VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR KUNDËR TË AKUZUARIT PËR VRASJE NË TENTATIV

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – I akuzuari Genc Avdili, ka thënë se kur kishte gjuajtur me armë për shkak të mosmarrëveshjes, nuk kishte pasur qëllim ta privonte nga jeta të dëmtuarin Isa Zeqiri. Në seancën gjyqësore të mbajtur të  hënën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, Avdili ka dhënë mbrojtjen e tij, duke shpjeguar në detaje gjithë ngjarjen. Por, para tij, ka dëshmuar Rexhep Avdyli, i cili kishte qenë prezentë në ditën kritike. Në pyetjen e prokurorit Agron Uka, dëshmitari Rexhep Avdyli, tha se të akuzuarin nuk e kishte pa me armë sepse kishte qenë duke e qetësu të dëmtuarin, ndësa e kishte dëgjuar një të shtënë me armë. Arsyeja pse ai kishte tentuar të ndalte të dëmtuarin ishte se i dëmtuari ishte vërsulur në drejtim të Gencit dhe dy persona tjerë kishin tentuar ta ndalnin të dëmtuarin sepse ai kishte pasur një shkop në dorë. Dëshmitari Avdyli tha se nuk e di nëse Genci të ketë mbajtur më herët armë dhe nuk e di se cili kishte qenë motivi i kësaj ngjarje. Në pytjen e prokurorit se a ka pasur për qëllim Genci ta qëlloj të dëmtuarin me armë, dëshmitari tha se meqë afërsia kishte qenë prej 7-8 metrave, nuk beson se Genci nuk kishte dashur ta qëllonte me armë të dëmtuarin.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Begzad Hajrullahu, dëshmitari tha ka qenë në veturë me Gencin dhe kur kanë arritur tek lokali i të dëmtuarit, ai kishte dalë në rrugë dhe ishte vërsulur në drejtim të veturës dhe ka filluar të shante në drejtim të Gencit dhe i njëjti ishte afruar nga vetura e Gencit. Ai tha po mos të isha ai dhe dy tjerët me tentu me ndalu  të dëmtuarin, ky i fundit me atë shkop ka mundur ta rrezikoj të akuzuarin.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Agim Ademi, dëshmitari tha i dëmtuari nuk ka arritur ta gofasë Gencin me asgjë por veturën e kishte goditur me shkop. “Në momentin që e kam ndëgju krismën e armës e kam kthy kokën dhe e kam pa Gencin tu hype në veturë dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, tha dëshmitari. Sipas tij, po të kishte qëllim Genci me vra të dëmtuarin Isen, këtë ka pasur mundësi ta bëj dhe se nuk e di se ku kishte goditur predha.

Procesi gjyqësor ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit Genc Avdili. I akuzuari tha se e kishte takuar Rexhep Avdylin, i cili e kishte ftuar për kafe. “Kur kemi arritur tek lokali i të dëmtuarit Isa Zeqiri, e kam vërejtur se është tu ardhë në drejtim timin duke sharë, sepse shpejtësinë e veturës e kam pas diku 35 kilomtra dhe dritaren e kam pas të hapur… E kam ndalu veturën dhe i njëjti ka fillu mem shajt dhe më është vërsul me një shkop”, tha i akuzuari. Në atë moment, ai tha se kishte dalë Rexhepi dhe dy persona tjerë, të cilët ishin munduar ta ndalonin të dëmtuarin. “Në kohën kur e kam pa që nuk po mujnë me nal e kam nxjerr armën dhe kam shti në përpjetë kjo ka qenë për ta frikësuar Isen  që mos të vjen në drejtim timin sepse në dorë kishte një shkopë dhe kisha frik”. I akuzuari tha se nuk ka pasur qëllim që ta vrante sepse kishin qenë shokë të mirë. Ai u pendua dhe tha se i vjen keq që ka ndodhur kjo ngjarje, për të cilën tha se janë pajtuar me Isën dhe familjen e tij dhe se nuk kanë asgjë keqe, duke premtuar se kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen.

Dy ditë para ditës kritike, i akuzuari tha se Isa, duke luajtur futboll me vllain e tij, ishin sharë dhe ishin rrahur, por që menjëherë ia kishte dërguar një njeri për t’i kërkuar falje për atë që kishte ndodhur me vëllain e tij. Ai tha se arsyeja pse kishte pasur armën është se ai gjithmonë bartë armë me veti edhepse tha se e dinë që nuk është e ligjshme. Fjalët përfundimtare do të jepen më 16 mars 2016, në orën 14:00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur ndaj Genc Avdilit, i cili akuzohet se më 15 nëntor 2014, kishte dashur ta privonte nga jeta  të dëmtuarin Isa Zeqiri, për shkak të një mosmarveshje të më hershme mes tyre.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë