VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ NEBIH JASHARIT PËR SHPËRDORIM TË POZITËS ZYRTARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Nebih Jasharit, i akuzuar për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit”. Në këtë shqyrtim dha dëshminë Haqif Qarri, ndërsa munguan dy dëshmitarët e tjerë Halil Rushiti dhe Nuhi Nuredini, të cilët u konstatua se gjenden jashtë shtetit.

Dëshmitari Haqif Qarri, tha se në ndërmarrjen “Eurometali” me seli në Ferizaj ka punuar edhe para vitit 2000, por edhe pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë ai përsëri kishte filluar të punoj në këtë ndërmarrje, gjegjësit në nëntor të vitit 2000, e ku ishte kthyer në vendin e njejtë të punës si më herët – udhëheqës  i kontrollës. Sipas tij, në atë kohë drejtor gjeneral i ndërmarrjes ishte tanimë i pandehuri Nebih Jashari. Sa i përket pyetjes se a ka pasur auditim të brendshëm në ndërmarrje ai deklaroi se prej vitit 2000 kur ishte kthyer në punë nuk ka pasur auditim të brendshëm, ndërsa në vitin 2005 është kryer një auditim i brendshëm, e që këshilli i punëtorëve, si organ më i lartë në ndërmarrje ka formuar një komision prej tre anëtarëve për shqyrtimin e transparencës në sektorin ekonomik dhe atë për qëllim ka pasur shiqimin e kontratave. Ndërkaq rreth problemeve apo çështjeve që janë ngritur në kuadër të fabrikës ai deklaroi se ato janë diskutuar dhe vendosur në kolegjin e ngushtë të ndërmarrjes.

Tutje prokurori Rasim Maloku ia ka prezentuar dëshmtarit një raport për shiqim, të datës 27.04.2005, dhe pas shikimit të raportit, dëshmitari konfirmoi se komisioni në të cilin ishte edhe ky anëtarë, pikërisht këtë raport e ka përpiluar, dhe gjithashtu konfirmoi nënshkrimin e tij që gjendej në atë raport.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi në vazhdim ia dha dëshmitarit raportin në fjalë që t’a ketë në disponim për disa minuta dhe të njejtin t’a lexoj në mënyrë që në vazhdim gjatë dhënies së dëshmisë, ai tu përgjigjet në mënyrë konkrete pyetjeve të parashtruara nga palët për raportin në fjalë. Pas shikimit dhe leximit të raportit konkret, dëshmitari deklaroi se që këtë raport e kanë dorëzuar tek Këshilli i Punëtorëve që gjendej në kuadër të ndërmarrjes “Eurometal”, mirëpo se çka kanë vepruar më tutje ata ai deklaroi se nuk ka njohuri, dhe gjithashtu tha se në kuadër të ndërmarrjes ka shërbyer edhe sektori kadriovik në përbërje prej 4 juristësh. Lidhur me kallëzimin penal që i është bërë drejtorit të ndërmarrjes, tanimë të pandehurit Nebih Jashari, pasi e ka parë kallëzimin penal, i cili ishte i nënshkruar edhe nga vetë dëshmitari, ai deklaroi se si anëtar i komisionit ka pasur mundësi që e ka nënshkruar dhe gjithashtu e konfirmoi nënshkrimin e tij, mirëpo tha që këtë e ka nënshkruar vetëm si anëtar, e jo për ndonjë qëllim personal.

Dëshmitari gjithashtu deklaroi se gjatë punës si udhëheqës i kontrollës ai ka pasur shpesh vërejtje në cilësinë dhe sasinë e materialit dhe që ato vërejtje i ka adresuar tek organet kompetente në kuadër të ndërmarrjes por që shpesh ato vërejtje nuk janë përfillur dhë nuk kanë pasur ndonjë ndikim.

Me marrjen në pyetje dhe dhënies së dëshmisë nga dëshmitari, përfundoi shqyrtimi gjyqësor, kurse seanca e rradhës u caktua për 4 prill 2016, ku do të dëgjohet dëshmitari Halil Rushiti.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë