VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR PËR KORRUPSION NDAJ ZYRTARËVE TË UJËSJELLËSIT RAJONAL NË MITROVICË

Raporton: Valdet HAJDINI

Vushtrri – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të hënën është mbajtur seanca gjyqësore në zyrën e gjykatësit Burim Ademi, kundër të pandehurve Muja Istrefi-Depoist dhe Hazir Bala-Ndihmës Depoist, të akuzuar për veprën penale përvetësim në detyrë. Në këtë seancë ka dëshmuar dëshmitari Sami Miftari dhe Bedri Rama, të cilët u përgjigjën në shumë pyetje të prokurorit, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar Ujësjellësi Rajonal SH. A. “Mitrovica”, avokatëve mbrojtës, si dhe anëtarëve të trupit gjykues.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, prokurori Ismet Ujkani ka lexuar dispozitivin e aktakuzës dhe veprën penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit, të cilët nuk e pranuan fajësinë, duke u deklaruar të pafajshëm.

Në fjalën hyrëse, prokurori Ujkani tha se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, do të vërtetohet se të njejtit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, duke përvetësuar përvete pasurinë e të dëmtuarës Ujësjellësi Rajonal SH. A. “Mitrovica”. Ndërkaq, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, Mentor Sejdiu në fjalën hyrëse, tha se i bashkangjitet ndjekjes penale të prokurorisë, si dhe kërkoi kompenzim të dëmit material.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Muja Istrefi, avokati Vehbi Beqiri, në fjalën hyrëse tha se vazhdon të ketë qëndrimin se aktakuza është hartuar në kundërshtim me dispozitat ligjore. Tutje tha se gjatë rrjedhës së gjykimit do të vërtetohet pabazueshmëria e aktakuzës dhe pafajësia e të akuzuarve. Mbrojtësi i të akuzuarit Hazir Bala, avokati Kapllan Baruti në fjalën hyrëse tha se pjesërisht i aprovon provat e propozuara në aktakuzë, si dhe në tërësi e përkrahë fjalën hyrëse të kolegut.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Sami Miftari për të dhënë dëshminë e vet.

Në pyetjen e prokurorit të rastit Ismet Ujkani, nëse është në dijeni për mungesën e mallit nga depoja e kompanisë, dëshmitari Miftari tha se ishte në dijeni për mungesën e malit nga depoja dhe se me të marr vesh për lajmin e kishte lajmëruar rastin në polici. Në një pyetje tjetër të prokurorit, se kush e kishte lajmëruar mungesën e mallit, dëshmitari tha se rastin e kishin lajmëruar tani të akuzuarit, pasi që kishin vërejtur se malli po mungon në depo dhe se nuk ka dalje të rregullt. Tutje, dëshmitari tha se regjistrimi i rregullt i mallit është bërë në dhjetor 2012, ndërsa pas ndodhjes së rastit është bërë një regjistrim tjetër, ku është evidentuar mungesa, sasia dhe vlera e mallit.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Muja Istrefi, avokatit Vehbi Beqiri, nëse në atë kohë ka pasur ndonjë kontroll të punëtorëve me rastin e hyrjes dhe daljes nga kompania, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni nëse është aplikuar ndonjë procedurë kontrollit të punëtorëve apo automjeteve të tyre gjatë hyrjes apo daljes nga kompania. Në një pyetje tjetër të avokatit mbrojtës, se në çfarë kohe është lajmëruar mungesa e mallit, dëshmitari tha se lajmërimi është bërë paradite, konkretisht rreth orës 9-10 të mëngjesit, ku pas 10 minutave ishte njofturar policia.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Hazir Bala, avokatit Kapllan Baruti, se kush ka mundur të hyjë në depo, dëshmitari Miftari tha se pa prezencën e depoistëve askush nuk ka munur të hyjë në depo, ndërsa me prezencë të depoistëve në disa raste edhe unë kam hyrë në depo. Tutje, dëshmitari tha se depoja është hapur vetëm në raste emergjente edhe gjatë vikendeve apo pas orarit të punës, por gjithmon në prezencë të njërit depoist.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Bedri Rama për të dhënë dëshminë e vet.

Në pyetjen e prokurorit të rastit Ismet Ujkani, nëse ka pasur raste kur dëshmitari ka hyrë në depo, dëshmitari Rama tha se ka pasur shumë raste kur kam hyrë në depo, por vetëm në prezencë të depoistëve. Në pyetjen e prokurorit nëse ka ndodhur ndonjë herë të thyhen dyert e depos, dëshmitari tha “Afërsisht 5 muaj para se të lajmërohej ky rast i mungesës së mallit, zyrtarët e sigurimit të kompanisë kanë njoftuar se në dryrin e derës ka ngjyrë të dyshuar”. Tutje, dëshmitari tha se në atë rast është ndrruar dryri i derës, kurse çelësat u janë dhënë depoistëve.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, Mentor Sejdiu, se sa peshon një njehsor i ujit, prej atyre që mungojnë nga depo, dëshmitari tha se njëhsori peshon 7-8 kg, ndërsa për bartjen e një sasie aq të madhe të pasijeve nevoitet makineri e madhe, por asesi nuk mund të barten me dorë. “Bartja me dorë e sasisë aq të madhe të njëhsorëve të ujit është praktikisht e pamundur nga të akuzuarit, sepse do t’u nevoiteshin më shumë se tri vite kohë, që një sasi aq të madhe ta bartnin jashtë objektit: tha dëshmitari Rama.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Muja Istrefi, avokatit Vehbi Beqiri, nëse ishte në dijeni se kur është emëruar i akzuari Istrefi si depoist, dëshmitari tha se dy vite para se të ndodhte rasti, i akuzuari ishte emëruar në pozitën e depoistit.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Hazir Bala, avokatit Kapllan Baruti, nëse ka mundur të bartet malli jashtë objektit, dëshmitari tha se në asnjë mënyrë malli nuk ka mundur të bartet jashtë objektit, pa u vërejtur nga rojet e objektit, e shumë më pak një sasi aq e madhe e mallit.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për 25 prill 2016.

Aktakuza ishte ngritur nga prokuroria, me pretendimin se të akuzuarit gjatë periudhës janar – tetor 2013, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë përvetësuar dobi pasurore nga e dëmtuara Ujësjellësi Rajonal SH. A. “Mitrovica” në shumën prej rreth 75.000,00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë