VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ NEBIH JASHARIT PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Nebih Jashari i akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”. Në këtë shqyrtim gjyqësor i pandehuri paraqiti mbrojtjen e tij para trupit gjykues të kryesuar nga Ibrahim Idrizi.

Në shqyrtimin e së premtes, gjatë marrjes në pyetje i pandehuri Nebih Jashari deklaroi se nga vitin1999 në vitin 2005 ka qenë Drejtor Gjeneral i Ndërmarrjes “Eurometal”, në Ferizaj dhe që në këtë pozitë ai tha se ao kohe ishte emëruar me vendim të qeverisë së përkohshme në Kosovë. Sa i përket objektit të akuzës lidhur me kontratat e lidhura në mes të ndërmarrjes që ai e drejtonte dhe firmës “Braw Rot”, Jashari deklaroi se më 30 gusht 1999 ka nënshkruar kontratë më këtë të fundit, për kryerjen e punëve që kishin të bëjnë me metale siç janë, saldimet, rregullimi i çative të objekteve me prodhime metali, kontejnerëve nga metali dhe të ngjashme, e që vlera e kësaj kontrate ai tha se kishte qenë 135.000 marka (dm), përkitazi me kryerjen e këtyre punëve ai tha se firma “Braw Rot” i kanë dhënë sepse sipas tij ndërmarrja që ai e udhëhiqte nuk kishte mjete të gatshme për furnizimin me material dhe fillimin e punëve. Me firmën në fjalë tani i akuzuari deklaroi se në vitin 2000 kishin nënshkruar edhe një kontratë të cilën ai si Drejtor Gjeneral e kishte nënshkruar, dhe që kjo kontratë kishte të bënte me lëshimin me qera të tetë (8) ari oborr firmës “Braw Rot”, e që kjo kontratë tha se ishte lidhur në afatin prej një(1) viti, mirëpo sipas tij firma në fjalë e kishte shkëputur kontratën më herët. Përkitazi me këtë dhe lidhur me faturat për qeranë mujore tha se gjithmonë i ka nënshkruar ai, ndërkaq sa u përket dy faturave për qeranë ,të cilat ishin shënuar në ditarin e punës së ndërmarrjes “Eurometal” pasi firma “Brow Rot” e kishte shkëputur kontratën i akuzuari deklaroi se nuk i kujtohet që ishin lëshuar fatura të tilla dhe as që i ka nënshkruar ato.

Ndërkaq sa u përket dy firmave të tjera që gjithashtu janë objekt i akuzës me të cilën i pandehuri ngarkohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës zyrtare”, ai deklaroi se në vitin 1999 ndërmarrja “Eurometal” si dhe firmat nga Shkupi “Fershped” dhe “Sekundarna Sirovina” kanë lidhur kontratë për furnizimin e firmës që ai e drejtonte me lëndën e parë- metal (llamarinë). Përkitazi me këtë i pandehuri deklaroi se në atë kohë nuk kanë pasur mundësi të tjera se si të kontaktonin me këto firma për furnizim me mall, përveç në mënyrë fizike, ku tha se punëtorët e firmës “Eurometal” kanë shkuar në Shkup dhe kanë porositur materialin,  kanë kontraktuar çmimin ku tha se total çmimi është llogaritur edhe me transportin deri në Ferizaj, pastaj firmat në fjalë kanë importuar materialin në Kosovë, përkatësisht kanë dërguar atë deri në “Eurometal” dhe pas pranimit të mallit ai tha se është kryer pagesa me para në dorë, sepse në atë kohë ai deklaroi se nuk kanë funksionuar bankat dhe mënyra e vetme e pagesës ka qenë përmes parave të gatshme. Jashari , tutje deklaroi se tek kontratat e tilla pagesa është bërë në atë mënyrë që parat janë tërhequr nga arka që gjendej në kuadër të firmës në fjalë dhe me to është bërë pagesa për mallin që ka qenë objekt i kontratës dhe pohoi se të gjitha këto pagesa janë bërë me nënshkrimin e tij. Pas këtij pohimi prokurori Rasim Maloku i prezantoi një dëftesë nr.105/99 e datës 18.11.1999 lidhur me dorëzimin e një shume të të hollave prej 38,500 marka të inkasuara  nga ndërmarrja “Braw Rot”, e përkitazi me këtë i pandehuri u përgjigj se nënshkrimi i dorëzimit të mjeteve nga arka është i tij.

Me marrjen në pyetje të të pandehurit përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndërkaq seanca e radhës u caktua për 25 gusht 2016 në ora 09:00, ku palët do të paraqesin fjalën përfundimtare.

Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, i pandehuri Nebih Jashari akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, sepse në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i NSH “Eurometal”, me seli në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ndërmarrjes “Eurometal” i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë