VAZHDON SHQYRTIMI GJYQËSOR KUNDËR TË AKUZUARIT PËR KORRUPSION

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër të akuzuarit Ahmet Lekiqi, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Në këtë seancë është dashur të dëshmojnë dëshmitarët Labinot Kelmendi dhe Dinol Hoxha, të cilët nuk u paraqitën para trupit gjykues. Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri kërkoi nga prokurori i rastit të deklarohet në lidhje me këta dy dëshmitar dhe si të procedohet në vazhdimësi. Prokurori Abdurrahim Islami tha se heq dorë nga dëgjimi i këtyre dy dëshmitarëve, për faktin se njëri nga ta është në Amerikë, ndërsa tjetrit nuk i dihet vendqëndrimi.

Para se të fillohej me mbrojtjen e të akuzuarit, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, SH.P.K. “Albatronics”, i ofron trupit gjykues një provë shtesë, procesverbalin e barazimit të mallit. Procesverbali dhe deklarata e 27 gushtit 2005, ishte nënshkruar nga vet i pandehuri, i cili në deklaratën e vet zotohej që në afat prej tre muajsh do t’i kthente parat në shumën prej 16.577,90 euro.

Në pyetjen e avokates mbrojtëse Fehmije Gashi, se në çfarë periudhe kohore kishte punuar në SH.P.K. “Albatronics” dhe çfarë pozite kishte mbajtur, i akuzuari Ahmet Lekiqi tha se që nga viti 2003, e deri në gusht 2005 kishte punuar, në pozitën e distributorit të shitjes. Në një pyetje tjetër të avokates mbrojtëse Fehmije Gashi, rreth barazimit me firmën ku kishte punuar, i akuzuari tha se në kohën kur kishte qenë në Maqedoni, përfaqësues të firmës kishin shkuar në shtëpinë e tij, ku e kishin marr veturën dhe kishin numëruar mallin në të, e rrjedhimisht edhe kishin bërë barazimin e malli, por pa prezencën e tij. Tutje, i akuzuari shtoi se këtë procesverbal e kishte nënshkruar, por të njejtin nuk e kishte lexuar për përmbajtjen dhe obligimin e saj.

Në pyetjet e prokurorit Abdurrahim Islami, nëse e kishte përvetësuar shumën e parave prej 12.000,00 euro, i akuzuari tha se ato para i kishte mbetur borxh një person nga Shkupi, të cilit i kishte dhënë cigare me veresi, por që të njejtat në kesh u’a kishte dhënë përfaqësuesve të SH.P.K. “Albatronics”, për faktin se cigaret ishin pa banderola dhe nuk ishin të regjistruara askund.

Seanca e ardhshme për këtë rast do të mbahet më 25 prill 2016, ku i akuzuari do të vazhdoi mbrojtjen e tij dhe do të ipet fjala përfundimtare e palëve.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë