VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR NDAJ INSPEKTORËVE TË KOMUNËS SË PRISHTINËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkuren, ka vazhduar dëshminë Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, për rastin e njohur si rasti “Inspektorët e Komunës sw Prishtinws”, ku të akuzuar janë Ismet Halili, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe i akuzuari Qemajl Pozegu për veprën penale falsifikim i dokumenteve.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Ardian Muhadri, avokatit Emrush Kastrati, nëse pas marrjes së detyrës së drejtorit ka punuar me të akuzuarin Muhadri dhe çfarë raportesh kanë pasur, dëshmitari Sveçla tha se me të akuzuarin Ardian Muhadri ka punuar për një periudhë kohore prej tre muajsh, ndërsa gjatë asaj kohe bashkëpunimi ka qenë korrekt. Në pyetjen tjetër të avokatit Kastrati, nëse në raportin zyrtar të akuzuarit Muhadri ka pasur vendim për rrënim të objekteve pa leje, dëshmitari tha se nuk i kujtohej një gjë e tillë.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarës Arbenita Ajeti, avokatit Fisnik Salihu, se cila ka qenë kërkesa specifike për raporte nga inspektorët, dëshmitari tha se nuk mund ta parafrazoj në detaje, por qëllimi ka qenë që të kenw njohuri për gjendjen në terren. Në pyetjen tjetër të avokatit Salihu nëse i kujtohet se çfarë është shkruar në raportin e të akuzuarës Ajeti, dëshmitari tha se individualisht nuk i kujtohet se çfarë kanë përmbajtur raportet, por në atë kohë i kishte lexuar dhe analizuar të gjitha raportet.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Mërgim Shala, avokatit Nikë Shala, nëse ka pasur vërejtje në punën e tij, dëshmitari tha se nuk i kujtohej të ketë pasur ndonjë vërejtje në punën e të akuzuarit. Dëshmitari tha se i akuzuari ka qenë inspektor zëvendësues, i cili nuk ka qenë i ngarkuar me një zonë të caktuar. Tutje, Sveçla tha se me ardhjen e tij në detyrë, me stafin e njejtë para ngritjes së aktakuzës, kanë arritur të ndalojnë punimet e paligjshme në masë të madhe.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Drita Rukiqi, avokatit Destan Rukiqi, nëse i kujtohej përmbajtja e raportit të akuzuaës Rukiqi, dëshmitari Sveçla tha se ka kaluar kohë e gjatë dhe nuk i kujtohej përmbajtja e raportit, por që raportin me siguri e kam lexuar. Në pyetjen tjetër të avokatit Rukiqi, nëse i kujtohej të ketë pasur ndonjë vërejtje në puën e të akuzuarës, dëshmitari tha se nuk i kujtohej të ketë pasur ndonjë vërejtje për punën e të akuzaurës.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Qemajl Pozhegu, avokatit Ibrahim Dobruna, nëse ka dhënë deklaratë për këtë rast edhe më herët, dëshmitari tha se në lidhje me këtë rast ka dhënë deklaratë në prokurori dhe në seancën e kaluar në këtë gjykatë. Në pyetjen tjetër të avokatit Dobruna, nëse është në dijeni dëshmitari se i akuzuari ka pranuar zyrtarisht se objekti është dnërtuar pa leje, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni ëpr një fakt të tillë.

Në pyetjen e Prokurores së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, se çfarë kompetencash kanë inspektorët zëvendësues, dëshmitari tha se kompetencat e tyre janë të njejta me kompentencat e inspektorëve tjerë. Tutje, dëshmitari Sveçla tha se inspektorët zëvendësues i kanë të gjitha autorizimet për ndalimin e punimeve apo rrënimin e objekteve.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me ndëgjimin e dëshmitares Qefsere Lakna.

Në pyetjen e Prokurores, Drita Hajdari, në lidhje me objektet e ndërtuara në afërsi të shtëpisë së saj, dëshmitarja tha se në fillim të vitit 2012 ka filluar ndërtimi i objektit, i cili është ndërtuar në afërsi prej 3 metra larg shtëpisë. Tutje dëshmitarja tha “Konsideroi se objekti është ndërtuar jashtë rregullave, për faktin se në komunë na kanë thënë se objekti do të ndërtohet 9 metra larg shtëpisë, ndërsa ai është ndërtuar vetëm 3 metra larg”. “Para fillimit të ndërtimit, ne kemi qenë në komunë, te drejtori i Inspektoratit Muhamet gashi, për t’u ankuar për ndërtimin e objektit, i cili na ka thënë që ky objekt nuk do të rrënohet” tha dëshmitarja Lakna. Në një pyetje tjetër të prokurores Hajdari, nëse ka parë ndonjëherë inspektorët komunal të kenë ardhur tek objekti, dëshmitarja Lakna tha se asnjëherë nuk ka parë, e as nuk kishte ndëgjuar të kenë ardhur inspektorët gjatë ndërtimit të objektit.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për datën 26 prill 2016.

Sipas pretendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të pandehurit Ismet Halili, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, si persona zyrtarë në Drejtorinë e Inspekcionit-Sektori i Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për të tjerët, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e zyrtare, ashtu që nuk i kanë ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme, si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve pa leje në territorin e Komunës së Prishtinës. Ndërsa, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë ”Pozhegu Brothers”, akuzohet se ka ndryshuar dokumentin original publik, konkretisht lejen e ndërtimit, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë