VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ VËLLEZËRVE NEZIRI DHE ATYRE BAJRAMI PËR KONFLIKTET ME PRONA

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të enjtën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësorë ndaj të akuzuarve Bajrush Neziri, Nezir Neziri, Hysein Kamberi dhe Ismet Leka të cilët akuzohen për veprat penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit të organizuar kriminal” lidhur me veprën penale “të detyrimit në formë të rënduar” dhe për veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” , si dhe ndaj dy të akuzuarëve tjerë Shumzim Alija dhe Hatixhe Haziri, të cilët akuzohen për veprën penale “lëndime të lehta trupore” dhe “zjarrëvenie të rëndë  në bashkëkryerje ”.
Në seancën e së enjtës, është bërë dëgjimi i të dëmtuarit Arben Bajrami, i cili në këtë shqyrtim deklaroi në cilësinë e dëshmitarit. Ai në vazhdim, në pyetjet e drejtëpërdrejta të Prokurorit të EULEX-it, Romulo Matus, deklaroi se për pronën kontestuese për të cilën zhvillohet shqyrtimi gjyqësor, ai së bashku me vëllezërit e tij kanë qenë të interesuar për ta blerë shumë herët, e ku pronar i kësaj prone ishte shtetasi serb Ranko Radoviq, e ku pastaj pas një bisedimi me telefon me këtë të fundit, për pronën në fjalë, ishin dakorduar që me çmimin e ofruar nga Arbeni të njëjtën ai ta blejë. Prona në fjalë ishte në “mexh” me ato të vëllezërve Neziri, Bajrush dhe Nezir Nezirit, e të cilët sipas pretendimit të të dëmtuarit e kishin uzurpuar atë.

I dëmtuari tha se prej momentit kur vëllezërit Neziri e kishin kuptuar se ai donte t’a blinte pronën, vazhdimisht e kishin kërcënuar që nëse dikush shkel në ato prona nuk do të del i gjallë prej aty. Ai gjithashtu deklaroi se nga vëllezërit në fjalë ishte sulmuar disa herë fizikisht, jo vetëm ai por edhe tre vëllezërit e tij, e ku një ditë Arben Bajrami pas një konflikti shumë të rëndë mes tij dhe Bajrush Nezirit, brenda pronës, ky i fundit e kishte pasur me vete një sopatë dhe kishte tentuar që me të t’a godiste për fatalitet, të dëmtuarin, Arben Bajrami, e ku pas kësaj Bajrami rastin e kishte lajmëruar menjëherë në polici.

Mirëpo, kjo nuk ishte hera e fundit kur palët kishin pasur përleshje dhe kacafytje, sepse, diku pas 5 apo 6 muajsh nga rasti i mëparshëm, përsëri Bajrush Neziri  në po të njejtin vend kishte kërcënuar Agron Bajramin, njërin nga vëllezërit, ku edhe ishte gjuajtur me armë zjarri, nga ana e Bajrush Nezirit drejtuar Agron Bajramit e ku Neziri kishte deklaruar haptas se dëshiron ta mbysë atë. I dëmtuari në vazhdim deklaroi se edhe njëherë tjetër, kur po kalonte rreth pronës me veturë ishte ndaluar nga Nezir Neziri, dhe i cili pastaj e kishte goditur me një shkop të drurit, e cila ngjante me shkop të bejzbollit, dhe atë ishte goditur disa herë, siç dekalroi ai më shumë se katër apo pesë herë. Ai tha që pas këtyre ngjarjeve të ndodhura, dhe pas inicimit të rastit edhe në gjykatë, ai kishte tentuar që përmes miqëve dhe të afërme t’i përmirsonte raportet e krijuara me tanimë të akuzuarit Neziri, mirëpo që përgjigjiet nga ta vazhdimisht kishin qenë negative dhe të kthyera përsëri me kërcënime.

Në pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarëve Bajrush dhe Nezir Neziri, avoktëve Nikë Shala dhe Ekrem Agushi, i dëmtuari tha se me të akuzuarit në fjalë, ishte njohur edhe para se ta blinte pronën dhe kishin raporte të mira, por jo edhe shumë të ngushta. Gjithashtu tha se për këtë rast me ta është i gatshëm që edhe pas gjithë atyre që kanë ndodhur t’i përmirsojë raportet dhe të arrijnë një marrëveshje që në pronë të ju lejohet t’i kryejnë punët e planifikuara.

Ai gjithashtu para trupit gjykues deklaroi se kishte kërkuar mbrojtje edhe nga policia sa herë që i është dashur të shkojë në pronë, sepse siç edhe e ka cekur ai dhe familja e tij vazhdimisht ishin të kërcënuar.

Shqyrtimi gjyqësore përfundoi me marrjen në pyetje të të dëmtuarit, dhe nga trupi gjykues u vendos që seanca e rradhës të mbahet më 23 mars 2016, ku edhe do të bëhet dëgjimi i dy dëshmitarëve të tjerë Qamil Hasani dhe birit të tij Erfan Hasani, të cilët ishin prezent në njërën nga përleshjet që palët kishin pasur aso kohe.

Shqyrtimi i së enjtës, u zhvillua sipas aktakuzës së ngritur nga EULEX, ku sipas pikës 1 të aktakuzës, të pandehurit: Bajrush Neziri, Nezir Neziri, Ismet Leka dhe Hysein Kamberi akuzohen se kanë kryer veprën penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit të organizuar kriminal” me qëllim të kryerjes së një apo më shumë veprave penale, respektivisht veprën penale të detyrimit, në kundërshtim me nenin 283 paragrafin 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri dhe Hyesin Kamberi akuzohen për veprën penale të detyrimit të rëndë në kundërshtim me nenin 340 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa sipas pikës 3 të aktakuzës, i pandehuri Bajrush Neziri akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” në kundërshtim me nenin 28 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas pikës 4, të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri dhe Hatixhe Haziri akuzohen për veprën penale “zjarrëvënie të rëndë” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 31 dhe 334 paragrafi 1,2 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës.

Pika 5 e aktakuzës akuzon të pandehurit Nezir Neziri, Bajrush Nezir, Shumzim Alija dhe Hatixhe Haziri për veprën penale “Lëndime të lehta trupore” në kundërshtim me nenin 188 paragrafi 1, nënparagrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, ku sipas së cilës Nezir Nezirin për dy (2) persona të dëmtuar, Bajrush Nezirin për pesë (5) persona të dëmtuar, përderisa Shumzim Alija dhe Hatixhe Haziri secilin për nga një (1) person të dëmtuar.

Sipas pikës 6 të aktakuzës, të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri dhe Ismet Leka akuzohen  se për veprat penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme në formë të rënduar” në bashkëkryerje në kundërshtim me nenin 31 dhe nenin 322 paragafi 1 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën tjetër penale “Detyrim në formë të rënduar” në kundërshtim më nenin 340 paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë