- eksport.

Ilir Tolaj dhe Bujar Bukoshi, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare në qershor të 2010, kur Tolaj ishte këshilltar personal i Bujar Bukoshit, sipas aktakuzës, Tolaj ka përdorur influencën e tij si Këshilltar që kontrata një plus e fituar nga “Jona Med”të mos vazhdohet. Edhe pse kontratat kanë qenë të hartuara, Bujari Bukoshi nuk kishte nënshkruar kontratat për “Yess Pharm” apo për “Jona Med”. Dy kompanitë kanë ngritur padi civile kundër Ministrisë.

Tolaj, Fejza, Fusha, dhe Kuqi, sipas aktakuzës, kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke ndarë kontratë për “ Lirimed”.  Nuk i’u kanë përmbajtur procedurave të prokurimit pasi ka ekzistuar një raport përfundimtar i nënshkruar, me të cilin i është ndarë kontrata “Jona Med”.  Raportin Kuqi nuk e ka nënshkruar, dhe komisioni vlerësues ka vazhduar duke i ndarë kontratën kompanisë që nuk i përmbush kriteret e tenderit.

Tolaj, Fusha dhe Kuqi, akuzohen se kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke publikuar dhe pastaj pa ndonjë arsye të mirë duke anuluar tenderët për barëra esenciale për pacientë, “Beta”, “Interfon” dhe “Fluradabine”. Pronari i kompanisë që furnizonte me këto barëra, sipas aktakuzës nuk është pëlqyer nga Ministria, dhe në vend së të përdornin përjashtime nga Ligjet e Prokurimit, këta të fundit kanë vazhduar me heqjen dhe anulimin e tenderëve për këto barëra.

Fejza, Tolaj, Fusha, gjithashtu akuzohen se Fadil Lubeniqit që kishte fituar një tender për furnizimin e pikave intravenoze ,ku  çmimi për një infuzion ishte 36 cent ndërsa Lubeniqi fitonte 2 cent, nuk ia kanë vazhduar kontratën pasi i njëjti nuk ka pranuar të paguaj 10% për të vazhduar kontratën. Dhe më pas kontratën ia kanë dhënë kompanisë “EXCLUSIVE” ku çmimi ishte 45 cent për infuzion, 9 cent më shtrenjtë nga që i ishte paguar Lubeniqit për infuzion.

Kuqi, gjithashtu akuzohet se ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke dështuar në ruajtjen e dokumenteve të tenderëve. I njëjti, ka pasur për obligim të arkivojë dokumentacionin e plotë të tenderëve. Edhe pse këto dokumente janë kërkuar nga Prokuroria, asnjë kopje nuk është dorëzuar as gjetur gjatë bastisjes së Ministrisë.

Të pandehurit Tolaj, Pajaziti dhe Hyseni pretendohet se me 30 nëntor 2011 kanë duke tentuar t’i japin kompanisë “Jona Med” përfitim material në vlerë prej 5.000 eurove. Duke fituar një tender dhe kontratë në vlerë prej 70.000 eurove duke vepruar jashtë autoritetit të tyre financiar.

Në periudhën kohore prej 1 qershorit 2010 deri më 11 janar 2012, Tolaj bashkë me Fushën pretendohet se kanë keqtrajtuar apo frikësuar persona për çka akuzohen për veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin Financiar dhe Kodin Penal të Kosovës Tolaj bashkë me Pajazitin dhe Hysenin u kanë dhënë përfitim material furnizuesve të medikamenteve apo mundësinë për përmbushjen e kontratave me anë të pagesave në avans. Për më tepër Pajaziti supozohet se në fund të vitit 2007 i kishte thënë komisionit pranues që të nënshkruajnë pranim të falsifikuar të medikamenteve nga këta furnizues.

Sipas aktakuzës, Tolaj,  Pajaziti dhe Hyseni në vitin 2007 kanë anuluar obligimet ndaj “Jona Med”-it dhe operatorëve tjerë që t’iu japin kontratat atyre me të cilët kishin interes, duke i shkaktuar humbje buxhetit të konsoliduar të Kosovës.

Ndërsa në vitin 2011 të pandehurit e lartpërmendur së bashku me Fejzën, Fushën dhe Kuqin kanë hyrë në një kontratë dëmtuese duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 1.5 milionë euro për një periudhë tri vjeçare.

Tolaj sipas aktakuzës kishte përfituar shumën në vlerë prej 5.000 eurove nga një vendim i Nexhat Shabanit atëherë kryesues i Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me një tender të Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe Shabani pretendohet se ka marr shpërblim duke lëshuar këtë vendim i cili nuk ishte i regjistruar as vulosur e as arkivuar.

Tolaj dhe Fejza duke vepruar si zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar ryshfet nga persona të ndryshëm për fitimin e kontratave.

Tolaj sipas aktakuzës ka procesuar shuma të mëdha parash shume iu shmangur tatimit. Ai gjithashtu pretendohet se nuk ka paguar taksë në vlerë që kalon shumën prej 15.000 eurove.

Tolaj dhe Imer Ajeti, gjatë vitit 2012, sipas aktakuzës kanë tentuar t’i pengojnë hetimet e këtij rasti përmes ndërmjetësuesit që të njëjtit të kontaktojnë me Kryeprokurorin e EULEX-it dhe Kryetarin e Asamblesë së Gjykatave të EULEX-it për të larguar prokurorin e rastit dhe për ta hedhur poshtë rastin ndaj tyre.

Historiku i rastit:

Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e nxjerrë më 19 korrik të vitit 2013, ish-sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, e ka dënuar me 10 muaj burgim për “nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, kurse me 9 muaj burgim për “shmangie nga tatimi”.

Gjykata ka caktuar dënim unik prej 18 muajsh burgim, ku sipas aktgjykimit, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjithashtu, për kryerjen e veprës penale të “shmangies së tatimit” është dënuar me gjobë prej vlerës 1000 euro.

Me këtë aktgjykim i është ndaluar edhe ushtrimi i funksioneve në administratë apo shërbim civil për 3 vite.

Arbenita Pajaziti, është dënuar me 6 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, ndërsa edhe për një pikë tjetër të aktakuzës ku akuzohej për “nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare” është dënuar me 6 muaj burgim me kusht.

Gjykata i ka caktuar dënim unik prej 8 muajsh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryer vepër penale për periudhën kohore prej 2 vitesh, që nga momenti që aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.

Pajazitit gjithashtu i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në administratë apo shërbim publik për 2 vite.

Hajrullah Fejza, është dënuar për veprën penale marrje ryshfeti, me 6 muaj burgim. Gjykata i ka caktuar dënim unik prej 8 muajsh burgim.

Sipas aktgjykimit, koha e paraburgimit, të njëjtit do t’i llogaritet në dënimin me burg.

Edhe Fejzës i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në administratë dhe shërbim publik për 3 vite.

Për pikat tjera të aktakuzës, të lartcekurit janë liruar nga akuzat.

Bujar Bukoshi, ish-ministër i Shëndetësisë, me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është liruar nga akuzat.

Edhe të akuzuarit e tjerë, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi, dhe Bekim Fusha janë liruar nga akti akuzues.

Pas ankesave të mbrojtjes së Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, dhe Hajrullah Fejzës, në Gjykatën e Apelit, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit kishte marrë këtë aktgjykim: aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës është anuluar në lidhje me pikat 1.1,1.2,1.3,1.6,1.7,1.8,1.9,2,3.1,10 dhe 12, dhe lidhur me këto pika lënda është kthyer në rigjykim.

Kurse, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e ankimuar të Gjykatës Themelore, lidhur me pikat 1.4,1.5,11 si dhe pikat të cilat nuk ishin ankimuar nga prokurori 1.7,1.10,1.11,1.12,1.13,3.2,6,8 dhe 9.

Gjykata Supreme, ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Ilir Tolaj, dhe është refuzuar akuza për kryerjen e veprës penale shmangie nga tatimi. Me ç ‘rast është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu, Supremja ka anuluar dënimin për Hajrullah Fejzën, i dënuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit, si dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje tek gjykata e shkallës së parë.

Gjithashtu, me 6 mars 2017, Gjykata Supreme kishte miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për Ismet Hysenin duke e konsideruar të bazuar.

Me miratimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i datës 13 shtator 2016, vetëm sa i përket pikës II të dispozitivit lidhur me pikën 2, dhe vetëm sa i përket të pandehurit Ismet Hyseni, dhe çështja në këtë pjesë i ishte kthyer gjykatës së njëjtë në rivendosje. /Betimipërdrejtësi